Zgjedhjet lokale, Meta: Opozita duhet të dalë me kandidatë të përbashkët! Vendi ka nevojë ulëritëse për greva dhe protesta kudo ku ka vjedhje e shkelje të ligji

Sep 28, 2022 | 7:45
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI / Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi dje se në zgjedhjet e ardhshme vendore, për shkak të situatës, në të cilën ndodhet vendi, opozita duhet të shkojë me kandidatë të përbashkët me qëllim për të rrëzuar maxhorancën socialiste.

-1200-630-62f51b575f2c8

Në një deklaratë për mediat nga selia e PL, Meta u shpreh se në kushtet e një shteti mafioz të ngritur nga rilindja, opozita duhet të paraqitet sa më e bashkuar për të arritur te fitorja në zgjedhjet lokale rivendosja e demokracisë vendore. Nga ana tjetër, kreu i PL lajmëroi se “Kemi ambicie shumë të forta për zgjedhjet që po afrojnë. Ne kemi nisur përgatitjet për këto zgjedhje dhe shumë shpejt do të mbledhim edhe komitetin organizator të Partisë së Lirisë”.

Për kryetarin e PL, opozitës nuk i lejohet të moskoordinohet dhe të mos bashkohet për interesin e shqiptarëve pavarësisht se sipas tij, secila prej partive ka ambiciet e saj. “Këto zgjedhje do të rivendosin edhe demokracinë vendore dhe llogaridhënien. Këto katër vite të një keqqeverisje totale kanë qenë të mjaftueshme për t’i dhënë asaj ndëshkimin e merituar. Shqipëria do të ndahet nga regjimi njëpartiak dhe i paligjshëm. Objektivi ynë kryesor është fitorja e opozitës, pavarësisht se çdo forcë politike ka ambiciet e saj. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me PD-në dhe faktorët e tjerë opozitarë që të mbështeten kandidatët më të mirë.

Sa i takon asaj me po, me jo, opozita duhet të dalë në të gjithë Shqipërinë me kandidatë të përbashkët. Në mënyrë të padiskutueshme. Kjo është më e mira për situatën sepse jemi në kushtet e një shteti mafioz dhe opozita duhet të paraqitet sa më e bashkuar. Në kushte të tjera, sa më shumë kandidatë do ishte më mirë, por nuk jemi në kushte demokratike, jemi në kushte që opozitës as nuk i lejohet të vonohet, as të mos bashkohet, as të mos koordinohet dhe të mos bashkohet për interesin e shqiptarëve. Për ne interesi kryesor është fitorja e opozitës në zgjedhjet vendore,r ivendosja e demokracisë vendore që është administruar katastrofikisht nga Rilindja. Në katër vite u kthyen në një bunker të vërtetë në raport me qytetarët. Zero transparencë dhe vetëm pasoja.

Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë u kthyen në një bunker të vërtetë, me zero transparencë për qytetarët. Shihni pagat në bashki. Kanë mbaruar me master dhe kanë rrogat nga 200 mijë lekë të vjetra, se ata të ERE-s i kanë nga 4 milionë. Sepse shtojnë vetëm vende pune, për t’i mbajtur njerëzit varur me lëmoshë. Ajo është lëmoshë, jo pagë, atyre s’mund t’u kërkosh as cilësi, as përgjegjësi. U fol atëherë me të madhe që do përmirësojmë shërbimet dhe do mbledhim më shumë të ardhura për shërbimet dhe investimet, por bilanci është katastrofik. Ka më shumë të punësuar nga Rilindja sot në 56 bashki që janë, se sa ka pasur në 400 bashki dhe komuna të asaj kohe”, tha Meta.

PROTESTAT

Teksa u ndal tek aksioni i përbashkët opozitar me protesta apo greva, Meta bëri të ditur se nevoja që ka vendi për protesta është ulëritëse, pasi kudo ka vjedhje dhe shkelje të ligjit. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se vendimi i Qeverisë për të mbyllur shkollën ‘Mehmet Akif’, apo dhe një kopsht po të këtej institucioni, është një vendim arbitrar i Këshillit të Ministrave.

Meta tha se këto vendime të Qeverisë janë të atakueshme në gjykatat ndërkombëtare dhe ky sipas tij do të jetë një detyrë që do e paguajnë shqiptarët për shkak të veprimeve të asaj që ai e quajti “banda në pushtet”. “Lidhur me çështjen e protestave dhe grevave kemi thënë se vendi ka nevojë për protesta dhe greva kudo ku ka shkelje të ligjit, korrupsionit dhe skena krimi. Ju e keni parë që edhe për meritë të vendimeve të papërgjegjshme të qeverisë përditë ka protesta dhe greva të fëmijëve, nxënësve, prindërve.

Jeni njohur me vendimet absurde që s’kanë asnjë lidhje me kujdesin ndaj nxënësve dhe prindërve, siç janë aktet e fundit arbitrare të satrapqeverisë ku pasi ka filluar shkolla, kopshti në mënyrë arbitrare gjenden sebepe që nuk kanë lidhje me ligjin dhe cilësinë e edukimit për të bërë akte të tilla, të cilat tregojnë edhe njëherë sesa e rëndësishme është e gjithë shoqëria të reagojë fort ndaj kësaj qeverie që sillet si një bandë dhe që është e gatshme t’u shkaktojë trauma edhe fëmijëve. Edhe aktet e Gjykatës dje janë tërësisht të paligjshme dhe tregojnë një kapje nga ana e Qeverisë. Këto veprime të papërgjegjshme do ti paguajnë shqiptarët, pasi janë procese që kushdo mund ti fitojë shumë thjesht. Mos harrojmë sa po ngarkohet qeveria nga vendimet arbitrare në gjykatat ndërkombëtare, duke shtuar detyrimet që duhet të paguajnë për shkak të veprimeve të bandës në pushtet”, u shpreh kreu i PL-së.

Kreu i PL: ERE të shkojë në Kuvend dhe të japë llogari

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi dje se kjo forcë politike do të kërkojnë në Kuvend një seancë urgjente dëgjimore me Entin Rregullator të Energjisë, për të dhënë sqarime lidhur me vendimin për fashën e konsumit të energjisë. Nga konferenca për mediat, Meta ngriti shqetësimin se përse ERE miratoi pa asnjë ndryshim propozimin e qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë për familjet që konsumojnë mbi 800 kwh në muaj, duke kërkuar që ajo të japë llogari përpara qytetarëve.

“Vendimet e fundit të ERE, me të drejtë kanë sjellë një impakt tepër negativ, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga përfaqësuesit të sipërmarrjes dhe biznesit në vend. Në emër të Partisë së Lirisë, angazhohemi që menjëherë përmes deputetëve tanë në Kuvendin e Shqipërisë të kërkojmë që ERE të paraqitet në Kuvend dhe të japë shpjegime të hollësishme për të gjitha këto shqetësime të konfindustria, por që nuk janë thjesht të asaj, por të gjithë sipërmarrjes të biznesit por edhe të shumë familjarëve.

ERE është një institucion në varësi të Kuvendit, është autoriteti ligjor rregullator për sistemin energjetik. Ky ent e ka për detyrë ligjore të sqarojë në mënyrë profesionale para Kuvendit arsyet financiare, teknike dhe institucionale të sistemit energjetik që kanë çuar në pranimin e plotë të propozimit të qeverisë për rritjen e fortë të çmimit të energjisë elektrike”, tha Meta. Kreu i PL-së theksoi se nga rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 1 tetori, do të preken deri në 130 mijë familje shqiptare.

“Sipas të dhënave, në vitin 2021 sistemi energjetik prodhoi 6,5% më shumë energji elektrike, sesa nevojat për konsum dhe çuditërisht vendi kaloi në krizë energjetike të shpallur nga Kryeministri. Gjithashtu, prodhimi i përgjithshëm i brendshëm i energjisë elektrike ka tejkaluar ndjeshëm nevojat e klientëve tariforë për 6-mujorin e parë të vitit 2022 dhe në vazhdim.

Prandaj Konfindustria vlerëson, se vendimi i ERE për rritjen me afër 4- 5 herë e çmimit të energjisë elektrike për konsum familjar mbi fashën 800 kW/muaj do të jetë me pasoja të rënda për 90-130 mijë familje shqiptare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në rëndimin e klimës së biznesit dhe ekonomisë kombëtare. Shqipëria, edhe pse është relativisht e pavarur në prodhimin e energjisë elektrike nga tregjet ndërkombëtare dhe gazi rus çuditërisht ka çmimet më të larta në rajon për biznesin dhe familjarët”, u shpreh Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura