Zgjedhjet/ Komiteti i Jashtëm në PE: Pati blerje votash dhe kandidatë të inkriminuar

Jun 30, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian u mblodh sot në orën 16:00 për të diskutuar mbi zgjedhjet e 21 qershorit në Shqipëri.

Kreu i Komitetit të Jashtëm në PE, Elmar Brok

Kryetari i këtij komiteti Elmar Brok theksoi rëndësinë e madhe që kanë këto zgjedhje për procesin e integrimit të Shqipërisë, por evidentoi edhe probleme serioze në këtë proces. Ai tha se këto zgjedhje, të terma politike vinin pas një viti “katrahure”, duke iu referuar krizës politike të një viti më parë, kur opozita braktisi Parlamentin.

“Media u përdor në shumë raste. Disa vëzhgues kanë raportuar për manipulime, shitblerje votash apo shkëmbime votash për ushqime.

Gjithashtu flitet për një trysni dhe presion ndaj administratës, qoftë për të votuar dhe qoftë për t’u përdorur për fushatë. Pra, më rezulton se 35 % e administratës ka qenë nën presion”, tha Elmar Brok.

Pas tij e mori fjalën eurodeputeti Eduard Kukan, i cili në fakt shtroi dy çështje të tjera. Ai foli për dekriminalizimin dhe për pjesëmarrjen e kandidatëve me rekorde kriminale në zgjedhje.

Eurodeputeti, Eduard Kukan

“Ashtu si edhe ju, z. Brok, edhe unë pajtohem se Shqipëria është një vend i rëndësishëm dhe këto zgjedhje ishin një test për negociatat e saj për anëtarësim në BE.

Është e vërtetë që vendi vjen nga një krizë politike, sidomos ajo e para një viti, kur opozita braktisi Parlamentin. Ne ishim atje për Krishtlindje dhe arritëm që të përpilonim një marrëveshje mjaft të mirë që pajtoi mazhorancën me opozitën.

Mirëpo ajo nuk u zbatua në të gjitha pikat e saj. Sa i përket zgjedhjeve, ato ishin të parat nën hartën e re territoriale me 61 bashki. Ato janë një test dhe kusht i rëndësishëm për negociatat e Shqipërinë drejt anëtarësimit”, tha Kukan.

“Unë isha vetë në Shqipëri dhe jam takuar me shtetarë dhe ambasadorë të huaj. Zgjedhjet patën parregullsi. Por mund të them se që nga fushata dhe deri në ditën e votimit nuk pati incidente.

Ana pozitive është se u pranua rezultati nga humbësit dhe ata e uruan fituesin. Unë mendoj se diskutimet për parregullsitë mund t’i vazhdojmë pas marrjes së raportit nga OSBE-ODIHR.

Por dy çështje janë të qarta për mua. Procesi i dekriminalizimit, që ishte pjesë e marrëveshjes, por që nuk u zbatua plotësisht, pasi në zgjedhje morën pjesë persona me rekorde kriminale. Gjithashtu, mendoj se edhe blerja e votës është problem.

Kjo është e vështirë për t’u hetuar, se edhe ai që e ka shitur votën është pjesëmarrës në krim dhe nuk bashkëpunon me policinë.

Gjithashtu, politizimi i administratës dhe KQZ-ja, e cila nuk ishte në lartësinë e duhur shumë herë, janë probleme. Por unë mendoj se duhet të presim raportin e OSBE-ODIHR-it”, përfundoi Kukan. 

Raportuesi i Shqipërisë në PE, Knut Fleckenstein

Ndërsa raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein i cilësoi këto zgjedhje si pak më të mira se të mëparshmet që janë mbajtur në Shqipëri.

“Përgjithësisht ishin zgjedhje pak më të mira se të tjerët dhe këtë e kam dëgjuar nga shumë ambasadorë të huaj në Shqipëri. Por le të presim raportin final të OSBE-ODIHR-it përpara se të dalim në përfundimet tona”, tha ai. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura