Zgjedhjet në PS, Bashkim Fino raporton për rezultatin

Jan 5, 2018 | 8:26
SHPËRNDAJE

Sekretari organizativ në PS, Bashkim Fino, do të raportojë në mbledhjen e së shtunës të Asamblesë Kombëtare ecurinë e procesit zgjedhor, i cili ka nisur menjëherë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, shkruan “Panorama”.

Bashkim Fino
Bashkim Fino

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e mbledhur më 3 shtator, miratoi vendimin për të hapur fushatën zgjedhore në PS, e cila nisi më 15 shtator deri më 30 tetor për organizatat socialiste dhe nga 1-15 nëntor për Konstituimin e Këshillave socialiste të Njësive Administrative.

Rezultati i dobët zgjedhor më 25 qershor, sipas statutit të PS, largonte nga drejtimi i organizatave socialiste 1480 kryetarë. Ishte raporti konfidencial i Partisë Socialiste, që i bënte analizë punës së strukturave dhe rezultatit të zgjedhjeve dhe që dilte në përfundimin se 1480 organizata socialiste kanë marrë rezultat më të ulët në zgjedhje, krahasuar me 2013, ndërsa 2328 organizata kanë pasur rezultat më të lartë se katër vjet më parë.

Pritet që në raportin e sekretarit organizativ ky raport të vërtetohet në procesin zgjedhor në strukturat e PS. Sipas statutit të PS, nëse rezultati në zgjedhje është më i ulët se ai i zgjedhjeve të kaluara, kreu socialist përjashtohet nga kandidimi.

“Organizimi elektoral u parapri nga përcaktimi i objektivave dhe projektimi i numrit të votave potenciale të PS për çdo OS; objektiv, i cili u arrit nga 6 qarqe: Berat, Durrës, Gjirokastër, Kukës, Lezhë e Vlorë. Partia Socialiste pësoi rënie nga rezultati i arritur në 2013 në 1480 organizata. Rënia totale në këto organizata ishte afërsisht 42 mijë vota, ndërsa në 2328 organizata morëm një rezultat më të mirë se në 2013, duke sjellë në total 100 mijë vota më shumë për PS në 2017. Nga 3828 OS të analizuara në të gjithë vendin, vetëm 1657 ose 43.3% prej tyre, arritën objektivin elektoral të PS”, thuhet në raportin e përgatitur nga grupi i punës për analizën e zgjedhjeve.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura