Zgjidhja është fitorja

May 31, 2018 | 17:30
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

Çdo të bëhet? Si zgjidhet? Si dilet nga rrethi vicioz i skandaleve, korrupsionit  pandëshkueshmërisë në nivele të larta e shumë të larta, dështimeve, mashtrimeve, propagandës non stop të Ramës me shokë në “kantierin” e imazheve dhe mirazheve të rremë? Këto pyetje dëgjohen gjithandej. Nga opozitarët, por edhe nga votues të zhgënjyer të PS-së. Një shpresë dhe një përgjigje ekstra për Shqipërinë e kësaj periudhe është fillimi nga puna i drejtësisë së re, krijimi i SPAKU-t dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, ngritja e gjyqësorit të ri, goditja e politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar, këputja e nyjës gordiane të pandëshkueshmërisë si gangrena më e madhe e demokracisë shqiptare, ardhja e drejtësisë që duhet të vijë, pa bota le të përmbyset.

prec-zogaj

Ky zhvillim i shumëpritur dhe aspak utopik përderisa e shërbejnë me vendosmëri aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë, SHBA dhe BE, por edhe faktorët vendas të papërlyer në afera korruptive, do të sjellë natyrshëm një riformatim të skenës politike. Do të jetë mirë për mbarë vendin. Në rrafshin e luftës për pushtet, nëse do të ruhet konfigurimi i tanishëm, ajo që do të përfitojë nga produkti i drejtësisë së re do të jetë, sipas meje, opozita. Sepse në këtë rrafsh nuk do të ketë rëndësi cila palë do të ketë më shumë të goditur.

Opozita vetëm do të përfitojë nga ndëshkimi ligjor i të korruptuarve të saj. Skaneri i drejtësisë do të bëjë atë që një opozitë do të duhet ta bëje vetë për të rifituar besimin e zgjedhësve. Ndaj e përsëris. Opozita e ka dy herë në favor Reformën në Drejtësi. Njëherë si mbarë vendi, njëherë tjetër sepse e ndihmon atë për të ardhur në pushtet. Kurse qeveria vetëm dobësohet dhe humb kur goditet ligjërisht në kupolën e saj. Shqiptarët presin që SPAK të hetojë dhe formulojë qëndrimet e drejta ligjore ndaj akuzave që rëndojnë mbi ish-zyrtarë dhe zyrtarë shumë të lartë të qeverisë në fuqi.

Kështu siç kanë ardhur punët, së paku në një perspektivë jo afatgjatë, Reforma në Drejtësi është një fuqi madhore për largimin e Edi Ramës dhe shumicës së tij nga pushteti. Por mendimi, shpresa dhe aksioni politik nuk mund të rrinë duarkryq në pritje dhe në vartësi të një reforme që po vonon të zbatohet. Nuk përjashtohet mundësia të përplasemi me zgjedhjet kështu siç jemi. Në këtë kontekst, barra e zgjidhjes, për të cilën po flasim, bie e gjitha mbi opozitën politike të vendit, mbi Partinë Demokratike si partia më madhe opozitare.

Në fund të fundit, opozita në demokraci ekziston si “zgjidhja tjetër” që vjen për ti zënë vendin me votë të lirë qeverisë. Dhe për ta përmbledhur me një fjalë “zgjidhja” është fitorja. A ka shanse për të fituar PD dhe opozita e mbledhur rreth saj? Rruga duket në malore për të. Më shumë se në katërvjeçarin 2013-2017. Opozita e Lulzim Bashës, katërvjeçarin e shkuar, startoi nga humbja e zgjedhjeve të vitit 2013, një humbje relativisht e madhe, që do të kërkonte shumë punë për t’u rikuperuar. Opozita e kësaj legjislature ka startuar nga një humbje akoma më e madhe.

Gjatë katërvjeçarit të parë të Bashës si kryetar i PD-së, partia ishte më bashkuar, pavarësisht se kishte edhe atëherë probleme. Tani duket më e përçarë. Nuk po flasim për aspekte të tjera që e vështirësojnë rravgimin për sukses të një lideri politik, që, pasi është pritur si shpresë, gjykohet edhe si eksperiencë me mënyrën si ka vepruar për ngritjen e ekipeve, ruajtjen e karrierave, qarkullimin e elitave, e tjerë, që Basha nuk se i ka në favor për momentin.

Nuk besoj se ka në PD drejtues seriozë që nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen dhe vështirësitë e kësaj periudhe. Por suksesi dhe fitorja janë të mundshme. Jo vetëm në parim. Jo vetëm në një të ardhme iks. Janë të mundshme në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht, rruga është më e mundimshme se herë të tjera. Ajo që kërkohet, pikë së pari, mendoj se është një strategji e shkruar e fitores. Çfarë lëvizjesh, çfarë betejash, çfarë aktesh, çfarë ekipesh, çfarë programi, çfarë etike, çfarë komunikimi, çfarë korrigjimesh e tjerë, e tjerë.

Opozita duhet të bëjë të veten, sipas meje, kauzën e përshpejtimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Vonesat dhe gjendja pezull favorizon çdo ditë kapjen e drejtë- sisë nga Kryeministri. Kush nuk e ka kuptuar. Por zgjidhja nuk mund të jetë kthimi prapa. Zbatimi i Reformës, siç është miratuar nga Kuvendi, çarmatos Ramën dhe çdo kryeministër tjetër nesër nga mundësia për të kapur drejtësinë.

Me këtë qëndrim, opozita do të ndihmonte drejtësinë e re, do të luftonte perceptimin e dëmshëm se ajo ka frikë nga Reforma në Drejtësi; do të rikuperonte në këtë rrafsh me partnerët amerikanë dhe europianë që kanë ngritur shqetësime të tilla. Opozita nuk mund të mos mbajë parasysh se Reforma në Drejtësi është një përparësi që u përgjigjet interesave të SHBAve në Shqipëri.

Sot është ambasador i SHBA ve zoti Donald Lu, nesër do të vijë një tjetër që do të ndjekë të njëjtën linjë të qeverisë dhe shtetit të tij, madje, duke qenë më i freskët, mund të jetë akoma më energjik për çuarjen në fund të punës së nisur. Opozita e Luzim Bashës ka shpallur, qysh në krye të herës, qëndrimin “asnjë kusht për integrimin e vendit në BE”. Është një qëndrim i drejtë, kombëtar, pa efekte që favorizojnë qeverinë në rrafshin elektoral. Historia jonë e këtyre dhjetë viteve të fundit ka treguar se shqiptarët nuk japin as vota, as dekorata për integrimin.

Kur nuk dhanë për heqjen e vizave! Kjo sepse ata e kanë pritur më herët integrimin dhe bëjnë përgjegjëse elitën politike për vonesat. Kjo është një arsye me shumë për të shërbyer me gjithë zemër dhe me një vizion fisnik hapjen e negociatave. Brenda familjes europiane kemi të ardhme. Në dyert e saj vetëm probleme do të kemi. Vetë historia e PD-së, por edhe e PS-së ka treguar se arsyeja (ratio) mbetet gjithnjë arma fituese në politikë. Le të ketë edhe irracionalë, fallxhorë politikë që shohin përtej mureve, luftëtarë me ballë bakri, siç thoshte Adam Mihnik, të zellshëm, mendje që vetëm dyshojnë, mendje që vetëm mendojnë keq, por tonin, linjën, vendimin duhet ta caktojë arsyeja.

Një refleksion se si duhet të prijë arsyeja mund të bëhet nga ngjarjet më të fundit. PD i kapi në gënjeshtër të pastër Kryeministrin Rama dhe ministrin Xhafaj kur publikoi vendimin e dënimit të vëllait të ministrit. Këtu mund të qëndronte fort në kërkesën e saj për dorëheqjen e Xhafajt. Audio-përgjimi e zhvendosi debatin në një rrafsh të rrëshqitshëm opinionesh “është zëri, s’është zëri” që vazhdon sot e gjithë ditën. Qeverisë i interesonte të ikte nga një gjë shumë e qartë, te një gjë që e lejonte ta trajtonte si një çështje opinionesh. Zelli në vetvete nuk thotë asgjë.

Zelli është efikasiteti. Mund të tregosh zell të vogël dhe të jesh efikas, mund të tregosh zell të madh dhe të djallosësh gjithçka. Opozita ka shmangur këto kohët e fundit debatet në foltoren e Kuvendit. U dëgjuan zëra që kërkuan bojkotimin e Kuvendit deri djegien e mandateve nga deputetët e opozitës. Arsyeja prevaloi në këtë rast. Por duhet shtuar: nëse politika është një ndeshje dhe është ndeshje, ringu është Kuvendi, janë studiot e debateve. Këtu kryqëzohen argumentet që lënë gjurmë dhe formojnë mendimin e qytetarëve. Janë të domosdoshme protestat, konferencat e shtypit, takimet me qytetarët, por në këto foltore politikanët flasin pa palën kundërshtare, pra, nuk ndeshen.

Kjo e bën aulën e Parlamentit një arenë të pazëvendësueshme të afirmimit të epërsisë ndaj kundërshtarit kur e ke këtë epërsi. Opozitat në Shqipëri kanë shkuar drejt fitoreve, kryesisht nga pedana e Parlamentit. Kjo duhet mbajtur mirë parasysh. Ka shumë për të thënë. Të tjerë anëtarë, simpatizantë apo miq të opozitës kanë me siguri ide shumë të mira për atë që unë e quajta strategjia e fitores e opozitës.

Bashkimi dhe hapja janë kushte sine qua non. Që nuk bëhen me ftesa, por me rregulla që garantojnë konkurrencën dhe votën e lirë. Por e mbyll me më të rëndësishmen: fushata elektorale duhet të fillojë që tani. Me ekipe, me grupe pune. Njerëzve u duhet argumentuar që tani si do të bëhet pensioni minimal 250 mijë lekë, sa do të jetë, si do të krijohet e si do të shpërndahet fondi i subvencioneve në bujqësi. E me radhë, e me radhë. Duket shpejt, por, në fakt, nuk ka kohë. Opozita duhet të mundë mendësinë popullore të ngulitur nga Rama se programi dhe premtimet janë rrena. Duhet të restaurohet marrëdhënia e kontratës me zgjedhësit.

Dhe kjo kërkon vërtet kohë dhe takime të përjavshme. Po u la për në fund, njerëzit do thonë, na erdhën tani për vota. Dhe nuk do të besojnë. Nuk ka gjasa dhe nuk është në natyrën e demokracisë shumëpartiake që kryeministri i shumicës të dëgjojë opozitën. Me përjashtim të rasteve që kanë të bëjnë me çështje kombëtare, ndërpartiake. Për të tjerat, palët janë alternativë e njëra-tjetrës, secila ndjek doktrinën, ideologjinë dhe programin e vet. Opozita ekziston për ta mundur qeverinë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura