Zgjidhet ngërçi/ Presidenti Biden dhe republikani Kevin McCarthy arrijnë marrëveshjen paraprake për tavanin e borxhit

May 28, 2023 | 11:35
SHPËRNDAJE

Pas një ngërçi disa muajsh dhe shqetësimeve në rritje se ekonomia më e madhe në botë nuk mund të paguajë borxhet e saj, presidenti amerikan Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy arritën një marrëveshje paraprake mbi tavanin e borxhit të qeverisë të shtunën në mbrëmje.

Biden dhe republikani Kevin McCarthy

“Pas javësh negociatash, ne arritëm një marrëveshje në parim. Kemi ende shumë punë për të bërë, por besoj se kjo është një marrëveshje në parim që është e denjë për popullin amerikan”, tha zoti McCarthy duke njoftuar marrëveshjen pas një telefonate 90 minutëshe me presidentin.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve u tha gazetarëve në Capitol Hill se ai kishte në plan të fliste sërish me presidentin Biden të dielën pasi të përfundonte së shkruari projektligjin të cilin synon ta hedh për votim të mërkurën.

Në një deklaratë, presidenti Biden e quajti marrëveshjen “një hap të rëndësishëm përpara”, duke nënvizuar se “marrëveshja përfaqëson një kompromis, që do të thotë se jo të gjithë marrin atë që duan. Kjo është përgjegjësia e qeverisjes”.

Marrëveshja do të rris tavanin e borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh për dy vjet duke kufizuar shpenzimet gjatë asaj kohe.

Ajo gjithashtu përfshin tërheqjen e fondeve të papërdorura për COVID-19, përshpejtimin e procesit të lejeve për disa projekte energjetike dhe shtimin e disa kërkesave për programet e ndihmës ushqimore për amerikanët e varfër.

Marrëveshja është e domosdoshme për të shmangur një mospagim të borxhit që do të destabilizonte ekonominë.

Ajo duhet të miratohet nga Kongresi përpara se Departamentit të Thesarit t’i mbarojnë paratë për të paguar faturat. Ky afat është tani më 5 qershor, sipas Departamentit të Thesarit./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura