Zgjedhjet vendore dhe shëndeti i qyteteve tona

May 15, 2015 | 11:53
SHPËRNDAJE

ISUF KALO

    Edhe qytetet paskan shëndet? Edhe ato ndodh të sëmuren? Po. Ndodh vërtet. Sepse edhe qytetet janë krijesa jetësore. Ato përjetojnë lindje, rritje, gjallërim e lulëzim sipas rrethanave edhe fryrje, fishkje, plakje, rrënim, madje edhe vdekje. Ndryshe nga njerëzit, qytetet jetën dhe shëndetin nuk e kanë dhuratë aq nga Zoti, sesa nga vetë qytetarët krijues e banues të tyre. Prandaj, jeta dhe shëndeti i qyteteve janë në simbiozë me ato të qytetarëve të tij. Ata japin dhe marrin shëndet dhe jetë mes tyre. Në një qytet “të sëmurë” ka pak  qytetarë të shëndetshëm. Bazuar në këtë ndërvarësi, Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH), e cila merret shkencërisht më së pari me shëndetin e njerëzve, inicioi në Europë një projekt të posaçëm edhe për qytetet me emrin “Healthy City” (Qytet i shëndetshëm).
Ai synon harmonizimin dhe nxitjen e aktivizmit qytetar, të komuniteteve dhe sidomos të pushtetit lokal, për ta bërë qytetin e tyre sa më të shëndetshëm në të mirë të vetë banorëve, por edhe të brezave të ardhshëm që do të jetojnë e punojnë në të.

Një paradoks atavik
Mirëpo, te ne ekziston një paradoks i trashëguar. Qyteteve tona e qytetarëve që banojnë në to, si dhe bashkive e pushtetit vendor u është mohuar roli e detyrimi për t’u kujdesur vetë për shëndetin e tyre. U janë mohuar kompetencat për të projektuar, vendosur e zbatuar iniciativa dhe veprimtari në dobi të shëndetit të qytetit dhe të vetë qytetarëve, të komuniteteve, familjeve, të afërmeve dhe fëmijëve të tyre.
Mohimi i tillë nuk është i shpallur me dekrete dhe urdhëresa, por rolet dhe të drejtat e mësipërme janë anashkaluar dhe lënë heshturazi ndër vite nga një mentalitet i padeklaruar, por që në fakt është kundra tyre. Mohimi konsiston në mosaktivizimin e qytetarëve si krijues e aktorë të shëndetit të tyre dhe të qytetit, në mosdhënien e fondeve dhe kompetencave ligjore e vendimmarrëse bashkive dhe pushtetit vendor për çështje të lidhura me shëndetësinë, madje as qyteteve apo njësive administrative vendore të mëdha.
Arsyeja thelbësore është mungesa e dëshirës së pushtetit qendror për ndarjen e fondeve dhe të kompetencave vendimmarrëse. Ato deri sot i mban ende fort në dorën e tij të centralizuara pushteti qendror, i cili drejton dhe komandon direkt që nga lart çështjet e shëndetësisë në gjithë territorin e vendit ose nëpërmjet strukturave lokale vartëse e llogaridhënëse vetëm ndaj tij. Konkretisht, ato i mban thuajse ekskluzivisht në dorë Ministria e Shëndetësisë dhe pjesërisht ministritë e tjera, që mbulojnë fusha apo faktorë që implikojnë e determinojnë shëndetin e popullatës. Them ende, sepse ky centralizim i tejzgjatur nuk ekziston prej shumë kohësh në asnjë nga vendet europiane ku ne aspirojmë të integrohemi, sepse decentralizimin ato e kanë vlerësuar dhe zbatuar si një nga përparësitë e reformës  shëndetësore.

Kryetar i cunguar
Te ne, kryetari i bashkisë dhe këshillat bashkiakë të zgjedhur direkt me votat e banorëve kanë detyra dhe role vepruese lokale gjithfarësh: për rrugët, ambientet shkollore, teatrot, parqet, për pemët e lulet e tyre, për plehrat, për qentë e pulat apo kafshët e tjera, por jo përgjegjësi dhe role për gjendjen shëndetësore të qytetit dhe as të banoreve të tij. Për shëndetësinë ata i kanë sytë, veshët e gojën të mbyllura. Dhe duart e lidhura. Prandaj nuk dinë sa mirë apo sa keq funksionojnë e performojnë spitalet në territorin e tyre, cilësinë e shërbimeve mjekësore e shëndetësore, që ofrohen nga bluzat e bardha; Dhe as për ankesat, dëshirat dhe propozimet e qytetarëve për shërbim shëndetësor më të mirë.
Nëse në spitalin a maternitetin e qytetit mungojnë specialistët, teknologjia e barnat e nevojshme, nëse ndodhin suksese, arritje apo, e kundërta, skandale, kryetari i votuar i bashkisë nuk ndien as krenari, as përgjegjësi. Sepse nuk ka as informacion, as kompetenca, as fonde e as detyrë zyrtare për to. Kryetari dhe këshilli mbahen kështu keqas, të shkëputur nga hallet shëndetësore të bashkëqytetarëve të tyre.

 Fakte dhe reflektime
Në një studim që pati kryer Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në vitin 2010, në spitalet rajonale të vendit, gjeti se asnjëri nga ato nuk ofronte 19 llojet e shërbimeve të detyrueshme shëndetësore. Vetëm 3 prej tyre ofronin 17 lloj shërbimesh, kurse 8 të tjerët akoma më pak. Njësoj edhe spitalet e qyteteve më të vogla, në të cilat, në vend të 8 lloj shërbimesh të pritshme, ofronin përgjithësisht vetëm 4-5 prej tyre. Të njëjtën situatë evidentoi studimi më i fundit i vitit 2014, i financuar nga USAID në mbi 500 qendra të kujdesit shëndetësor parësor të vendit. Vetëm 17% e tyre u gjetën me infrastrukturë të përshtatshme, vetëm 53% të mirëpajisura me staf e teknologji dhe vetëm 54% të mirëfurnizuara me barnat e nevojshme. Ndërkaq, 10% e qendrave të studiuara u gjetën të mbyllura.
Për këtë gjendje mori dijeni Ministria e Shëndetësisë dhe Ambasada sponsorizuese, por jo domosdo kryetarët e bashkitë përkatëse. Por a është normale që ata të mos dinë dhe të mos kenë gjë në dorë për të vepruar e korrigjuar e të mos ndiejnë përgjegjësi për gjithë këto mangësi?
A nuk po u mohojmë atyre kështu mundësinë e veprimit për të evidentuar dhe aktivizuar potenciale të fjetura, por ekzistuese në qytetet apo komunat, ku ata kryesojnë, falë të cilave një pjesë e atyre halleve e problemeve ndofta do të zgjidheshin lokalisht pa pasur nevojë që hallexhinjtë të sorollaten e të marrin rrugën deri në Tiranë apo edhe jashtë vendit?

Koha për ndryshim
Është koha të ndryshohet ky model centralist i trashëguar, sepse rezulton pengues. Centralizimi i detyrave, kompetencave, i fondeve, i vendimmarrjeve dhe i përgjegjësisë në nivel qendror mpin dhe atrofizon iniciativat e mundshme në fushën e përmirësimit të shëndetit të popullatës nga ana e vetë qytetarëve si në nivel individual e familjar, ashtu dhe komunitar.
Një situatë e tillë, me përgjegjësi të vertikalizuar e të përqendruar në nivel qendror, krijon humbje nga mosshfrytëzimi i kontributeve të mundshme për shëndetin e qyteteve dhe të qytetarëve nga ana e partnerëve lokalë potencialë (shoqëria civile, biznesi, media, shkollat etj.) apo binjakëzime me qytete brenda e jashtë vendit në projekte të përbashkëta shëndetësore. Përse edhe bashkitë tona të mos bëhet vatra të ngrohta diskutimi e veprimi për to?

OBSH ka folur
Thirrjet e OBSH “Shëndet për të gjithë – Shëndet nga të gjithë” dhe “All society health system” (Shëndetësi gjithë shoqërisë) presupozojnë pikërisht këtë aktivizim të fuqishëm individual, familjar e komunitar në mbrojtjen dhe forcimin e shëndetit, përfshirjen e tyre në politikëbërjet shëndetësore, aftësimin për vetëkujdesje dhe fuqizimin e solidaritetit për shëndetin.
Rekomandimi tjetër i OBSH “Mendo globalisht – vepro lokalisht” presupozon që edhe roli i pushtetit qendror të lehtësohet duke e zhvendosur fokusin e tij në politikat shëndetësore, në krijimin dhe monitorimin e standardeve të cilësisë dhe performancës së shërbimeve shëndetësore, si dhe në harmonizimin në nivel qendror të kontributeve nga ministritë e tjera, që mbulojnë sektorë me faktorë ndikues e determinant të shëndetit si ai ambiental, ushqimin, strehimin, ujit të pijshëm, punësimin, arsimimin, transportin apo të drejtat e konsumatorëve. Fuqizimi i bashkive me detyra dhe përgjegjësi konkrete edhe në shëndetësi do të përbënte një element të rëndësishëm demokratizues në vazhdën e reformimit të sistemit tonë shëndetësor.
OBSH jo më kot i sheh spitalet me funksione të gjera jo vetëm medikale, por edhe social-ekonomike e kulturore për qytetin ku ndodhen. Ato janë qendra të rëndësishme punësimi për popullatën lokale si për “bluzëbardhët”, por edhe për një numër të madh punonjësish të administratës, mirëmbajtjes, furnizues e mbështetës, si dhe të bizneseve lokale bashkëpunuese, që mbijetojnë në simbiozë me to. Një spital i mirë e i suksesshëm do shndërrohej në krenari dhe traditë e qytetit, sepse reflekton humanizmin, solidaritetin, respektin dhe kulturën shëndetësore të banorëve të tij. Ai do shërbente pse jo edhe si garanci për tërheqjen e vizitorëve e turistëve shëndetësorë të mundshëm si klientë në to.

Momenti për veprim
Ajo çka e ka penguar decentralizmin dhe fuqizimin e pushtetit vendor dhe aktivizmin qytetar e komunitar në shëndetësinë tonë, lidhet jo aq me mundësinë, sesa me mendësinë. Zgjedhjet e tashme vendore ndofta janë një shans i ri që ato mendësi penguese të tejkalohen për të promovuar edhe te ne më shumë autonomi dhe vetëveprim nga pushteti lokal në përballimin e problemeve dhe sfidave shëndetësore.
Shëndeti i qytetarëve tanë nuk duhet të lihet edhe nga kryebashkiakët e rinj prapa listës. Fjala nuk është për rrëmbim rolesh nga pushteti qendror, por për delegim kompetencash nëpërmjet një kuadri të ri rregullator e ligjor, për një bashkëveprim të ri mes tyre, çka do mundësonte vendosjen mes të tjerash edhe të shëndetit në axhendën bashkiake. A do ishte i pamundur ky kuadër i ri ligjor e rregullator përpara zgjedhjeve të reja? Besoj se mjafton vullneti i palëve të interesuara që kjo të ndodhë. Teknikalitetet nuk janë problem. Mjafton të adaptohen shembujt nga vende europiane, por edhe të rajonit.
Kryetar i ri me model të ri
Zbatimi i modelit të ri ndoshta do të qe më realist të fillohej si projekt pilot në kryeqytetin tonë. Në këtë kontekst, do ishte me interes që kandidatët për kryebashkiak të Tiranës të prononcoheshin, madje edhe të shpalosnin para qytetarëve këndvështrime dhe projektin e tyre për një shëndet më të mirë të kryeqytetit dhe të banorëve të tij. Si e shohin ata shëndetësinë, si një barrë të re më shumë për ta, apo si një domosdoshmëri që duhet përballuar?
Kryebashkiaku i Seviljes në Spanjë dha një shembull që habiti pak ditë më parë botën: ai ndërtoi një pistë të veçantë mjaft të gjerë, 80 km të gjatë, posaçërisht për çiklistët. Përdorimi i biçikletave nga banorët dhe shitja e tyre brenda pak javësh u dhjetëfishua. Por, ajo çka po fitohet shëndetësisht nga qyteti dhe qytetarët, falë ajrit të pastër nga gazrat e makinave dhe stilit të ri të shëndetshëm të jetës, me aktivitet të përditshëm fizik, është e pallogaritshme në para. Kryebashkiaku besoj se qoftë vetëm me këtë e ka siguruar rizgjedhjen.
Fatmirësisht te ne për postin e kryebashkiakut në Tiranë po garojnë kandidatë me njohuri dhe eksperienca të vyera, me faktorët ndikues ndaj shëndetit: njëri prej tyre është mjek, njeri i mirënjohur me problemet e mirëqenies sociale dhe paaftësisë shëndetësore të qytetarëve, njëri promovues guximtar i sfidave sportive shëndetësore; Tjetri i njohur si ambientalist dhe një tjetër me mjaft eksperiencë në aktivizimin shoqëror të qytetarëve Tiranas. Me sa dëshirë, me sa shqetësim e me sa optimizëm do e shohin vallë secili prej tyre ata një rol të ri të ngjashëm të tyre për Tiranën si “qytet i shëndetshëm”?

Një projekt i gatshëm shpresues
Projekti i OBSH “Healthy City”, i përmendur më lart, ekziston i gatshëm. Objektivi i tij është përfshirja aktive e pushtetit vendor në problematikat e shëndetit, duke e ngritur shëndetin lart në axhendën social-ekonomike të tij, si një çështje dhe biznes i të gjithë sektorëve sinergjikë që ai mbulon. Njohja e ca hapave të projektit u patën hedhur edhe te ne që në vitet e para 2000, por entuziazmi i protagonistëve nismëtar u shua më pas, ndofta prej përfshirjes në sfida të tjera më të rëndësishme për ta. Tani është koha për të rifilluar.
Projekti pritet të nxisë aktivizmin qytetar lokal në nivel individual, komunitar dhe institucional për të adresuar probleme, si: pabarazia në shëndet dhe në përkujdesjet shëndetësore, identifikimi dhe ndihma ndaj moshave e grupeve shoqërore më vulnerable, pjesëmarrjes së tyre në planet dhe reformat shëndetësore, si dhe adresimi në nivel vendbanimesh, vendeve të punës, publike e private, shkolla, çerdhe dhe në institucione i faktorëve ndikues ndaj shëndetit.
Koncepti “Qytet i shëndetshëm”, i bazuar në partnership të gjerë lokal, është duke u zbatuar me sukses në 80 qytete dhe kryeqytete të Europës. Mbi 30 prej tyre kanë krijuar rrjete kombëtare për qytetet e tjera në territorin e vendit në gjithsej deri tash 1,400 qytete evropiane. Eksperienca të vyera ekzistojnë për mënyrat e zbatimit, pengesat dhe sukseset e deritashme. Është momenti që të mësojmë prej tyre. Le t’i shfrytëzojmë pozitivisht zgjedhjet e reja vendore për shëndet më të mirë të qyteteve dhe qytetarëve tanë dhe si një shans i ri që nuk duhet humbur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura