Zgjidhja është harta e re e gjimnazeve dhe jo shkollat e mesme të bashkuara

Aug 6, 2022 | 10:37
SHPËRNDAJE

myqerem-tafaj-konferenca

PROF. MYQEREM TAFAJ

Gjatë javëve të fundit, Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka filluar të propagandojë disa ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar. Në thelb, janë disa arnime, se nuk ka ndonjë ndryshim substancial që lidhet me ndonjë reformë të vërtetë. Një prej ndryshimeve që po diskutohet është përcaktimi ligjor i formës së Shkollës së Mesme të Bashkuar (SHMB). Më së pari, po e shpjegoj kuptimin për lexuesin, çfarë përfaqëson ky emërtim. SHMB janë shkolla 9-vjeçare, të cilët kanë edhe klasa të arsimit të mesëm. Ato ekzistojnë aktualisht, janë përgjithësisht shkolla të vogla dhe gjenden në zonat rurale dhe në ato më pak të banuara të vendit. Aktualisht, SHMB zënë mbi gjysmën e numrit total të shkollave publike që afrojnë arsim të mesëm. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve që kanë SHMB, fatmirësisht, numri i nxënësve që mësojnë në këto shkolla nuk zë më shumë se 30 % të numrit total të nxënësve në arsimin e mesëm.

Këto shkolla kanë cilësi shumë të ulët dhe, për rrjedhojë, përbëjnë edhe një ndër faktorët kryesorë të cilësisë së ulët të arsimit tonë të mesëm, si dhe të hendekut të madh në cilësi të shkollave të mesme të zonave rurale krahasuar me ato të zonave urbane të vendit. Nxënësit e këtyre shkollave e vuajnë pasojat e cilësisë shumë të ulët të tyre, që nga diskriminimi në garën për studimet universitare, deri te shanse shumë më të vogla për karrierë në jetë. Pikërisht për këtë arsye mendoj se duhet gjykuar më me objektivitet kjo çështje dhe të mendohen zgjidhje afatgjata. Cilësia shumë e ulët e SHMB lidhet me shumë shkaqe, ndër të cilat më kryesore janë niveli i kualifikimit të mësuesve, pamundësia për të realizuar kurrikulën kombëtare të arsimit të mesëm dhe infrastruktura didaktike dhe fizike shumë e dobët e tyre, të cilët po i shtjelloj më gjerësisht në vijim.

SHMB nuk kanë trupa pedagogjike me kualifikim përkatës për arsimin e mesëm. Në përgjithësi, mësuesit me kualifikim për arsimin 9-vjeŽar japin mësim edhe në klasat e arsimit mesëm (klasat X, XI dhe XII). Ky është edhe problemi më i madh. Në këto shkolla nuk ka mësues me kualifikimin e kërkuar për gjimnazin, por kryesisht mësues me kualifikim për arsim 9-vjeçar dhe atë fillor. Madje, në shumicën e tyre, ka mangësi edhe në mbulimin e lëndëve me mësues që kanë kryer studimet e masterit për mësuesi për arsimin e mesëm të ulët (klasat VI, VII, VIII dhe IX). Ndërkohë, dihet mirë jo vetëm nga komuniteti i mësuesve, i prindërve dhe opinioni publik në komunitetet e zonave ku gjenden këto shkolla, se trupa pedagogjike e këtyre shkollave nuk ka kualifikim përkatës universitar për të përballuar programin e klasave të larta, sidomos VIII dhe IX. Por askush nuk e ngre këtë problem kyç në diskutimin e këtij ndryshimi në ligj. Madje, për çudi, as raportet vjetore të Maturës nuk e trajtojnë ndikimin e SHMB në rezultatet e Maturës, si dhe cilësinë shumë më të ulët të këtyre shkollave (SHMB) krahasuar me gjimnazet e qyteteve. Si mund të pranojmë që me këtë mangësi në kapacitetet pedagogjike me kualifikim përkatës të pretendojmë se këto shkolla mund të mbajnë akoma klasat e arsimit të mesëm? Dikush mund të thotë që do t’i plotësojmë me mësues më arsim përkatës. Ky do të ishte premtim jo realist që nuk realizohet për shumë shkaqe. Të rinj nga këto zona që vijojnë studimet e masterit në mësuesi për arsimin e mesëm janë shumë, shumë pak, sepse ata vetë kanë qenë “viktima” të këtyre shkollave me cilësi të ulët, dhe, për rrjedhojë, nuk kanë arritur mesataren e kërkuar për të vijuar studimet për mësuesi. Edhe ata pak që kanë arritur të pranohen në programet e mësuesisë, pas studimeve të masterit nuk parapëlqejnë të kthehen në zonat rurale. Përvoja e gjithë këtyre viteve të tranzicionit tregon se dërgimi i mësuesve me kualifikim përkatës nga qytetet në zonat rurale nuk funksionon dhe, sipas vlerësimit tim, të paktën edhe për një dekadë nuk mund të konsiderohet si zgjidhje realiste. Sigurimi i personelit mësimdhënës me arsimimin përkatës universitar për shkollat në zonat rurale dhe zonat e varfra të vendit, përfshirë edhe SHMB, është bërë një rreth vicioz.

SHMB nuk kanë infrastrukturë didaktike laboratorike për arsimin e mesëm. Këto shkolla thuajse nuk kanë fare infrastrukturë laboratorike për programin e arsimit të mesëm, sidomos për lëndët e shkencave natyrore, pa shkuar në tej te grupi i lëndëve të teknologjisë. Unë nuk besoj se edhe në harkun afatmesëm kohor nuk mund të pritet të ndodhë ndonjë mrekulli në modernizimin e infrastrukturës së këtyre shkollave, sidomos në zonat rurale.

SHMB nuk kanë mundësi të realizojnë plotësisht kurrikulën e arsimit të mesëm. Duke qenë shkolla shumë të vogla, ato kanë vetëm nga një klasë në çdo vit të arsimit të mesëm, madje shpesh me një numër nxënësish që është edhe me pak se 20. Një klasë dhe me një numër kaq të vogël nxënësish nuk mundëson zbatimin e kurrikulës së arsimit të mesëm, sepse praktikisht nxënësit nuk mund të zgjedhin lëndët me zgjedhje që dëshirojnë, dhe, duan apo nuk duan ata, të gjithë duhet të ndjekin të njëjtat lëndë edhe për thellim në klasat XI dhe XII.

Nisur nga këto tri problematika kryesore të SHMB, kuptohet qartë se përse këto shkolla kanë cilësinë më të ulët në arsimin e mesëm të vendit tonë, e cila, është edhe pasojë e cilësisë shumë më të ulët në arsimin 9-vjeçar në shkollat e zonave rurale, si dhe zonat më të varfra të vendit. Është i konfirmuar nga raporti PISA, se nxënësit në moshën 15-vjeçare, pra, të klasës së 9-të, në shkollat e këtyre zonave, kanë një prapambetje në formimin arsimor, e cila është 1,5 – 2 vite shkollore, çka do të thotë, për nga formimi ata janë de facto në klasën 7-të. Kjo prapambetje bartet edhe në arsimin e mesëm, nuk arrin të kompensohet dhe kjo reflektohet edhe në rezultatet përfundimtare të shkollës së mesme, përfshirë edhe Maturën shtetërore (MSH). Raporti i Maturës 2021 tregon se 45% e shkollave të mesme publike kanë mesatare nën 6,5, dhe pjesa dërmuese e tyre janë SHMB, çka do të thotë se maturantët e tyre janë të diskriminuar për shkak të cilësisë së ulët të shkollës publike.

Një vend me 2,8 milionë banorë si vendi ynë, nuk mund të ketë edhe në dekadën e tretë të këtij shekulli 380 shkolla të mesme publike, ku 94 prej tyre (ose 25 % e numrit total) kanë 3 deri 50 nxënës, 212 prej tyre (ose 56 % e numrit total) kanë më pak se 100 nxënës dhe 262 (ose rreth 70% e numrit total) kanë më pak se 200 nxënës. Praktikisht gjithë shkollat me më pak se 100 nxënës dhe pjesa më e madhe e atyre me 100 deri 200 nxënës janë shkolla 9-vjeçare që kanë edhe klasa të arsimit të mesëm (shkollat e mesme të bashkuara). Si mund të pritet arsim i mesëm cilësor kur shkollat ka më pak se 50 nxënës në të tre vitet e arsimit të mesëm. Cilësia nuk mund të rritet pa mësues të kualifikuar, pa laboratorë didaktikë dhe pa kushtet elementare për mësim, madje edhe ato higjienike në shkollat e mesme. Pra, SHMB janë problemi dhe jo zgjidhja.

Unë mendoj se ne është imediate për arsimin e mesëm një hartë e re e gjimnazeve, përmes së cilës të përqendrohen shkollat e mesme në qytete dhe njësi administrative të mëdha të bashkive. Për këtë duhet investim serioz për kualifikimin e vazhduar të mësuesve, krijimin e infrastrukturës bashkëkohore mësimore në shkollat e mesme, transportin e nxënësve, dhe, sipas rastit, edhe të konvikte për nxënësit e zonave të largëta. Në fakt, gjimnazet në qendrat e njësive administrative dhe në shumicën e qyteteve të vendit gjimnazet janë gjysmë të zbrazura, pra, kanë kapacitete të lira në hapësira. Madje, edhe mësues mbi numër dhe me ngarkesë më të ulët. Shumica e shkollave të qyteteve dhe qendrave të njësive administrative janë ndërtuar të reja ose rikonstruktuar në 20 vitet e fundit. Vetëm 50 gjimnaze kanë më shumë se 500 nxënës dhe ato u përkasin qyteteve të Tiranës, Kamzës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës.

Pra, kapacitetet për një hartë të re të gjimnazeve ekzistojnë. Për këtë nuk duhet ndonjë përcaktim në ligj, sepse zgjidhet vetëm me një vendim të Këshillit të Ministrave. Por duhet vullnet politik. Harta e re e gjimnazeve është një reformë e vërtetë. Për implementimin e saj duhet një bashkëpunim i ngushtë me prindërit, një konsensus i gjerë politik, si dhe një bashkëpunim i ngushtë midis MAS dhe bashkive. Banorët e zona rurale janë të bindur për cilësinë e ulët të SHMB dhe pasojat që vuajnë fëmijët e tyre prej tyre dhe jam i sigurt se ata do ta mirëpresin një hartë të re të gjimnazeve, sepse, më shumë se ata vetë janë më të interesuarit që fëmijët e tyre të marrin një shkollim të mesëm cilësor dhe të kenë shanse më të mëdha për studime universitare, karrierë profesionale dhe, në tërësi, shanse më të mëdha në jetë. Megjithatë, duhet diskutuar me banorët e këtyre zonave për të gjithë aspektet e zbatimit të Hartës së re të gjimnazeve, sigurimin e mësuesve me kualifikim për gjimnazin, transportin e nxënësve dhe kostot e tij si dhe vendosjen në konvikte të nxënësve të zonave më të thella. Reforma të tilla janë ndërmarrë edhe në vende të tjera, të cilat janë përjetuar zbrazjen e zonave më të varfra, sidomos atyre rurale. Duhen studiuar përvojat e vendeve me madhësi të krahasueshme me vendin tonë si Sllovenia, Estonia, Kroacia në rajonizimin e shkollave të mesme.

Harta e re e gjimnazeve do të ishte zgjidhja e nevojshme afatgjatë për rritjen e cilësisë së arsimit të mesëm në zonat rurale dhe zonat më pak të banuara të vendit, si dhe për zbutjen e diferencës së madhe në cilësi të këtyre shkollave krahasuar me ato të qyteteve kryesore të vendit, e cila është, ndoshta, sfida më e madhe aktuale për arsimin tonë të mesëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura