Zgjedhjet lokale, Rama-Bashës: Ashtu hyni ashtu doli, kastravec. PS fton në koalicion partinë e Topit

Mar 30, 2015 | 21:34
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ftuar partinë e qendrës së djathtë të ish-presidentit Bamir Topit, Fryma e Re Demokratike, t’i bashkangjitet në koalicion në zgjedhjet lolake të 21 qershorit.

Edi Rama në deklaratë shtypi

Pas përmbylljes së takimeve me deputetë të të gjitha qarqeve në vend dhe të Tiranës, Rama në një prononcim për gazetarët tha se në këtë koalicion ka ende “hapësirë, vend për të tjerë zëra e të tjera përvoja dhe këtu kam parasysh edhe Frymën e re Demokratike, që më shumë konsideratë do ta ftoja të konsideronte bashkimin në këtë rrugë, jo për të përputhur programet, por për të rritur spektrin e ideve dhe të alternativave për vendin. Kemi kryer një reform historike, transformuese në mënyrë rrënjësore se si është organizuar shteti ynë në nivelin, më të parë të qeverisjes, qeverisja vendore dhe besoj se në këtë fazë s’ka asnjë problem, përkundrazi është vetëm vlerë e shtuar që edhe kjo forcë politike të bëhet pjesë e këtij koalicioni të madh qytetarësh”.

Rama tha se në takimet e sotme çdo deputet ka sjellë propozimet për kandidatë në zgjedhje nga i gjithë vendi:

“Kemi konsultuar shumë…kemi dakordësuar shumë prej tyre. Vendimarrja me konsultimet me partnerët tanë, se e përsëris bëhet fjalë për kandidatë që si përkasin vetëm një force politike, por të gjithë këtij koalicioni”, tha Rama.

Lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve që do të shkojnë në garën e 21 qershorit, kreu i socialistëve deklaroi se prej disa muajsh “kemi filluar një proces të thellë anketimi të opinionit publik…,në pak ditë të harmonizojmë këndvështrimin tonë më ato të opinionit publik”.

Shefi i PS tha se zotin Dule do të takohet brenda 2-3 ditëve për të diskutuar mbi zgjedhjet.

Ndër të tjera Rama akuzoi edhe zotin Basha se s’ka bërë asgjë për zhvillimin e qytetit të Tiranës, në mandatin e tij në postin e qytetarit të parë të metropolit shqiptar.

“Mjafton t’ju kujtoj se ka qenë dikur një Qemal Tafaj, të cilin asnjëri nga ju po as unë nuk e kemi njohur, por jam i bindur që të gjithë ju e dini që si Kryetar Komiteti vuri ca drita në Tiranë. Për të vazhduar pastaj me kryebashkiakët e pas rënies së regjimit komunist, të cilët që nga i ndieri Sali Kelmendi që edhe ai për atë kohë bëri diçka dhe do të kujtohet për disa kioska dhe disa njësi shërbimi qoftesh e kështu me radhë, por diçka bëri. Tek një tjetër që hapi një fazë të re ndërtimesh të kuturushme të cilat më shumë e rënduan sesa e zhvilluan qytetin, por prapë diçka bëri. Pastaj tek pjesa tjetër ku unë isha kryetar bashkie, nuk jam duke e komentuar këtu sot. Ndërkohë që tek ky katër vjeçar nuk ka asgjë, qoftë edhe gabim. Asgjë! Thjeshtë, ju e dini atë shprehjen, “ashtu hyni ashtu doli, kastravec”-deklaroi Rama.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura