Zgjedhjet për kreun e PD-së, Nishani: U përjashtuan nga votimi 20 mijë anëtarë, një person votoi mbi 7 herë! S’duhet të lejojmë mandatin e katërt në opozitë!

Jun 16, 2021 | 11:28
SHPËRNDAJE

nishani-ristani

Ish-presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht dhe anëtari i “grupimit për PD-në”, ka hedhur akuza mbi procesin e zgjedhjeve brenda partisë. Sipas Nishanit, 50% e anëtarësisë është fshehur dhe se ka pasur persona të cilët kanë votuar më shumë se një herë.

Gjatë një konference për shtyp të “grupimit për PD-në”, Nishani deklaroi se mbi 20 mijë anëtarë të Forumit Rinor të PD-së janë përjashtuar nga votimi.

Një tjetër shqetësim që ngriti ish-Presidenti, është qëndrimi i PD-së për 3 mandate në opozitë, çka sipas tij është përgjegjësi e vetme e Lulzim Bashës. Ai thotë se duhet të punohet në mënyrë që demokratët të mos qëndrojnë dhe për mandatin e katërt në opozitë.

“50% e anëtarësisë fshihet. Fakti i dytë, në media është treguar se si nga një person hidhen 7 fletë votimi. Kjo ka ndodhur në mënyrë sistematike. Basha me shifrat opozitare përfaqëson minorancën e Partisë Demokratike. Për herë të parë në historinë e saj 30-vjeçare nuk qëndron 3 mandate në opozitë. Thirrja jonë është që Partia Demokratike të mos qëndrojë dhe për mandatin e katërt në opozitë. Janë mbi 20 mijë anëtarë të Forumit Rinor të PD-së që janë përjashtuar nga votimi. Nuk mund të mbetemi peng i këtij modeli. Ne kemi marrë përsipër për ta rrëzuar këtë kulturë” – tha Nishani.

Në anën tjetër, ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani u shpreh se gjatë këtij procesi zgjedhor nuk ka pasur një rregullore të brendshme, si dhe nuk ka vendim për largimin e votuesve.

“Nuk ka rregullore të brendshme, nuk ka modalitete. Janë fakte publike. Kërkoni një vendim që janë larguar votuesit. Janë zgjedhje ‘alla-Luli’ – tha Ristani.

Më herët gjatë konferencës ka folur dhe përfaqësuesi i “grupimit të PD-së” të kandidates Edit Harxhi, Arben Imami. Ai deklaroi se në këto zgjdhje Lulzim Basha mori 25 mijë vota më pak se në vitin 2017. Sipas tij, një shqetësim tjetër që ka shoqëruar këtë proces është dhe fshehja e listave të anëtarësisë duke deklaruar se vetëm organizatat terroriste i fshehin ato.

Në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike të zhvilluara ditën e dielë (13 qershor) u zgjodh fitues Lulzim Basha me 81% të votave i cili do të qëndrojë në krye të partisë edhe për 4 vite.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/