Zgjerimi i Greqisë me 12 milje në Jon/ Flet ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese: Pse duhet zgjidhje nga Gjykata e Hagës! Çfarë u tolerua në negociatat e Korçës. Në veri të…

Sep 18, 2020 | 14:56
SHPËRNDAJE

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, ka komentuar edhe një herë tjetër çështjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë në detin Jon.Xhezair Zaganjori-pakti-turqia

Në një intervistë për gazetën “Panorama.al”, Zaganjori flet për problematikat e qasjes së palës shqiptare në këtë proces negocimi për ndarjen e kufirit në detin Jon.

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë, në takimet që janë bërë para disa vitesh në Korçë mes ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë, mund të jenë bërë lëshime sa i përket Zonës Ekskluzive Ekonomike në veri të kanalit të Korfuzit.

Zaganjori shpjegon më tej se zgjidhja ideale do të ishte që të dyja vendet të shkojnë së bashku në një Gjykatë Ndërkombëtare Arbitrazhi, ku të hartohen pyetjet konkrete.

Kryeministri i Shqipërisë, z.Rama, vuri në dukje në një konferencë ndërkombëtare që u zhvillua në Athinë, se pala shqiptare do të ishte e gatshme që çështjen e ndarjes së hapësirave detare me Greqinë, përfshi këtu edhe Zonën Ekonomike Ekskluzive, ta dërgojmë së bashku në një Gjykatë Ndërkombëtare apo ta zgjidhim me ndihmën apo ndërmjetësimin e një pale të tretë. Cili është mendimi juaj?

Ashtu siç theksuat edhe ju, më duket me të vërtetë një zhvillim i rëndësishëm, madje i vonuar. Shumë i vonuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është dhënë gati 11 vjet më parë dhe ne ende nuk kemi një ide tonën të hedhur qartësisht në hartë, për të thënë se sipas nesh kufiri i jashtëm apo sovraniteti dhe të drejtat tona sovrane në hapësirat respektive detare (ujëra territoriale, shelf kontinental dhe Zonë Ekonomike Ekskluzive) shtrihen deri në këtë apo atë pikë të vijës imagjinare që projektohet në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. Kjo është gjëja më elementare, që duhet të bëjë çdo shtet. E në rast se palët nuk bien dakord, e drejta ndërkombëtare sërish afron mjetet e saj paqësore për zgjidhjen e konflikteve apo mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat janë përpunuar më shumë kujdes ndër shekuj.

Po ne e kemi tashmë këtë mosmarrëveshje me Greqinë…

Sigurisht që e kemi. Nuk ka absolutisht aspak vend për të diskutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Marrëveshja e vitit 2009 është nul. Ajo nuk ka hyrë në fuqi asnjëherë, sepse nuk është ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar. Në përputhje me dispozitat kushtetuese, Gjykata Kushtetuese ka bërë një kontroll paraprak mbi pajtueshmërinë me Kushtetutën, të kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare të nënshkruar, por të paratifikuar dhe rezultati tashmë dihet. Një kontroll i tillë kushtetues ndodh thuajse në të gjitha vendet e botës edhe për marrëveshjet ndërkombëtare para ratifikimit të tyre. Sepse ky mjet është në fund të fundit një valvul sigurie, është një garanci më shumë dhe një mjet efektiv për të kontrolluar apo orientuar zbatimin e detyrimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare edhe nga ana e ligjvënësit. Mjafton të përmend këtu kontrollet e shumta që u bëhen nga ana e gjykatave kushtetuese të vendeve anëtare, projekteve madhore të Bashkimit Europian për thellimin e integrimit të brendshëm në këtë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar. Dallohet në këtë drejtim veçanërisht Gjermania. Vendimet me qindra faqe të Gjykatës Kushtetuese gjermane për Traktatin e Mastrihtit, Traktatin e Lisbonës, Urdhrin e Arrestit Europian, Mekanizmin a Stabilitetit Europian për zgjidhjen e krizave financiare e të tjerë, janë dëshmia më e qartë e rëndësisë dhe autoritetit absolut që kanë këto vendime për sistemin e brendshëm ligjor të çdo vendi respektiv. A mund ta imagjinoni se mund të vazhdohej me ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare e aq më keq me njohjen apo zbatimin e saj megjithëse Gjykata Kushtetuese e një prej vendeve anëtare në BE do ta deklaronte atë si në kundërshtim me Kushtetutën? Do të ishte absurde edhe të mendohet diçka e tillë. Prandaj thirrjet që zëra të veçantë bëjnë ende edhe sot në Athinë për marrëveshjen e vitit 2009 janë jo vetëm të tepërta e kundërshtim me normat më elementare të së drejtës ndërkombëtare e kushtetuese, por edhe aspak etike. Për më tepër, me sa është raportuar në bisedimet e zhvilluara me palën greke mbi këtë çështje 3-4 vite më parë në Athinë dhe Korçë, flitet që është reflektuar dukshëm përsa i përket vijës kufitare në zonën e Kanalit të Korfuzit, por ndërkaq, me sa duket, është toleruar në pjesën veriore të këtij Kanali kur bëhet fjalë për Shelfin dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive.

Mund të jeni më të qartë mbi këtë problem?

Unë u referohem gjërave të transmetuara nga shtypi. Megjithatë mund të kisha, por mendoj se nuk është rasti. Le t’i kthehemi më konkretisht zhvillimeve të djeshme. Përsëris se ideja është shumë e mirë e racionale. Mosmarrëveshjet duhen zgjidhur në mënyrë që secila palë të ketë mundësinë reale të shfrytëzimit të hapësirave detare që i takojnë. Ritheksoj se e drejta ndërkombëtare ofron mundësi të shumta. Kemi mjetet diplomatiket tradicionale, si: Bisedimet direkte mes palëve; Shërbimi me qëllim të Mirë, ku një palë e tretë i afron palët për bisedime, pa marrë vetë pjesë aktive në to; Ndërmjetësimi, ku pala e tretë jo vetëm i afron palët për bisedime, por edhe propozon zgjidhjet e mundshme; Komisionet mikse (komisionet e hetimit dhe të pajtimit) e të tjerë. Kemi gjithashtu edhe mjetet gjyqësore, ku rolin kryesor e kanë gjykatat e arbitrazhit si dhe gjykatat ndërkombëtare. Për të mos u zgjatur mendoj se në rastin konkret nuk ka më vend për mjete diplomatike, pasi, me sa duket, pozicionet dhe interesat e palëve ndryshojnë dukshëm.

Nga ana tjetër, pozicioni gjeografik dhe prania e ishujve të shumtë e ndërlikojnë shumë çështjen. Këtyre problemeve duhet t’i shtohet politizimi i tejskajshëm i ndarjes së hapësirave detare me Greqinë dhe notat apo ngarkesat e shumta me natyre patriotike e nacionaliste. Prodhohen tradhtarë e armiq imagjinarë, në një kohë që problemi është shumë i thjeshtë për nga natyra e tij juridiko–ndërkombëtare. Edhe shtetet e tjera kanë pasur dhe kanë çështje të tilla, e nëse nuk i zgjidhin me marrëveshje, shumë mirë u drejtohen mekanizmave ndërkombëtare.

Në këto kushte, cili do të ishte mjeti më i përshtatshëm?

Të shfrytëzohet një nga mjetet gjyqësore, por jo krijimi i një gjykate arbitrazhi. E kam theksuar edhe herë të tjera se kjo mund të ishte disi më e shpejtë, por nuk ofron profesionalizmin dhe sigurinë e duhur. Eksperienca që kanë në këtë drejtim Kroacia dhe Sllovenia për ndarjen e hapësirave detare mes tyre në Gjirin e Triestes (apo Gjirin e Piranit) është shumë e hidhur. Ne duhet t’i drejtohemi bashkërisht një gjykate ndërkombëtare. Vetë Konventa e Montego Bay-t ofron dy të tilla, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë të Holandës dhe Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit me seli në Hamburg të Gjermanisë. Për një sërë arsyesh, mendoj se ne duhet t’i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Por duhet shtuar se në çdo rast do të duhej një marrëveshje kompromisi mes Shqipërisë e Greqisë, të cilat bashkërisht, krahas dakordësisë në parim, duhet të hartojnë edhe pyetjet konkrete që do të duhej të merrnin përgjigje nga gjykata respektive.

Por pala greke nuk pranon të shkohet në një Gjykatë Ndërkombëtare?

Unë di që dje ka pasur një propozim publik e konkret, por jo edhe një përgjigje zyrtare. Nëse bisedimet ngecin apo nuk ka perspektivë negocimi, atëherë natyrshëm palët duhet t’i drejtohen një mjeti paqësor për zgjidhjen e konflikteve. Për më tepër, dy ditë më parë, mediat raportuan se Kryeministri grek i kërkoi Turqisë që konfliktin mes tyre në Detin Egje ta zgjidhin përmes bisedimeve e, nëse nuk bëhet kjo ose nuk japin rezultat, t’i drejtohen bashkërisht një gjykate ndërkombëtare. Ai shtoi gjithashtu se asnjë shtet nuk duhet të ketë frikë nga e drejta ndërkombëtare.

Personalisht e vlerësova shumë një deklarim të tillë edhe mendoj se tashmë ka një perspektivë të qartë për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve detare mes këtyre dy shteteve. E njëjta zgjidhje apo mundësi mund të shfrytëzohet edhe në rastin tonë, pavarësisht faktit që në dukje, problemet mes nesh e Greqisë në detin Jon janë më të thjeshta nga ato të detit Egje. Duhet shtuar këtu edhe vullneti i mirë për t’i zgjidhur bashkërisht çështjet. Edhe Danimarka me Gjermaninë e Holandën kanë pasur e kanë marrëdhënie shumë të mira mes tyre, por kur ishte e nevojshme ato iu drejtuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndarjen e Shelfit Kontinental në Detin e Veriut. Po kështu edhe Britania me Francën në rastin e ndarjes së hapësirës detare mes tyre në Kanalin Britanik, e të tjera. Le të shpresojmë se edhe mosmarrëveshjet mes nesh për ndarjen e hapësirave detare në detin Jon do të kenë një perspektivë konkrete. E rëndësishme është të tregohet gatishmëri e të fillohet me procedurat pa humbur kohë, pasi çdo gjykatë, përfshi këtu edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, do t’i duhet të paktën 4–5 vjet për shqyrtimin e çështjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura