Zgjedhjet lokale dhe ligji zgjedhor

Jan 18, 2022 | 7:38
SHPËRNDAJE

kristaq-kume-737x450PROF. DR. KRISTAQ KUME/ Dekretimi i pritshëm nga Presidenti i Republikës i zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Durrësit, Vorës, Kavajës, Rrogozhinës nxit në mënyrë të natyrshme edhe diskutimin për ligjin zgjedhor.

Ndryshime në këtë ligj duhet të bëhen jo vetëm për të parandaluar situata si ato, me të cilat janë përballur zgjedhjet e mëparshme për organet e pushtetit vendor, por edhe për të mirërregulluar terrenin legjislativ që kushtëzon veprimin efektiv të demokracisë përfaqësuese në nivelin vendor.

Duke iu referuar përvojave të derisotme, arritjeve, problemeve dhe sfidave, me të cilat është përballur procesi i zhvillimit të demokracisë përfaqësuese në pushtetin vendor, nuk është e vështirë të identifikohen nevojat, çështjet dhe problemet që duhet të jenë objekt diskutimi dhe zgjidhjeje në legjislacionin që trajton çështje të zgjedhjes së organeve të pushtetit vendor.

Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se ky proces ligjrregullues duhet me patjetër të zhvillohet duke mbajtur, në radhë të parë, parasysh interesin e qytetarëve. Për këtë është e domosdoshme që përpara çdo ndryshimi që mund të bëhet në legjislacion, të merren dhe të analizohen perceptimet, vlerësimet dhe opinionet e qytetarëve në lidhje me mundësitë që u krijon legjislacioni aktual për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në organet e pushtetin vendor.

Është e domosdoshme që të dihet mendimi i qytetarëve për cilësinë e përfaqësimit të tyre në këto organe, për cilësinë e shërbimeve që organet e pushtetit vendor u ofrojnë dhe bashkë me to, të merret edhe opinioni i qytetarëve për ndryshimet që mund të bëhen në legjislacion, për të rritur këto cilësi. Me mbështetjen e “LëvizAlbania”, Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve ka organizuar dhe realizuar një diskutim intensiv me qytetarët për të identifikuar perceptimet dhe vlerësimet e tyre për mundësitë dhe cilësinë e përfaqësimit të tyre në organet që zgjidhen për pushtetin vendor.

Mendimet, opinionet dhe propozimet e qytetarëve për ndryshimet që mund dhe që duhet të bëhen në legjislacionin zgjedhor, janë një informacion shumë i rëndësishëm dhe me vlera për punën që duhet të bëjë Kuvendi i Shqipërisë për ndryshimet në ligjin zgjedhor. Për qeverisjen e pushtetit vendor, legjislacioni aktual parashikon zgjedhjen nga populli të dy organeve – Kryetarin dhe Këshillin Bashkiak.

Zgjedhja e kryetarit të bashkisë bëhet sipas sistemit maxhoritar. Mandatin e kryetarit e fiton kandidati, i cili merr më shumë vota se kandidatët e tjerë. Ndërkohë, Kodi zgjedhor nuk përmban asnjë dispozitë, në të cilën të trajtohet edhe rasti kur në garën për kryetar të bashkisë merr pjesë vetëm një kandidat, rast që ka ndodhur edhe më parë, por që ishte shumë i shpeshtë në zgjedhjet e fundit për organet e pushtetit vendor.

Për një rast të tille, nga diskutimet e bëra me qytetarët është arritur në përfundimin se zgjedhjet, edhe në këto kushte, duhet të zhvillohen. Por, fleta e votimit duhet t’i japë mundësi qytetarit të shprehet me votë pro ose kundër kandidatit të vetëm.

Vetëm në rast se për kandidatin votojnë pro më shumë se gjysmë + 1 të të gjithë zgjedhësve që marrin pjesë në votim, ai fiton mandatin e kryetarit të bashkisë. Në rast të kundërt, në këtë bashki zgjedhjet duhet të përsëriten. Për zgjedhjen e Këshillit Bashkiak, legjislacioni aktual parashikon zbatimin e sistemit proporcional me listë të mbyllur. Zgjedhësi ka të drejtë të votojë për një prej subjekteve zgjedhore.

Nëpërmjet kësaj vote, ai shpreh vullnetin e tij mbështetës për subjektin, partinë politike, koalicionin ose kandidatin e pavarur. Duke qenë se sistemi parashikon votimin me listë të mbyllur, zgjedhësi nuk ka asnjë mundësi të shprehet për kandidatët e listës, të cilët ai do të donte ta përfaqësonin në Këshillin Bashkiak.

Siç shihet, sistemi zgjedhor aktual për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, i jep përparësi, në radhë të parë, vullnetit dhe vendimit të partive politike, shumë më tepër sesa vullnetit dhe vendimit të qytetarëve. Sipas perceptimeve, vlerësimeve dhe opinioneve të shprehura nga qytetarët, zgjedhja e anëtarëve të këshillave bashkiakë me lista të mbyllura, e zvogëlon ndjeshëm efektin që parashikon të arrijë demokracia përfaqësuese në nivelin vendor.

Në këshillin bashkiak, që është dhe organi kolegjial vendor vendimmarrës i zgjedhur direkt nga qytetarët, komunitete të ndryshme lokale nuk arrijnë të përfaqësohen në mënyrë proporcionale. Veçanërisht një fenomen i tillë është shfaqur në mënyrë më të dukshme pas ndryshimeve të bëra në hartën për ndarjen territoriale administrative të vendit.

Ndarja e miratuar, në kuadër të reformës së fundit për pushtetin vendor, ka krijuar bashki me shtrirje të madhe në territor. Mospasja e njësive vendore, komune, ka bërë që në një bashki të bashkëjetojnë komunitete që jetojnë në zona urbane, me komunitetet që banojnë në zona rurale. Kjo bashkëjetesë, në veçanti në bashkitë e mëdha, ka sjellë si pasojë të saj faktin që përfaqësimi ne këshillin bashkiak i këtyre komuniteteve të mos jetë proporcional.

Kështu, p.sh., në këshillat bashkiakë të bashkive Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë etj.. që qeverisën pushtetin vendor në periudhën 2015-2019, anëtarë në këto këshilla, që banonin në zonat rurale, pra, këshilltarë që përfaqësonin komunitete të këtyre zonave, ishin në një numër shumë të vogël, gati të papërfillshëm në krahasim me këshilltarë që banonin në qytet.

Kjo shmangie e ndjeshme nga parimi i proporcionalitetit në përfaqësim, bie ndesh me parimet sipas të cilave duhet te funksionojë demokracia përfaqësuese në nivel vendor. Kjo situatë mbart me vete rrezikun për cenimin e cilësisë në shërbimet për qytetarët, që duhet të ofrohen nga organet e pushtetit dhe të vetëqeverisjes vendore.

Në këtë përfundim është arritur edhe pas analizës së perceptimeve dhe opinioneve të shprehura nga qytetarët. Qytetarët e pyetur për këtë çështje janë shprehur, ne shumicën absolute, rreth 74.4 për qind e qytetarëve që banonin në zonën rurale ose suburbane dhe rreth 46.3 për qind e qytetarëve, që banonin në qytet, se nuk e ndjenin veten të përfaqësuar në këshillin bashkiak. Ndërkohë, qytetarët në shumice janë shprehur se një ndër mundësitë që duhet të trajtohen si rrugë për rritjen e cilësisë së përfaqësimit të tyre në këshillin bashkiak është votimi me lista të hapura për anëtarët e këtij këshilli.

Ndërkohë, në të gjitha rastet dhe nga të gjithë mbështetësit e këtij ndryshimi në sistemin për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë është theksuar domosdoshmëria për hartimin e rregullave dhe procedurave ligjore, të cilat të bëjnë realisht të mundshme dhe efektive votimin me lista të hapura. Duke iu referuar situatës, me të cilën u ndesh procesi zgjedhor për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore që u zhvilluan në qershor, 2019 dhe duke mbajtur parasysh edhe opinionin e Komisionit të Venecias, është e nevojshme që në legjislacion tonë të trajtohet dhe t’i jepet zgjidhje edhe problemit të shtyrjes së datës së zgjedhjeve.

Në diskutimet me grupe qytetarësh dhe me stafe akademike ka mbizotëruar mendimi sipas të cilit legjislacioni i ndryshuar duhet t’i japë fund trajtimit dhe zgjidhjes së situatës, kur shtrohet problem për shtyrjen e datës së zgjedhjeve vetëm nëpërmjet mekanizmave politik. Dekretimi dhe zhvillimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në bashkitë që aktualisht nuk kanë kryetar të zgjedhur, i jep zgjidhje situatës jonormale në kushtet e se cilës janë duke u vetëqeverisur bashkitë ku do të zhvillohen këto zgjedhje.

Ndërkohë, duhet te theksohet se kjo zgjidhje nuk gjeneron asnjë efekt ndreqës për njësitë e tjera vendore, të cilat, për arsye vetëm politike dhe të palidhura direkt me qytetarët dhe me interesat e tyre, aktualisht vetëqeverisen nga organe në të cilat përfaqësimi proporcional i qytetarëve është larg nivelit që kërkon funksionim efektiv i demokracisë përfaqësuese. Zhvillimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie është një moment nxitës për procesin e rregullimeve në legjislacionin për zgjedhjen e organeve të pushtetit vendor.

Zhvillimi i këtij procesi është nevojë dhe kërkesë e artikuluar edhe nga qytetarët. Në çdo takim ose diskutim të zhvilluar me ta, në shumicë qytetarët theksojnë se nuk ka rëndësi të madhe koha kur do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme për organet e pushtetit vendor. Shumë e rëndësishme është që ato të zhvillohen vetëm pasi të jenë bërë gjithë rregullimet ligjore që do të bëjnë të mundur zgjedhje të organeve për vetëqeverisjen vendore, ku ata të ndihen si cilësisht të përfaqësuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura