Zgjedhjet në Spanjë,e djathta fituese, e majta e fragmentuar…

Dec 23, 2015 | 13:40
SHPËRNDAJE
Kastriot Islami
Kastriot Islami

KASTRIOT ISLAMI

Të dielën, më 20 dhjetor 2015, u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë për Parlamentin me 350 deputetë. Sistemi zgjedhor në Spanjë është proporcional rajonal dhe që nga vitit 1974, pas vdekjes së Frankos, ka gjeneruar një sistem politik bipartiak, me dy parti kryesore, që kanë shkëmbyer vendet në qeverisjen e vendit, Partia Popullore (PP) dhe Partia Socialiste (PSOE).

Këto zgjedhje kanë sjellë disa të reja i) ka marrë fund bipartizmi; ii) e djathta ka fituar, kurse e majta është fragmentuar në ekstrem; iii) është gati e pamundur të ndërtohet një qeveri e qëndrueshme me partitë e një krahu politik; dhe iv) zgjidhja më e qëndrueshme duket koalicioni i madh, ose zgjedhje të parakohshme.

I. QENDRA E DJATHTË FITUESE DHE E MAJTA E FRAGMENTUAR…

Partia Popullore e qendrës së djathtë, e drejtuar nga Kryeministri Marioano Rahoj-i, në pushtet që nga 2011, ka dalë fituese me 123 deputetë, por duke u larguar nga maxhoranca e rehatshme prej 186 deputetëve, të fituar në 2011, në një Parlament ku duhen 176 deputetë për të krijuar qeverinë.

Partia Socialiste, PSOE, ka mundur të fitojë vendin e dytë me numër deputetësh prej 90, nga 110 deputetë që kishte në 2011-n. Forca e tretë politike, Podemos (e majta radikale dhe shumicë neokomunistësh), e ngjashme me Sirizën në Greqi, ka fituar 69 mandate. Forca e katërt është një forcë e re politike e qendrës së djathtë, një forcë liberale, ka fituar 40 mandate. Të 28 mandate e tjera janë fituar nga parti lokale, independentiste, regjionaliste, separatiste apo të ekstremit të majtë.

I. ASNJË BLLOK NUK KA SIGURUAR MAXHORANCËN QEVERISËSE…

E djathta, e përbërë nga PP dhe CIUDADANOS, kanë së bashku 163 mandate, kurse e majta, e përbërë nga PODEMOS dhe PSOE, kanë së bashku 159 mandate. Dy partitë e bllokut të majtë kanë deklaruar se nuk mbështesin zotin Rahoj për kryeministër. Ndërkohë që drejtuesi i Ciudadanos, Riviera, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në qeveri, por mund tëmbështesë një qeveri minoritare.

II. KOALICIONET TEORIKISHT TË MUNDSHME…

Dy koalicionet “klasike”, bllok i majtë apo bllok i djathtë, nuk arrijnë të kenë maxhorancën qeverisëse prej 176 mandatesh. Ndërkaq, nëse partitë e vogla rajonale, të separatistëve nga Katalonja, Baskët dhe Ishujt Kanarie do t’i bashkoheshin bllokut të majtë, atëherë ai do të arrinte 176 mandate. Një konfiguracion tjetër do të ishte, PSOE plus Podemos dhe Ciudadanos, duke arritur 199 mandate, por ky është një opsion i pamundur, sepse Ciudadanos ka përjashtuar koalicionin me njërën nga dy partitë kryesore tradicionale.

Sipas Kushtetutës, partia fituese, PP, ka të drejtën e para për formimin e qeverisë. Pas votimit të mundësisë së parë, në rast dështimi, Parlamenti ka dy muaj kohë për të gjetur opsione të tjera bashkimi për formimin e maxhorancës qeverisëse, madje pranohet edhe një qeveri e mbështetur në një minorancë, e cila sfidohet gjatë gjithë kohës për politika të ndryshme.

III. QËNDRIMET E DERITANISHME TË PARTIVE POLITIKE…

Kryeministri aktual, Mariano Rahoj, ka deklaruar se do të tentojë të krijojë një maxhorancë qeverisëse, duke u bërë thirrje të gjitha forcave politike për të vazhduar rrugën e vështirë të reformave për daljen nga kriza, që i kanë kushtuar rrudhjen me 63 deputetë nga zgjedhjet e 2011-s, ndonëse mbetet partia fituese e këtyre zgjedhjeve.

PSOE, e cila ka fituar 90 mandate, rezultati më i dobët në historinë e saj, ka vazhduar të rrudhet, pas humbjes në 2011-n. PSOE, sidoqoftë, do të tentojë të mbështesë partinë e majtë Podemos, e cila dominohet nga neokomunistët, dhe për të formuar një maxhorancë qeverisëse, do të ftojnë edhe nacionalistët baskë, si dhe regjionalistët kanarianë -një maxhorancë vështirësisht e menaxhueshme. Ndërkohë, PSOE dhe Podemos kanë përjashtuar mbështetjen ndaj Kryeministrit Rahoj.

Kurse Ciudadanos ka deklaruar se do të qëndrojë indiferente, pra nuk do të bëjë pjesë në asnjë qeveri, por mund të mbështesë nga jashtë.

IV. SPANJA, MË E PAQEVERISSHME, OSE MË AFËR ZGJEDHJEVE TË REJA…

Nga të gjitha opsionet, koalicioni i djathtë duket më i vështirë për t’u formuar, sesa koalicioni i majtë. Madje, edhe koalicioni i majtë me disa parti rajonale nacionaliste do të ishte vështirësisht i menaxhueshëm. Përfundimi nga shumë analistë është se pas zgjedhjeve të 20 dhjetorit 2015, dhe pas humbjes së bipartizmit, Spanja është bërë e paqeverisshme.

14 mars 2016 është data përtej së cilës do të kishte zgjedhje të parakohshme, nëse nuk do të ndërtohej një qeveri. Partitë e reja, veçanërisht Podemos, kanë kërkuar gjithashtu ndryshimin e sistemit zgjedhor.

V. KOALICIONI I MADH, NJË ZGJIDHJE E MUNDSHME…

Një zgjidhje, jo vetëm teorike, mbetet edhe një koalicion i madh mes dy forcave politike tradicionale, si në Gjermani, ndërkohë që për momentin askush nuk flet për një opsion të tillë. Frika është se dy partitë e reja do të mund të progresonin përballë një “koalicioni të dy partive tradicionale”, deri në një rrudhje të frikshme të tyre si në Greqi.

Kriza e thellë dhe e vazhdueshme ka bërë që një konfiguracion politik, bipartiak, mbi 40- vjeçar, i dalë nga një sistem zgjedhor që gjeneron një sistem politik të qëndrueshëm, nuk ka mundur ta mbajë Spanjën brenda kufijve të qëndrueshëm të qeverisjes. Zgjedhjet e parakohshme mundet ta bëjnë edhe më të paqëndrueshëm konfiguracionin politik. Gjithçka mbetet e hapur…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura