“Zgjidh mosmarrëveshjet mes shtetit dhe pronarëve të tokave”- Ministrja Balluku thirrje deputetëve: Agjencia e shpronësimit të votohet sot

Feb 12, 2020 | 15:16
SHPËRNDAJE

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku u ka bërë thirrje deputetëve të votojnë sot ndryshimet në ligjin për shpronësimet, duke thënë se ngritja e një agjencie do zgjidhë mosmarrëveshjet mes shtetit dhe pronarëve të tokave.

balluku

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Balluku u shpreh se kjo agjensi do të jetë nën varësinë e ministrisë së saj, ndërsa shtoi se mosvotimi sjell vonesa dhe humbje kohe.

“Sa i përket varësisë, agjencia për shpronësimet do të jetë nën varësinë e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Procesi i shpronësimeve nuk është ndryshuar, thjesht i kemi përqendruar duke qenë se humbim kohë.

Kemi humbur kohë nga shumë projekte, duke humbur kohë, humbin edhe para. Qytetarët i marrin shërbimet e infrastrukturës me vonesë për shkak të vonesave në shpronësime. Siç jeni në dijeni me pronat që nuk bien dakord edhe kanë protestuar ne jemi sot në çështje gjyqësore të hapura. Deri sot është ndjekur marrëveshje unilaterale. Ndërkohë në marrëveshjen bilaterale do kemi mundësinë pronarët të ulen me ekspertët e agjencisë së shpronësimeve dhe të gjejmë një të mesme të pranueshme për të dyja palët,”– u shpreh Ministrja.

Ajo shtoi se agjencia duhet të ngrihet sa më parë për shkak të projekteve që janë aktualisht, duke theksuar se është me leverdi për pronarët e tokave.

“Synojmë agjencia që të ngrihet sa më parë sepse përpara kemi shumë projekte të mëdha në këto momente.

Krijimi i agjencisë do të krijonte një marrëdhënie tjetër me pronarin e tokës. Shpronësimet janë kryer me marrëveshje unilaterale duke krijuar mosmarrëveshje me pronarin e tokës dhe kanë përfunduar në gjykata. Ndërkohë me krijimin e agjencisë dhe një trupe të kualifikuar që do merren vetëm më çështjet e shpronësimit do kemi cilësi të negocimit. Krijimi do zgjidhë njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet që shteti dhe pronarët e truallit kanë pasur deri sot. Është zgjidhje me leverdi për pronarin e truallit. Agjencinë e shpronësimit duhet ta votoni që sot,”– tha Balluku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura