Zgjedhjet lokale, Kryesia e PS-së shkarkon 11 kryetarë degësh. Apeli që bëri Rama: Identifikoni…

Oct 24, 2018 | 9:10
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryesia e Partisë Socialiste vendosi dje shkarkimin e 11 drejtuesve socialistë në disa bashki të vogla. Shkak për këto shkarkime mësohet të kenë qenë vonesat e pajustifikueshme në riorganizimin e partisë. 

Spiropali

Ata duhet të kishin ngritur strukturat koordinuese elektorale në funksion të zgjedhjeve vendore të pranverës vitin e ardhshëm. Burime nga mbledhja thanë se në vend të tyre do të komandohen kryetarë të rinj për një periudhë tremujore, pasi procedura për zhvillimin e zgjedhjes së tyre, një anëtar një votë, do të kërkonte më shumë kohë.

rama-grupi

Partia Socialiste nuk bëri publike listën e të shkarkuarve, por mësohet se mes tyre janë kreu i degës së PS-së në Cërrik, Devoll, Memaliaj, Dibër, Selenicë dhe Delvinë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, u ka kërkuar drejtuesve politikë në qarqe që të identifikojnë njerëz me integritet në çdo qark, duke e hapur partinë për ta. Po ashtu, një apel kryesocialisti e kishte dje dhe për sekretariatin e tij ekzekutiv.

“Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe ne duhet të jemi gati, secili prej jush duhet të ndjekë me rigorozitet afatet që janë vendosur në Asamblenë Kombëtare në lidhje me riorganizimin e partisë dhe anëtarësimet e reja. Zëdhënësja e Kryesisë socialiste, Elisa Spiropali, njëkohësisht dhe sekretare për Bashkëqeverisjen dhe Aleancat, menjëherë pas mbledhjes bëri publik vendimin për drejtuesit e degëve.

“Janë vënë re vonesa të pajustifikueshme në riorganizimin e partisë. Në fushatën e anëtarësimeve dhe në degët lokale vihet re një shkëputje nga disa territore, drejtuesve politikë iu është kërkuar të rrisin prezencën në terren dhe në qarqet që ata mbulojnë politikisht, sidomos në bashkitë e drejtuara nga opozita, ku shihet një degradim i madh i marrëdhënies së pushtetit lokal me qytetarët. Ne s’kemi opozitë dhe nuk mund të presim lindjen e opozitës që të vendosim gishtin në plagët e qeverisjes lokale, por edhe qendrore, ku ka nevojë për ndërhyrje. Është e rëndësishme që paralelisht të punohet dhe me familjen tonë të madhe politike në territor”, u shpreh Spiropali pas mbledhjes së Kryesisë socialiste.

AFATET

Disa nga afatet që Asambleja Kombëtare e mbledhur më 7 shtator vendosi për ngritjen e strukturave koordinuese elektorale në PS nuk janë respektuar. Asambleja Kombëtare e mbledhur më 7 shtator vendosi ngritjen e strukturave koordinuese elektorale në qarqe, bashki, ZAZ, njësi administrative dhe në organizata socialiste, ku kërkohej dhe caktimi i koordinatorëve elektoralë.

Sipas vendimit të miratuar, pranë çdo qarku ngrihet Këshilli Koordinues i partisë në qark, i cili duhet të organizojë dhe monitorojë punën për ngritjen e strukturave koordinuese elektorale të të gjitha niveleve. Brenda datës 30 shtator 2018, Këshilli Koordinues duhet të caktojë koordinatorët elektoralë të organizimit dixhital të emigracionit, të Forumit të Grave Socialiste, të Forumit Rinor Socialist në shkallë qarku, sipas propozimeve të ardhura nga drejtuesi politik i qarkut.

Brenda datës 3 shtator 2018, Asambleja Kombëtare vendosi që të organizoheshin mbledhjet e të gjitha asambleve të bashkive. Deri më datën 15 tetor, asambletë e bashkive duhet të kishin caktuar koordinatorët elektoralë, të organizimit dixhital, të emigracionit, të Forumit të Gruas Socialiste, të Forumit Rinor në shkallë bashkie dhe ZAZ-je.

Por nuk kanë ecur siç ishte parashikuar edhe fushata “Partia Socialiste e hapur për ty”, përmes së cilës pritet që të afrohen pranë saj të rinj, intelektualë, profesionistë, por dhe biznesmenë. Synimi është që deri në fund të vitit, anëtarësia e Partisë Socialiste të shtohet me 30 mijë anëtarë të rinj.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura