Zgjedhjet, flet Astrit Patozi: Bashkim të forcave politike kundër boshtit të së keqes

Aug 10, 2020 | 10:39
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Partia Demokratike ka nisur procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish përmes një procesi, i cili konsiderohet edhe si hapje e PD-së për ish-funksionarët.patozi

Por ish-kryetari i Grupit të PD, aktualisht drejtues i Bindjes Demokratike, hedh poshtë çdo mundësi për t’u rikthyer në selinë blu.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Patozi u shpreh se nuk ka ide të njëjta me kryedemokratin Lulzim Basha për daljen e vendit nga krizat. Madje, Patozi ka ironizuar edhe për procesin e ndërsa ka mbyllur çdo mundësi për t’iu bashkuar PD-së, ai u shpreh se partitë politike, individët, shoqatat, duhet të bashkohen kundër së keqes.

Po ashtu, drejtuesi i Bindjes Demokratike ka komentuar marrëveshjen e 5 qershorit dhe ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.

Z. Patozi, Partia Demokratike ka nisur një proces për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish. A është kjo një rrugë që reflekton edhe kritikat më të hershme tuajat kur ishit pjesë e këtij subjekti politik?

Kjo është një pyetje që nuk më përket shumë mua, sepse bëj pjesë në një subjekt tjetër politik. Qëndrimi i Partisë Demokratike më interesonte deri te Këshilli Politik, kur prisja që ai t’i paraprinte një reformimi të thellë, që do ta hapte rrugën e demokratizimit për të gjithë shqiptarët, sepse ky ishte roli i saj. Por ajo e humbi këtë shans, kur u dakordësua me Edi Ramën për marrëveshjen e 5 qershorit, duke na dhënë një provë të mjaftueshme se Shqipërinë e nesërme e mendon dhe e dëshiron fiks siç është tani nën udhëheqjen e “Rilindjes”, vetëm se me Kryeministër tjetër.basha aleatet6

Ky duhet të ishte misioni real i saj, të cilin do ta kisha përshëndetur me shumë dëshirë, nëse PD do ta kishte përmbushur, ose të paktën do ta kishte tentuar. Ndërsa proceset e saj të brendshme, edhe sikur të ishin serioze, vlejnë vetëm për militantët e saj, por nuk kanë shumë peshë për të tjerët.

Përfytyro pastaj që ato të shërbejnë si instrument për të gënjyer veten dhe të tjerët, siç kam shumë frikë se ka për të ndodhur. E thënë më shkurt, dikush që ka marrë përsipër se do të pastrojë gjithë plehrat e qytetit, nuk mund të mburret se ka fshirë vetëm oborrin e shtëpisë së tij (gjithmonë, në rast se e bën edhe këtë).

Ju jeni një figurë me kontribut në PD, ndërkohë që siç janë shprehur edhe anëtarët e Komisionit të Seleksionimit, ky proces do të shërbejë edhe për afrimin e figurave të vjetra me kontribut. A do ta mirëprisnit ju një ftesë për t’u kthyer në PD?

Me ktheve prapë te një temë e pakëndshme, për të cilën nuk do të doja të flisja. Por për të respektuar pyetjen, po të përgjigjem se nuk shoh asnjë arsye pse ta marr dhe as nuk e mirëpres ftesën, për një mijë arsyet që shpjegova më lart. Jemi vite dritë larg në mënyrën sesi e shohim zgjidhjen për daljen afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë nga kriza. Është njësoj si të pyetet Lulzim Basha në do të vijë te Bindja Demokratike. Madje, pyetja për të mund të kishte më shumë logjikë, sepse ne kemi qenë të hapur për këdo, që në ditën e parë të krijimit, kurse PD e tij po pretendon se vetëm tani po përpiqet të shkrijë akujt e ta bëjë “detin kos” për ata, që i përzuri me dru e po kërkon t’i rikthejë në vathë me komision.

Z. Ruli, në një intervistë pak ditë më parë la të kuptohet se ish-kryetari i PD-së, z. Berisha, nuk duhet të kandidojë më për deputet, ju keni një mendim për këtë. A duhet të jetë më pjesë e listës?

Nuk e kam pasur kurrë zakon që të bëj komente mbi opinionet e të tjerëve. Aq më shumë kur ata janë personazhe, me të cilët nuk më ka munguar miqësia apo komunikimi. Sepse më dalin e teprojnë opinionet e mia, të cilat nuk përtoj kurrë t’i bëj publike. Është punë për PDnë se çfarë bën me listën dhe me debatet e brendshme të saj. Mjafton që protagonistët e saj të vjetër dhe të rinj të ndihen rehat me historinë, të sotmen dhe të ardhmen e tyre. E mira do të ishte që diskutimi të fillonte me ata që duhet të ishin dhe jo me ata që nuk duhet të jenë listë, por edhe kjo është gjithsesi çështje e tyre.

Po kaloj te zhvillimet e rëndësishme deri pak para gushtit. A e prish ndryshimi i Kushtetutës marrëveshjen politike të 14 janarit dhe 5 qershorin?

Do të kisha dëshiruar shumë që të ishte shkulur nga themelet, por mendoj që 30 korriku nuk e ka cenuar shumë atë pakt të turpshëm dhe të dëmshëm. Gjithsesi, ndryshimet kushtetuese kanë hapur një dritare të vogël në bunkerin deri dje të blinduar të kryetarokracisë, për shkak të hapjes së listave. Dhe kjo është e vetmja e mirë që ka ndodhur, pavarësisht se arsyet nuk kanë qenë parimore, por të diktuara nga interesat politike të Partisë Socialiste dhe nga një trend kombëtar në mbështetje të demokratizimit të partive, që rezultonte në të gjitha sondazhet e kryera së fundmi në Shqipëri.

A duhet të hiqen koalicionet parazgjedhore sipas formulës aktuale dhe listat e hapura të hapen 100% apo 70%?

Nuk mendoj se ka pasur një debat real për hapjen 70 për qind apo 100 për qind të listave. Por çështja më sensititive në diskutim ka qenë në duhej prekur Kushtetuta më pak se një vit para zgjedhjeve apo jo, por edhe ky argument ra, kur Lulzim Basha papritur deklaroi se ishte që listat të hapeshin plotësisht.

Një lëvizje e tillë e çliroi Edi Ramën nga ngarkesa që po cenonte Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, pasi doli që edhe opozita ishte dakord. Dhe kjo vlente më shumë për arbritrat ndërkombëtarë, të cilët po kërkonin një zgjidhje të pranueshme për të dyja blloqet kryesore politike, në kushtet e një mosbesimi të thellë midis tyre. Nuk e ndaj dot në ishte kalkulim i gabuar apo strategji politike e Lulzim Bashës për të krijuar entuziazëm artificial në PD, që ia dha këtë bonus të madh Edi Ramës, por tanimë ajo është bërë fakt dhe nuk ia vlen shumë ta diskutosh.

Sa për koalicionet parazgjedhore, ato sigurisht që mund të bëhen pa asnjë problem, vetëm se jo tamam në formën klasike që janë sot. Ata që duan të bashkojnë votat, paraprakisht mund të kenë një listë të përbashkët, siç ndodh në Kosovë e kudo tjetër. Ndryshe, do të duhet që të presin të mbarojnë zgjedhjet dhe ta bëjnë koalicionin pas shpalljes së rezultatit. Edhe kjo një formë e pastër bashkëpunimi është. E provoi Vetëvendosja me LDK-në, kur arritën të formojnë qeverinë Kurti.

Ne si subjekt politik nuk na prish asnjë punë, nëse do të mbeteshin siç janë apo do të ndryshonin koalicionet, sepse jemi të përgatitur që në çdo version ta bëjmë përpjekjen tonë modeste deri në fund. Por më kryesorja është se ne nuk e shikojmë aq të pathyeshëm Edi Ramën, sa që ta mendojmë fitoren ndaj tij vetëm në variantin po futëm në një thes të gjitha partitë e tjera, përveç Rilindjes, se pastaj i bie që ai na mundka në tufë. Çdo parti, lëvizje, shoqatë, një grup i caktuar shoqëror apo qoftë edhe individë të veçuar që e duan ndryshimin, duhet të bashkohen mundësisht në një front kundër boshtit të së keqes.

Një tjetër çështje e hapur ditët e fundit është ligji për rajonizimin e Shqipërisë. Sipas jush, a është kjo një tentativë e radhës e qeverisë për përfitime elektorale?

Nuk jam shumë familjar me këtë temë, por diçka kam lexuar nga replikat e palëve. Nuk e them dot tani, nëse do të ketë ndonjë ndikim në ekonomi apo në administratë kjo ndarje e re dhe gati e padiskutuar fare në publik, por e miratuar gati fshehurazi në seancën e fundit. Fakti që e kanë votuar në këtë formë, të bën shumë të dyshosh për qëllimet e saj. Por, nga ana tjetër, dyshoj se qeveria do ta përdorë për qëllime elektorale, pasi mendoj se është kundër interesave të saj në këto zgjedhje.

Sepse një ndarje e Shqipërisë në katër kantone zgjedhore do të thotë që t’i shkosh më afër proporcionalit kombëtar, prej të cilit do të përfitonin kryesisht koalicionet opozitare dhe forcat e reja politike, sepse do të korrektohej më mirë vota popullore brenda njësive më të mëdha. Ndaj, më duket e habitshme se si po trajtohet si kërcënim një gjë që do të ishte qartazi në dobi të opozitës, në rast se do të aplikohej.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura