Zgjedhjet/ Opozitën e Kuvendit e injorojnë edhe akademikët e universiteteve, Murrizi i kërcënon me pagën: E kanë detyrim publik, se…

Jul 7, 2020 | 16:49
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Pedagogët dhe dekanët e universiteteve publike dhe private që kanë fakultet drejtësie kanë injoruar ftesën e Kuvendit për dhënie mendimi.pjimage (2)

Ata ishin ftuar për të diskutuar nismën e 28 deputetëve të opozitës në Parlament për ndryshimet kushtetuese, që kanë të bëjnë me ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Ftesës i ishte përgjigjur vetëm një pedagoge e së Drejtës Kushtetuese në një universitet privat.

Sipas nënkryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila dje drejtoi mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, ndonëse ftesa ishte dërguar te të gjithë pedagogët e fushës në adresat private dhe institucionale nga universitetet publike, kishte pranuar vetëm një pedagoge nga Universiteti i Durrësit, por që edhe ajo nuk e dha mendimin e saj, pasi nuk arriti që të lidhej përmes platformës online.

Një prej nismëtarëve, Myslim Murrizi, u kujtoi pedagogëve se duhet të kishin marrë pjesë në këtë dëgjesë, të paktën ata nga universitetet publike, që sipas tij marrin edhe pagë nga Kuvendi veç të tjerave.

DEBATIvasilika hysi

Vasilika Hysi: Seanca e dytë dëgjimore ka të bëjë me dëgjimin e akademikëve. Sekretariati i ka dërguar një ftesë Shkollës së Magjistraturës, Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, Fakultetit të Drejtësisë “Aleksandër Moisiu”, në Universitetin e Vlorës dhe disa universiteteve private. Ndërkohë kanë konfirmuar vetëm dy. Fjalën e ka pedagogia e së Drejtës Kushtetuese, Ardita Buna.

Ardita Buna (Pedagoge e së Drejtës Kushtetuese): Kushtetutat nuk janë të gdhendura në gur, ndaj, kur nuk funksionon, duhet të ndryshohet. Por duke qenë se është ligji bazë i shtetit, rekomandohet të mos u nënshtrohet ndryshimeve të shpeshta. Nisma e deputetëve në këtë rast duhet përgëzuar, sepse hap rrugën për diskutime. Zgjedhjet janë mundësi e votuesve për të zgjedhur, të marrin apo të zëvendësojnë udhëheqësit e tyre politikë. Procesi amendues është krejt i ndryshëm, pasi ndryshimet do të zbatohen pavarësisht se kush do të jetë në pushtet. Dhe procesi i ndryshimeve kushtetuese nuk duhet të lidhet me fatin e asnjë udhëheqësi politik. Propozuesit kanë paragjykime se po e bëjnë për përfitime politike. Sistemi proporcional me konkurrim rajonal që propozohet në ndryshimin kushtetues, nuk i përgjigjet asaj që ka sanksionuar Kushtetuta, që nuk e njeh termin rajon. Ajo që propozojnë nismëtarët është një përzierje mes votimit të partisë dhe kandidatëve. Por sistemi zgjedhor duhet të garantojë përfaqësimin dhe barazimin e votës. Ndërkohë, hapja e listave gëzon një mbështetje të gjerë në popull, por duhet shoqëruar me ndryshime në ligjin e partive për demokratizimin e tyre. Ndalimi i koalicioneve parazgjedhore synon të eliminojë pasojën që, një parti e vogël synon që të nxjerrë në qarqe një numër të madh deputetësh. Kjo e shkel parimin e barazisë së votës.murrizi

Myslim Murrizi: Në frymën e përgjithshme të zonjës Buna pashë që ishte e dakordësuar me ndryshimet kushtetuese. Patjetër që ne paragjykohemi, përderisa ligji më i debatuar në çdo Parlament është ai për zgjedhjet. Kështu, duam apo nuk duam ne, është ligj interesi, duket sikur po e bëjmë për vete. Fat i mirë është se propozuesit e kësaj here, 28 deputetët, nuk janë ata që kanë shijuar qenien në Parlament. Ne nuk jemi nisur fare nga kjo frymë. Kërkesa jonë është e vazhdueshme prej muajit shkurt të 2019-ës. Ndaj kemi propozuar ndryshim sistemi 2 vjet para zgjedhjeve. 80% e shqiptarëve kërkojnë të njëjtën gjë. Unë jam nisur më shumë si qytetar, që kërkoj të zgjedh atë që do të më përfaqësojnë nesër. Ata që nuk e duan këtë, janë ata që aspirojnë nesër të marrin karrigen e pushtetit. Duhen në Tiranë 21 mijë firma për të marrë një mandat, që me këtë ligj mandati merret me 13 mijë vota. Çfarë shikoni ju pengesë për të bërë këtë ndryshim kushtetues?

Ardita Buna: Çdo përpjekje për demokratizimin e sistemit është mirë që të gjejmë kombinimin më të mirë të sistemeve. Unë e përkrah nismën, por e shoh të vështirë realizimin. Preferohet që në Kushtetutë të caktohen vetëm parimet. Dhe duke përcaktuar në Kushtetutë sistemin, e vështirëson më shumë mënyrën si do ta bëjmë këtë gjë.

Myslim Murrizi: Do doja të ishin të pranishëm pedagogët e fakulteteve publike, përderisa një pjesë jo e vogël janë në Këshillin e Botimeve në Kuvend. Nuk them se marrin kushedi se çfarë, por marrin një pagë të miratuar nga byroja e Kuvendit dhe e kanë detyrim publikisht, përderisa janë universitete që mbahen nga taksat, të ishin të pranishëm për të dhënë mendimin në lidhje me një nismë ligjore të 28 deputetëve, të cilët mendojnë se është në interes të shoqërisë. Më vjen keq për këtë neglizhencë të tyre dhe për këtë mungesë, duke kujtuar se janë autonomë apo të pavarur. Të paktën duhet të kishin dërguar një përfaqësues. Dhe ky koncepti akademik më duket si koncept bolshevik, sepse ne vetëm 1 a 2 kemi akademikë me emër. Minimale, edhe nga Akademia e Shkencave duhet të ishte dikush.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura