Zgjedhjet UT 2020, ndryshim apo ruajtje e gjendjes aktuale?

Jul 13, 2020 | 10:02
SHPËRNDAJE

EDMOND ÇATA PHD. edmond-cata-696x381

Më 30 korrik 2020, Uni versiteti i Tiranës do të mbajë zgjedhjet për drejtues. Situata e koronavirusit, vështirë se të lejon t’i quash  “normale”. Zgjedhjet në UT do të mbahen pavarësisht përplasjes mes rektorit Koni, Senatit Akademik, shpalljes të pavlefshëm nga rektori Koni të KIZ-it dhe vendimeve të tij. Ndryshe nga dekanët e 5 fakulteteve, vetë rektori Koni nuk rikandidon, duke thyer “traditën” e kërkimit të mandatit të dytë. Kandidatët nuk do të zhvillojnë një fushatë “normale”. Nuk dihet cila do të jetë shkalla e pjesëmarrjes së studentëve apo edhe nëse do votojnë. Po ashtu, kësaj radhe për rektor konkurrojnë 3 kandidatë: Artan Hoxha, Mimoza Hafizi, Kozeta Sevrani.

Pavarësisht sa normale ose jo i bën ky kontekst të jenë këto zgjedhje, ajo që mbetet e rëndësishme është nëse këto zgjedhje do të arrijnë t’i hapin udhë ndonjë ndryshimi apo do vazhdojnë të ruajnë edhe me tej gjendjen aktuale në UT. Ka njerëz që mund të mendojnë se fakti nëse UT do ndryshojë apo mbetet njësoj varet nga personi që bëhet rektor dhe platforma e tij. Njerëz të tjerë e shohin ndryshimin apo mbetjen e gjendjes njësoj në UT të varur nga marrëdhënia e rektorit të zgjedhur me qeverinë Rama.

Nisur nga trajtimi aktual që qeveria Rama po i bën arsimit të lartë dhe universiteteve në përgjithësi dhe gjendja që ekziston brenda UT-së në veçanti, personalisht nuk besoj se fakti nëse UT mbetet njësoj apo ndryshon varet nga fakti nëse rektori i UT-së gëzon ose jo simpati nga qeveria Rama. Kjo, sepse Rama na e ka dëshmuar vazhdimisht që nuk e ka pasur seriozisht me arsimin e lartë dhe universitetet as nga pikëpamja e politikëbërjes, as nga ajo financiare. Rama me arsimin e lartë, universitetet dhe studentët është marrë dhe ka bërë thjesht politikë!

Nisur nga trajtimi aktual që qeveria Rama po i bën arsimit të lartë dhe universiteteve në përgjithësi dhe gjendja që ekziston brenda UT-së në veçanti, personalisht nuk besoj se fakti nëse UT mbetet njësoj apo ndryshon varet nga fakti nëse rektori i UT-së gëzon ose jo simpati nga qeveria Rama. Kjo, sepse Rama na e ka dëshmuar vazhdimisht që nuk e ka pasur seriozisht me arsimin e lartë dhe universitetet as nga pikëpamja e politikëbërjes, as nga ajo financiare. Rama me arsimin e lartë, universitetet dhe studentët është marrë dhe ka bërë thjesht politikë!

Po ashtu, nuk besoj që fakti nëse UT mbetet njësoj apo ndryshon është vetëm dhe tërësisht çështje platforme e personit që bëhet rektor. Nuk besoj jo vetëm sepse vetë kandidatët në zgjedhjet e mëparshme na kanë treguar në vijimësi se as i kanë me gjithë mend “platformat” që paraqesin, as i “besojnë” vërtet në ato që thonë dhe thjesht riciklojnë në mënyrë plagjiatureske “projektet” e paraqitura sa herë mbahen zgjedhje. Unë nuk besoj në fuqinë “reformuese” dhe “ndryshuese” të platformave të kandidatëve, për një arsye të thjeshtë: Rektori, edhe pse “i zgjedhur”, për çështje kapitale, të nivelit “makro” nuk ka gjë në dorë. Të zgjedhurit, nga rektor, dekanë e më poshtë mund të kenë “fuqi” të firmosin përditë, nga mëngjesi deri në darkë, letra që kanë të bëjnë me frymëmarrjen e përditshme të UT-së, punësimet, përdorimin e parave, por ata nuk kanë asnjë fuqi të “firmosin” apo t’u “vënë vulën” ndryshimeve vërtet transformuese. Po të kishte qenë ndryshe, pra, që rektorët të kishin pasur vërtet autoritet dhe fuqi reformotransformues të UT-së, do ta kishim parë. Në mos me Konin, do e kishim parë me Kulen, me Rrokajn apo këdo që ka qenë rektor i UTsë nga 1990-ta e sot. Nga rektorët e UT-së, në vend të të demonstruarit të të pasurit realisht të një autoriteti reformues dhe transformues, kemi parë vetëm premtime, shfajësime për mosmbajtjen e premtimeve, rënien në batakun e kulisave dhe klientelizmit politiko-financiar dhe degradimin e gjendjes në UT nga lufta dhe rivaliteti për pushtet, nga dhënia përparësi jo interesave të institucionit dhe të studentit, por interesave të grupeve të ngushta.

Në zgjedhjet 2020, për secilin kandidat për rektor dhe platformat e tyre, mbase ka vend për shprehjen amerikane “give the benefit of the doubt”, shqip: “jepi shansin dhe mos e paragjyko tjetrin”. Por, pavarësisht kësaj, disa pyetje janë legjitime të bëhen: Sa të ndryshëm janë kandidatët për rektor dhe platformat e tyre nga njëri-tjetri? Sa të ndryshëm janë nga kandidatët e zgjedhur më parë rektorë? Me cilin model rektori qëndron më afër mendësia dhe “vizioni” i kandidatëve për rektor? Qëndron më afër modelit të rektorit reformo-transformues? Apo qëndron më afër modelit të rektorit tradicional që përfundon rojtar i gjendjes që ka gjetur, në vend që të bëhet agjent i ndryshimit real?

Në kushtet aktuale të kufizimeve për shkak të koronavirusit, duket se do të jetë e vështirë një njohje në debate publike apo komunikime masive e ideve dhe planeve që kandidatët për rektor kanë për UT. Por fakti nëse kandidatët për rektor përfaqësojnë “mall të të njëjtit stof” si rektorët e deritanishëm apo janë bartës të frymës reformo-transformuese, varet në një masë të konsiderueshme nga mësimet që ata kanë nxjerrë nga dështimet në drejtimin e UT-së nga rektorët e zgjedhur deri tani, si dhe pasqyrimi i këtyre mësimeve në mendësinë dhe platformat e tyre. Ku rasti më i fundit është rektorshipi i dështuar i Mynyr Konit.

Në shkencë, metoda Poperiane “trial and error”, të mësuarit nga të dështuarit, përfaqëson një nga mënyrat sesi mësojmë të eliminojmë problemet dhe realitetet negative. Dështimi na mëson çfarë bëmë gabim, çfarë nuk duhet të përsërisim, që të mos përfundojmë në të njëjtën gjendje të padëshirueshme. Në rastin e UT-së, gjendja aktuale e tij është një nga më të padëshiruarat. Në këtë kuptim, rektorshipi i dështuar i Mynyr Konit përbën një rast të mirë për të nxjerrë mësime çfarë ka qenë gabim, çfarë nuk duhet përsëritur më. Fakti nëse Artan Hoxha, Mimoza Hafizi, Kozeta Sevrani kanë nxjerrë apo jo mësime nga dështimi i Mynyr Konit; fakti çfarë kanë mësuar; fakti deri në ç’masë mësimet nga dështimi i rektorshipit Koni i kanë inkorporuar në idetë dhe projektin e tyre, do të ishin një metër i mirë matës nëse këta kandidatët për rektor në 2020 ofrojnë një profil vazhdues të traditës dhe praktikave të deritanishme, apo një profil që do tentojë të thyejë murin ekzistues të mosreformimit.

Rektorshipi i Mynyr Konit mund të quhet i dështuar për hendekun e jashtëzakonshëm mes premtimeve që ai bëri si kandidat dhe realitetit te sotëm ekzistues. Por mbani shënim: Dështimi i rektorshipit të Mynyr Konit, po aq sa mund t’i faturohet Mynyr Konit si individ, pra, të thjeshtëzohet në nivel individi, po aq, dhe madje ca më shumë, është produkt i forcave strukturale. Pra, është një dështim i një “sistemi” të tërë pseudoproduktiv, në të cilin kanë luajtur dhe dhënë kontributin e vet negativ forca edhe brenda Universitetit të Tiranës, edhe nga shoqëria politike, qoftë përmes trajtimit që qeveria Rama i ka bërë arsimit të lartë dhe universiteteve në përgjithësi dhe Universitetit të Tiranës në veçanti, qoftë qëndrimeve që ka mbajtur opozita për arsimin e lartë dhe universitetet. Në të cilin, Mynyr Koni, edhe nëse ka një përgjegjësi, përsëri përgjegjësia e tij është minore në raport me “përgjegjësitë” e tjera të forcave strukturale.

Pa dyshim që unë nuk mund të them se ku qëndrojnë kandidatët për rektor në raport me rektorshipin Koni dhe mësimet që ofron dështimi i tij. Pra, mbetet për t’u parë nëse kandidatët për rektor çështjen e drejtimit të Universitetit të Tiranës e shohin më shumë si çështje niveli aftësish individuale, apo përplasje forcash në nivel struktural. Pozicionimi i tyre do të ishte mjaft i rëndësishëm jo vetëm të evidentuar dallimet mes tyre dhe profilin individual, por edhe për të kuptuar nëse platforma e tyre “e kap demin nga brirët”, apo merret me dhe ngrihet mbi probleme-bishta, të rëndësishme vetëm në dukje të jashtme, por në esencë pa peshë kontribuuese në realizimin e ndryshimit.

Rektorshipi i Konit është një nga rastet më të gjalla dhe interesante për t’u studiuar dhe kuptuar në ç’mënyrë një institucion akademik dhe i madh si UT arrin të shndërrohet në një institucion disfunksional dhe në një gjendje stanjacioni institucional, shkencor dhe akademik. Shkrimi i ardhshëm do përpiqet të analizojë përse rektorshipi Koni mund të quhet i dështuar dhe cilët faktorë kontribuuan në një rezultat të tillë. Mbase kjo analizë mund t’iu hynte në punë jo vetëm kandidatëve për rektor, por të gjithë atyre që çajnë kokën për cilësinë e arsimit të lartë dhe universiteteve në përgjithësi dhe Universitetit të Tiranës në veçanti, si institucioni më i rëndësishëm dhe me traditë në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura