Zgjerimi me 12 milje, Myslim Pashaj: Projektligj i paplotë, Greqisë i lejohet vetëm pasi të jetë kryer procesi i ndarjes…

Jan 15, 2021 | 15:47
SHPËRNDAJE

Myslim Pasha-harta-greqia-deti

Koloneli në lirim, Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, analizon projektligjin e qeverisë greke për zgjerimin e saj me 12 milje nga Peloponezi deri në Korfuz. Duke folur për gazetën “Panorama”, zoti Pasha shprehet se projektligji është i cungët dhe i paplotë, ndërsa shton se Greqia mund të zgjerohet me 12 milje vetëm pasi të ketë zgjidhur delimitimin e kufirit detar me Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Koloneli në lirim e sheh të pakuptimtë, për të mos thënë të dyshimtë, faktin që në projektligjin e qeverisë greke Shqipëria nuk përmendet si trajtë gjeografike apo si vijë kufitare, edhe pse ajo është pjesë e Ngushticës së Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit.

Zoti Pasha i kërkon Ministrisë së Jashtme të bëjë transparencë dhe të japë informacion se çfarë ka negociuar me palën greke, ndërsa sheh nga pala greke hapa shumë të kujdesshëm për të siguruar zgjerimin e saj në detin Jon.

“Republika e Shqipërisë bën pjesë në Veriun e detit Jon, po nuk përfaqësohet me asnjë trajte gjeografike, si vijë kufitare midis të dyja vendeve, e me asnjë fjalë se ku ndodhet Ngushtica e Otrantos, as Kanali i Korfuzit, as ishulli skajor Othoni, siç përmendet ‘Tainaro në Jug’.

Kjo veçori ka lidhje me atë pjesë të detit Jon që nuk do të përfshihet në zgjerim për shkak se delimitimi i kësaj pjese nuk është bërë ende”, thuhet në analizën e kolonelit Myslim Pasha.

MYSLIM PASHAJ

Projektligji i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë për “përcaktimin e gjerësisë së zonës bregdetare në zonën detare të Jonit dhe ishujve të Jonit deri në Kepin Tainaro të Peloponezit” duhet parë me kujdes mbasi aty përfshihen edhe diskutime dhe trajtesa që kanë lidhje me ndarjen detare të Republikës së Shqipërisë me Greqinë dhe interesat tona kombëtare.

Projektligji që cekim, në leximin tim, është cung dhe i paplotë. Në vështrimin e specialistëve grekë të së drejtës detare që e kanë hartuar, ai shpërfaq interesat më thelbore dhe kombëtare të Greqisë, në aspektin e zgjerimit të DT, e kjo siç thotë së fundmi ministri Dendias, është arritje madhore historike.Kryediplomati e konsideroi lëvizjen e Athinës si “një të drejtë të patjetërsueshme të Greqisë për të rritur ujërat territoriale në detin Jon në Kepin Tainaro nga 6 milje detare në 12”.

Por Greqia në kushtet e sotme nuk e realizon dot këtë zgjerim në të gjithë zonat detare të detit Jon. Hapësirat detare në detin Jon të Veriut(në Ngushticën e Otrantos dhe Kanalin e Korfuzit) ku për faktorë ndikues gjeografikë dhe mungesës së marrëveshjes së delimitimit midis të dy vendeve, ky zgjerim nuk realizohet dot, sipas kërkesave të UNCLOS-82. Ministri Dendias shfaq një krenari të epërme se “do të rrisë sipërfaqen e sovranitetit kombëtar me 10,079 kilometra katrorë”.

Kjo nuk ështësipërfaqja e vërtetë që zgjerohet, për shkaqet që i thamë më sipër.

Pra, Greqisë i lejohet ky zgjerim vetëm pasi të jetë kryer procesi i ndarjes detare në Gjykatën e Hagës. Kjo sipërfaqe duhet të jetë 7379 km2 dhe jo 10,079 km2 “. Greqia ka të drejtën e zgjerimit nga 6 në 12 md, në detin Jon të Veriut, në Jugperëndim të Shqipërisë, vetëm pasi të konfirmojë se kjo shtrirje nuk do të ndodhë në Ngushticën e Otrantos dhe Kanalin e Korfuzit, si rrjedhojë e zonave detare të pandara me Republikën e Shqipërisë dhe ndikimit të faktorëve gjeografikë, për të cilët kërkohet negociatë e ndërsjellët.

Projektligji është i shtrembër, jo koherent në vështrimin e së drejtës detare ndërkombëtare, sa i përket rastit të Shqipërisë. Kjo nuk duhet t’u krijojë shqetësim miqve tanë fqinjorë, mbasi secili është në tavolinën diplomatike dhe aty bëhet një luftë e natyrës tjetër, aty luftohet për hapësirat dhe pasuritë dhe trashëgimitë.Kur u bë marrëveshja e vitit 2009, znj. Bakojanis e quajti atë pakt “State of art” (nivel i lartë në një zhvillim tërësor, teknik, shkencor dhe artistik).

Ju e dini sigurisht se asaj kohe Shqipëria u pushtua nga Greqia në 354 km2 të Ngushticës së Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit. Ky pushtim u bë me kontributin edhe të vetë palës shqiptare. Fqinji Verior: Republika e Shqipërisë bën pjesë në Veriun e detit Jon, po nuk përfaqësohet me asnjë trajtë gjeografike,si vijë kufitare midis të dyja vendeve, e me asnjë fjalë se ku ndodhet Ngushtica e Otrantos, as kanali i Korfuzit, as ishulli skajor Othoni, siç përmendet “Tainaro në Jug”.

Kjo veçori ka lidhje me atë pjesë të detit Jon që nuk do të përfshihet në zgjerim për shkak se delimitimi i kësaj pjese nuk është bërë ende. Ne jemi shteti fqinj që kemi bashkëinteresim për hollësi informacioni të këtij projektligji, sepse ka lidhje me të drejtën detare ndërkombëtare dheintegritetin territorial të Republikës sonë. Kemi të bëjmë me dyshim dhe keqinformim të llogaritur me kujdes, apo thjesht një harrim i paqëllimshëm?!Ne themi se projektligji i mësipërm e ka të domosdoshëm saktësimin orientues gjeografik të detit Jon dhe s’mund të lihet vetëm “në zonën detare të Jonit”, aq e paorietuar për përmbajtjen e tij.

Atëherë pse vallë të mos themi se “shqiptarët kanë të drejtë të thonë se në mugëtirën e ligë, të së padrejtës dhe së keqes, zgjerimi me 12 milje në drejtim të Shqipërisë lihet pahollësi gjeografike me qëllim të keq!A shqetësohet Ministria jonë e Jashtme?! A duket vallë normale që grupi negociator nuk e ka një hartë të ishujve te Jonit dhe në veçanti të Othonit dhe Erikusës, nga ku lind mundësia e zgjerimit të detit territorial (por jo në 12 milje…), e kjo të bëhej e njohur publikisht, mbasi aty maten dhe argumentohen kushtet gjeografike, për të cilat aq shumë është folur.

Në një vijë gjatësorë prej 16 km nga Othon deri në Erikusa diskutohet zgjerimi i detit territorial të Greqisë në përputhje me cilësitë gjeografike dhe parimet e ekitesë që lindin nga efekti i ishujve. Kjo na çon në portat e të dy ishujve fqinjorë në postbllokun e ndalimit të zgjerimit pa u studiuar dhe pa u bërë më parë një marrëveshje. Kjo ndodh me Shqipërinë dhe nuk ndodh me Italinë, e cila i ka dy marrëveshje(të vitit 1977 dhe 2020).Si nuk iu lejuaka Shqipërisë të vejë në dukje atë harresën se para fjalës “e panegociueshme” duhet të vendoset “në përkim me kushtet gjeografike”. Të lind dyshimi se në kohë të fundit deklarimit të Kryeministrit të Shqipërisë i është hequr ai‘trefjalëshi’: “ku e lejon gjeografia”!

Çdo shqiptar është i interesuar të dijë e të sqarohet se kush është syprina detare dhe ishullore që ka lidhje me zonën detare të detit Jon që nuk është ndarë dhe pritet që të çohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në Otranto, në hapësirën e përbashkët të ZEE dhe detit territorial, ndodhet edhe zona “treshe” e të tri shteteve , Itali, Greqi dhe Shqipëri, e cila do të kërkonte një negocim për përfitimin përkatës të të tri shteteve.Aty na del qartë se si Italia në vitin 1977 përfitoi nga efektet e ishujve grekë të Jonit të Veriut e kjo për t’u treguar të dyja palëve se Othoni “dikton jo vetëm për Italinë në Perëndim, por edhe për Shqipërinë në Verilindje, për të përfituar sipërfaqe detare. Në Dekretin Presidencial të Greqisë përmblidhet e gjithëhapësira e Republikës së Greqisë, ku është trajtuar “mbyllja e gjireve”.

Pra, vëreni se sa me kujdes e trajton pala greke këtë çështje që i intereson. Kurse ne, fqinjët verilindorë, kërkojmë një të dhënë nga grupi negociator dhe na thuhet se ai grup edhe pse “i fetishizuar”, aspak i aftë t’i përgjigjet sqarimit që kërkojnë shqiptarët, na qenka “hermetik”, se ka në dorë fatet e çështjes kombëtare etj., kur në fakt është ai që furnizon me kumte teknikoligjore dhe gjeoshkencore ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin.

Duke u nisur nga ky informacion, vëmendja jonë përqendrohet tehapësira detare e detit Jon, i cili lag kufirin jugperëndimor të Shqipërisë përmjet Ngushticës së Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit deri në gjirin e Ftelias. Në këtë hapësirë shtrihet edhe zona detit territorial dhe të zonës ekonomike ekskluzive të të dyja shteteve, e cila lidhet mezgjerimin e Republikës së Greqisë në DT. Ngushticat, Otranto dhe Korfuz (kanal), janë njësi dhe trup detar tërësisht det territorial, në një largësi vijore 112 km gjatësi dhe 138 km vijë bregore natyrore (nga matet shtrirja dhe zgjerimi i DT) që nga pika treshe në Otranto deri në gjirin e Ftelias.

Grupi negociator nuk qe në gjendje që për të sqaruar opinionin të llogariste dhe të hartografonte sipërfaqet e përfytyruara të përafërta të hapësirës ekonomike ekskluzive në Otranto për të tri shtetet (Itali, Shqipëri e Greqi), për të cilën po flitet kaq shumë për pasuritë nëndetare. Grupi negociator për një kohë të gjatë nuk e dha dot një studim për Gjirin e Sarandës, që duhej të përfshihej në “mbylljen e gjireve”, se si të argumentohej dhe të shpallej “gji historik” i deklaruar nga pala shqiptare.

Në Shqipëri terminologjia tekniko-ligjore dhe ajo politikevijon të shfaqet me “sulme” me “mësymje” dhe “pushtim” që po i bëhet hapësirës detare të Shqipërisë nga ana e Greqisë. Ndjeshmëria është e lartë, moskuptimi dhe keqinterpretimi atëbotëështë po ashtu i pranishëm. Në kësillojkushtesh kërkohen institucionet dhe vetë Ministria e Jashtme të davarisë këtë mjegullim të palejueshëm të situatës.

Titulli origjinal i autorit: Një projektligj i Ministrisë së Jashtme të Greqisë dhe paaftësia tërësore tekniko-ligjore e palës shqiptare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura