Zgjedhjet në Bosnje dhe lëvizja e fundit e SHBA-BE

Oct 5, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

GENC BURIMI

Genc-burimi

Serbi i Bosnjës, Milorad Dodik, arriti serish në këto zgjedhje boshnjake 2022 të tërheqë vëmendjen e gjithë mediave ndërkombëtare vetëm mbi personin e tij. Një gjë jo e vështirë për këtë pro rus me deklarata provokuese pasi figura e tij lexohet lehtë, kurse zgjedhjet në Bosnje-Hercegovinë kanë një strukturë tejet të ndërlikuar sa dhe vetë konstitucionalistët boshnjakë ngatërrohen.

Por mbase nacionalisti serbo-bosnjak pro rus po njeh muajt e fundit të “lavdisë” së tij. Rivalja e tij në këto zgjedhje, Jelena Trivik, e akuzon për manipulime. Kjo e fundit përkrahet nga Vuçic, ish-mbështetës i fanatikut serb të Bosnjës, i cili me sa duket kërkon të distancohet kur sheh sesi Dodik është shndërruar sot në Europë në një personazh po aq i urryer sa Putini. Edhe SHBAtë po tregohen aktive ne lakun që sa vjen dhe i shtrëngohet në fyt Dodikut.

Pasi e kanë shpallur këtë të fundit non grata në fillim të vitit, SHBA-të futën dje në listën e tyre të zezë edhe financuesin e Dodikut, biznesmenin Slobodan Stankoviæ, i cili kishte vënë televizionin e tij ATV në Banja Luka në shërbim të nacionalistit serb të Bosnjës. Dhe nuk është vënia po në këtë listë të zezë amerikane e Kryeministrit të Bosnje-Hercegovinës, Fadil Novaliç, mik i udhëheqësit të boshnjakëve myslimanë, Bakir Izetbegoviæ, i cili humbi zgjedhjet që do të bëjë që të shmanget shënjestra e vërtetë e amerikanëve në Bosnje nga Milorad Dodik në veçanti dhe nga nacionalizmi luftënxitëses në përgjithësi.

MILORAD DODIK SI VARRMIHËS I BOSNJËS DHE VATËR PRO RUSE NË BALLKAN

Këtë fundjavë, zgjedhësit në mbarë Bosnje-Hercegovinën u ftuan të votonin për gjithçka të mundshme, edhe për tre presidentët në nivelin federal, edhe për çdo President në nivelin e secilës së tri njësive të Bosnjë Hercegovinës, edhe për Parlamentin federal, edhe për secilin nga tre parlamentet lokale pa harruar së fundmi edhe zgjedhjet bashkiake. Nëse interesohemi te Republika Serbska e Bosnjës, imazhi që del është ai i çiftit Putin-Medevdev kur me radhë njëri bëhej President dhe tjetri Kryeministër.

Në Republika serbska, ky “çift” formohet nga Milorad Dodik dhe Željka Cvijanoviæ. Kur njëra është presidente e Republika Serbska, tjetri është President në nivelin federal i caktuar nga Républika Serbska dhe anasjelltas. Në këto zgjedhje, Dodik mbaroi mandatin si President në presidencën rotative të Bosnje Hercegovinës dhe garoi për t’u bërë President i Republika Serbska në vend të Željka Cvijanoviæ, e cila mbaroi postin si Presidente e Republika Serbska dhe garoi për t’u bërë Presidente në presidencën treshe rotative të Bosnje Hercegovinës.

Kjo e fundit e fitoi pa problem mandatin e ri, me shumë se 50% të votave. Por Milorad Dodik e ka më të vështirë me sfidanten e tij nga opozita serbe lokale, 39-vjeçarja dhe ekonomistja Jelena Trivic. Të dy mbrëmë shpallen se i fituan zgjedhjet. Trivic shkon dhe më larg, duke e akuzuar Dodik për vjedhje votash. Rezultati përfundimtar këtë të martë, 4 tetor, në mesditë ende nuk është shpallur, por një tjetër prorus në Europë vendosi menjëherë ta përgëzojë Dodikun sot.

Ai është Viktor Orban i Hungarisë. Kjo dyshe përbën aksin e afishuar të pro-Putinit në Europën Lindore dhe ballkanike, ndërkohë që Vuçiç avancon më i maskuar. Çuditërisht në këto zgjedhje ai nuk ia dha përkrahjen e tij Dodikut, por rivales se tij, Jelena Trivic. Lëvizje e matur mirë dhe pa shumë dëme për Vuçiç, pasi në të vërtetë Dodik dhe Trivic janë njësoj, kjo e dyta është po aq nacionaliste fanatike proserbe në dëm të një shteti të unifikuar boshnjak. Por ajo ka një “cv” më të mirë, ndërkohë që të përkrahesh Dodik rrezikon të infektohesh nga imazhi i tij i helmuar në të gjitha kancelaritë perëndimore, për të cilat Serbia ka nevojë në këto momente krize ekonomike dhe shprese integrimi ne BE.

Dodik, nga ana e tij, pasi e thelloi krizën ekzistenciale të Bosnjës vitin e kaluar duke kërkuar ushtri më vete për Republika Serbska, të pajisur dhe të stërvitur më pas sigurisht nga Moska, deklaron tani se do të kërkojë dhe një ministër të Jashtëm për Republika Serbska, gjë që nuk e parashikon Kushtetuta boshnjake. Dodik nuk e fsheh planin e tij separatist që justifikohet edhe nga aneksimet që po bën Rusia ne Ukrainë. Në emër të vetëvendosjes së popujve, ai kërkon shkëputjen e Republika Serbska nga BosnjeHercegovina dhe me pas, si një shtet i bërë i pavarur kjo republikë të votojë bashkimin me Serbinë. Ose pse jo, në një skenar të çmendur, por jo ta pamundshëm, bashkimin me Rusinë, pasi kjo e fundit zotëron tashmë një territor larg kufijve të saj dhe në zemër të BE-së Kaliningradin.

KUNDËRPËRGJIGJJA AMERIKANE NDAJ NACIONALIZMAVE NË BOSNJE

Në këtë tablo të zymtë jo vetëm për të ardhmen e Bosnjës, por edhe të vete sigurisë në Europë, forcat perëndimore me SHBA-të në krye, kanë së pari një kartë madhore në dorë. Të promovojnë forcat politike të moderuara që nuk predikojnë nacionalizmin, por vlerat europiane të paqes dhe harmonisë mes popujve. Kështu duhet kuptuar fitorja krejtësisht e papritur në njësinë myslimane të Bosnjës, si President i kësaj njësie në presidencën federale të profesorit Denis Beæiroviæ.

Ai mundi të dielën liderin historik, por dhe nacionalist lokal, Bakir Izetbegoviæ, i biri i heroit të luftës, Alia Izetbegoviæ. Bakir Izetbegoviæ u mbështet fuqimisht në fushatë te një tjetër figurë lokale e Tuzles, Fadil Novalic, Kryeministri aktual federal i Bosnje Hercegovinës, që amerikanët e futën dje në listën e zezë. Izetbegoviæ pëson kështu një goditje të dyfishte. Fadil Novalic, ndonëse vetë i moderuar, shpallet “non grata” nga Uashingtoni pas ankesave të një grupi pensionistësh (ekzaktësisht njëra syresh Amra Zulfikarpašiæ artiste), të cilët morën një letër me 2018 si 350 mijë pensionistë të tjerë, nga Kryeministri i tyre, Fadil Novalic me mburrje për masat e qeverisë së tij në favor të pensionisteve. Kjo letër u konsiderua dhe denoncua nga pensionistët si propagandë elektorale.

Denoncimi u bë me akuzën se në çfarë rruge Kryeministri kishte arritur të siguronte të dhënat e tyre personale për qëllime elektorale. Këtij ankimimi të pensionistëve boshnjakë SHBA-të u japin sot një përgjigje me vënien ne listën e zezë të Kryeministrit aktual të Bosnjës. Por në dosjen e Fadil Novalic ka dhe një aferë korrupsioni që SHBA-të nuk e evokojnë në aktin e shpalljes non grata për arsye se ajo është ende në hetim por që mund të jetë një arsye më shumë. Bëhet fjalë për një firmë që Kryeministri hodhi në momentin e pandemisë së kovidit për blerjen me urgjencë për rreth 6 milionë euro pajisje oksigjeni, pa tender të vërtetë, në përfitim të një kompanie me emrin “Srebrene maline”, e cila nuk kishte çmimet më të favorshme në krahasim me konkurrentë të tjerë.

Përtej Fadil Novalic, “non grata” më domethënëse e shpallur nga amerikanët këtë javë dhe që godet drejtpërdrejt Dodik është ajo ndaj biznesmenit dhe mikut të tij, Slobodan Stankoviæ. Është ky që financon liderin nacionalist serb të Bosnjës sipas Uashingtonit, duke marrë për ndërmarrjen e tij të ndërtimit “Integral” shuma të mëdha pa tendera nga pushteti lokal i Dodik. Me këto fonde, biznesmeni në fjalë bleu enkas një televizion për t’ia vënë në shërbim retorikës së Dodikut. SHBA-të me instrumentin e tyre të listës së zezë po ashpërsojnë tonet jo vetëm kundër politikanëve boshnjakë (Dodik, Novalic) apo kundër biznesit të korruptuar me politikën (Stankoviæ), por më e rrallë akoma kundër prokurorëve të korruptuar boshnjakë.

Para pak javësh, u fut me bujë në listën e zezë amerikane dhe vetë prokurorja e Bosnje Heercegovinës Diana Kajmakoviæ, që hetonte mbi krimin e organizuar. E vënë nën përgjim, ajo rezultoi se bashkëpunonte me krimin e organizuar, mbi të cilin ishte e supozuar të hetonte. Ambasada amerikane në Bosnje e justifikoi këtë vendim “non grata” të administratës amerikane për ta bërë shembull këtë prokurore të korruptuar dhe për ta detyruar sistemin e drejtësisë në Bosnje që të bëjë një spastrim me rrënjë në strukturat e saj. Fakti është se kjo prokurore, ndonëse tani në listën e zezë të SHBA-ve, ende nuk është pezulluar nga detyra, por thjesht transferuar në zyrën e hetimeve të krimeve të luftës, në pritje të një hetimi të brendshëm pas dosjes me akuza të bërë publike nga Uashingtoni.

Në fillim të këtij viti, një tjetër majë e ajsbergut të sistemit të drejtësisë boshnjake ra në rrjetën e “non grata”-ve të SHBA-ve, e pikërisht kryetari i Këshillit të Lartë të Magjistraturës dhe të Prokurorëve të të gjithë Bosnje Hercegovinës, Milan Tegeltija. Po BE-ja? Në pamundësi sanksionesh të kalibrit amerikan, kancelaritë europiane priten më shumë të reagojnë me një plan të vri institucional e administrativ për Bosnjën përballë vështirësisë që ka për të mbijetuar Federata aktuale. Gjë që u pa qartë në zgjedhjet e fundit, ku jo vetëm serbët e manipuluar nga Dodik janë të pakënaqur, por dhe kroatët që denoncojnë faktin se Kushtetuta aktuale i privon realisht ata që të votojnë për Presidentin e tyre në nivelin federal.

Realisht, Presidentin kroat të presidencës rotative të Bosnjës e zgjedh komuniteti mysliman më i madh në numër. Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, Kristian Shmid, ka premtuar pikërisht reforma thelbësore institucionale fill pas zgjedhjeve. Për ato duhet të pranohen dhe votohen nga të gjitha njësitë federative të Bosnjës. Nga ku dhe rëndësia vitale e daljes në skenë të një klase të moderuar politikanësh boshnjake dhe daljen në pension apo hyrjen ne “listën e zezë” të elementeve bllokues nacionaliste. Këto zgjedhje treguan se ndryshimet në këtë drejtim po fillojnë me në fund në Bosnje e ardhmja do ta tregojë nëse Bosnja do të bëhet një vlerë e shtuar për kontinentin apo do qëndrojë një vatër tensionesh dhe luftërash që filluan pikërisht aty më 1914.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura