Blatter i mbijeton skandalit në FIFA, rizgjidhet president pas tërheqjes së Princ Ali. Në raundin e parë dolën në balotazh

May 29, 2015 | 19:20
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Sepp Blatter u rizgjodh për herë të pestë në krye të FIFA-s. Zgjedhja e tij në krye të qeverisë botërore të futbollit erdhi pas tërheqjes së rivalit të tij, Princ Ali. Pasditen e së premtes zgjedhja e Presidentit të FIFA-s shkoi në një raund të dytë, pasi asnjë kandidat nuk arriti të fitojë dy të tretat e votave. Mediat botërore raportuan se asnjëri nga kandidatët nuk arrii numrin e nevojshëm të votave për t’u zgjedhur në krye të FIFA-s, ndërsa në votimin e ardhëm fitues do të zgjidhej fitues ai kandidat që do të merrte shumicën e votave.

Foto marre nga “CNN”


18:30 –
Nga votimi i zhvilluar të premten pasdite, rezultoi se Sepp Blatter mori 133 vota kundrejt 73 të jordanezit Prince Aliut. Për Blatterin thuhet se mjaftonin edhe shtatë vota të tjera për rizgjedhjeje.

Më herët, u raportua se rreth 209 anëtarë të qeverisë botërore të futbollit votuan në Kongresin e Zyrihut për të zgjedhur qeverinë e re të futbollit botëror.

Princi Ali i Jordanisë dhe Sepp Blatter, sot në kongresin e FIFA-s

16:30- Sfidanti i Blatter-it për kreun e FIFA-s, princi Ali i Jordanisë, ngriti shqetësime serioze përpara delegatëve, duke thënë se reputacioni i FIFA-s është tronditur keqas nga skandali i korrupsionit me shifrat e 140 milionë eurove.

“Nuk ka përgjigje dhe as dënim që e largon këtë njollë që është vulosur mbi FIFA-n dhe që na turpëron të gjithëve se bashku”, tha princi Ali.

“Por sot ne duhet të tregojmë se dimë të zgjedhim dhe se mund të ecim përpara për ta nxjerrë FIFA-n nga bataku ku është futur”, tha ndër të tjera princi Ali. 

Delegatët e FIFA-s, duke u larguar nga godina ku mbahej kongresi

14:00-Pas kërcënimeve për bombë, rimblidhet kongresi i FIFA-s

Pas raportimeve se kongresi i FIFA-s mund të bëhej objekt i një sulmi me bombë, delegatët janë mbledhur sërish për zgjedhjen e kreut të ri të FIFA-s. Me sa duket, policia nuk pa ndonjë kërcënim real lidhur me sulmin me bombë.

Kështu, delegatët janë mbledhur sërish për diskutime, ndërsa në orën 17:00 do të nisë votimi. Më herët, Blatter, i cili garon për një mandat të pestë në krye të FIFA-s, sugjeroi se trazirat në organizmin më të madh botëror kanë ardhur si pasojë e moszgjedhjes së Britanisë për Euro 2016 dhe SHBA-ve për Botërorin e vitit 2022. Por këto akuza janë hedhur poshtë nga qeveria britanike. 

13:23-Alarm për bombë në konferencën e FIFA-s.

Një alarm për bombë është dhënë në mbledhjen e kongresit të FIFA-s, e cila duhet të zgjedh presidentin e ardhshëm të këtij institucioni të futbollit ditën e sotme.

Policia zvicerane ka thënë se ka marrë një kërcënim për bombë. Për këtë arsye, ka nisur boshatisja e godinës ku po mbahej kongresi.

“Mund t’ju them se kemi marrë kërcënime për një sulm me bombë ndaj kongresit të FIFA-s, ndaj kemi bërë boshatisjen e godinës”, ka thënë një zëdhënës i policisë në Zyrih. Ende nuk dihet nëse kongresi do të vijojë punimet për të zgjedhur presidentin e ri. 

Blatter, gjatë fjalimit të sotëm

11:05-Blatter: Po kalojmë momente të vështira

Kreu aktual i FIFA-s, Sepp Blatter hapi kongresin për zgjedhjet në këtë institucion në Zyrih duke mbajtur një fjalim. Ai pranoi se skandali i korrupsionit është i rëndë, por shtoi edhe se ai nuk mund që t’i kontrollojë apo detyrojë të gjithë zyrtarët e FIFA-s të sillen në mënyrë korrekte.

Po kalojmë momente vërtet të vështira. Skandali i korrupsionit e ka eklipsuar FIFA-n dhe kongresin e saj. Le të përpiqemi bashkë ta kalojmë këtë moment të errët. Ne nuk mund të lejojmë që reputacioni i FIFA-s të bjerë në këtë mënyrë. Janë 300 milionë njerëz që merren me futboll dhe është e pamundur t’i kontrollojmë të gjithë”, tha Blatter. 

11:00-Dy protestuese propalestineze ndërpresin fjalën e Blatter

Ndërkohë që Sepp Blatter po mbante fjalimin për hapjen e kongresit dhe zgjedhjeve për kreun e FIFA-s, dy protestuese propalestineze ndërhynë duke shpalosur flamuj të Palestinës dhe pankarta që shkruanin “Jashtë Izraeli”.

Një nga dy protestueset propalestineze

Por kjo ndërhyrje e pakëndshme nuk zgjati shumë, pasi trupat e sigurisë i ndaluan në kohë. Ndërkohë, një grup prej 150 protestuesve propalestinezë protestojnë jashtë godinës së FIFA-s në Zyrih. 

Votimi në orën 17:00

Sepp Blatter, presidenti aktual, me gjithë skandalin e korrupsionit që shpërtheu dy ditë më parë, do të tentojë të fitojë një mandat tjetër.

Megjithatë, ai sfidohet nga princi Ali bin Al-Hussein i Jordanisë. Ditën e djeshme, UEFA përmes Platinisë tha se do të mbështesë princin Ali në këto zgjedhje.

Votimi vjen dy ditë pas arrestimit të 7 zyrtarëve të lartë të FIFA-s për skandalin e korrupsionit, ndërkohë që në total janë 14 zyrtarë të dyshuar.

Blatter-it iu kërkua të dorëhiqej ditën e djeshme, po ai nuk e pranoi këtë kërkesë dhe sot do të kandidojë sërish për kreun e FIFA-s.

Blatter dhe Princi Ali, do të kenë nga 15 minuta kohë për të shpalosur idetë e tyre përballë delegatëve ditën  sotme. Ndërsa në votim do të marrin pjesë anëtarët e 209 federatave të futbollit në mbarë globin. 

Delegatët do t’u drejtohen kurive të votimin në orën 17:00. Votimi është sekret. Fituesi duhet të marrë 140 që në raundin e parë për t’u zgjedhur.

Nëse nuk ndodh kështu, atëherë do të ketë një raund të dytë, ku fituesi do të shpallet me shumicë te thjeshtë votash. Në këtë mënyrë fituesi mund të shpallet në orën 18:00. 
 
Sa vota ka çdo kontinent

Çdo vend anëtar në FIFA ka të drejtën e një vote, pavarësisht historisë së tyre të futbollit. Por ajo që do të jetë përcaktuese është ndarja kontinentale e votave.

Kështu, Europa (UEFA) ka plot 53 vota, pjesa më e madhe e tyre do të shkojnë për princin Ali. Ndërsa Afrika (CAF) ka 54 vota.

Në vendin e tretë renditet Azia (AFC) me 46 vota dhe pas saj Amerika Veriore e Qendrore (CONCACAF) me 35 vota. Oqeania, e cila njihet për futboll gjysmëprofesionist ka plot 11 vota, ndërsa Amerika Jugore ka vetëm 10 vota. 

Projeksionet e “Daily Mail”: Blatter merr 135 vota

Kampi i princit Ali shpreson që të marrë shumicën e votave nga federatat europiane dhe 60 vota të tjera nga federatat e Afrikës, Oqeanisë, Azisë dhe Amerikës.

Mirëpo, Afrika, që ka më shumë vota, njihet si blloku kryesor që mbron Blatter-in, ndaj parashikohet që Blatter do të marrë 54 vota prej tyre.

Gjithashtu edhe Azia, që ka 46 vota, me shumë mundësi do të votojë për Blatter-in, ndërsa Amerika Qendrore dhe Veriore do të mbështesë princin Ali.

Duke llogaritur edhe votat e Amerikës Jugore dhe të Oqeanisë, Blatter-i do të marrë 135 vota, sipas parashikimeve, çka i jep mundësi të fitojë në raundin e dytë.

Ndërsa princi Ali mund të marrë 74 vota. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura