Zgjedhjet farsë në UMT, krim zgjedhor

Jul 29, 2020 | 10:03
SHPËRNDAJE

PROF. DR. PETRIT BARA  petrit-bara

Nesër, në Universitetin e Mjekësisë Tiranë do të zhvillohet një proces farsë për zgjedhjen e Autoritetit Drejtues “Rektor” të këtij institucioni të rëndësishëm arsimor. Falsitetin e këtij procesi, para së gjithash, e provon përjashtimi im nga gara nëpërmjet një procesi manipulativ e korruptiv, të montuar nga KIZ dhe Komisioni i Apelimit (anëtarët e të cilëve janë zgjedhur nga rektori aktual, i vetëm tashmë në garën për një mandat të dytë).

Për të legjitimuar këtë proces, më 3 korrik 2020, konform ligjit përkatës, u regjistrova si kandidat për rektor të këtij universiteti.

U përgatita të hyja në garë me një platformë bindëse që konsistonte në ndërtimin e një Universiteti Mjekësor të standardeve europiane.

U regjistrova në garën për postin e nderuar të Rektorit të Universitetit Mjekësor të Tiranës jo rastësisht, por bazuar në përvojën time të suksesshme si kardiolog, duke i qëndruar afër çdo pacienti, në eksperiencën e gjatë si Shef i Urgjencave të Kardiologjisë, si profesor i Fakultetit të Mjekësisë, Shef i Shërbimit të Kardiologjisë dhe mbi të gjitha, bazuar në përvojën drejtuese si dekan, ku obligimi im kryesor ka qenë themelimi dhe rritja e cilësisë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike (me diplomë të njohur ndërkombëtarisht me tri ciket e shërbimit dhe me një resort fantastik në mes të QSUT, të cilin e drejtova me kompetencë e profesionalizëm për 12 vjet (nga viti 2004 deri në vitin 2016).

Pikërisht mbi këto principe kandidova edhe para katër vitesh për funksionin e rektorit të UMT dhe me gjithë manipulimet e dokumentuara edhe në proceset e rregullta gjyqësore, “humba” vetëm me një votë.

Por, të tmerruar nga humbja e sigurt që i priste kësaj here, anëtarët e Komisionit Institucional Zgjedhor dhe të Komisionit të Apelimit, të zgjedhur nga rektori aktual, vetëm katër ditë pasi unë isha regjistruar zyrtarisht në garë, në mënyrë arbitrare dhe abuzive, vendosën mosmiratimin e kandidaturës sime për këtë post.

E nisën me pretendimin absurd të gjoja pamundësisë së konfirmimit të periudhës së angazhimit tim si personel akademik pranë UMT-së, pretendim të cilin e rrëzoi vërtetimi i Fakultetit të Mjekësisë, nr. 1393/5 prot, datë 07.07.2020, që provon se “prof. dr. Petrit Bara ka qenë pedagog i jashtëm i këtij fakulteti (F.M.) në harkun kohor të tri viteve: 2000-2001, 2001-2002 dhe 2002-2003”.

Në vendimin e tij, Nr. 19, datë 07.07.2020, KIZ ka vendosur mosmiratimin e kandidaturës sime, me arsyetimin se nuk përmbush kriterin e përvojës 20- vjeçare në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në fushën e shkencave të shëndetit, duke mos konsideruar vërtetimin zyrtar të Fakultetit të Mjekësisë që provon të kundërtën.

Studimet e doktoratës si dhe thellimi i mëtejshëm i aftësive profesionale për fitimin e titullit shkencor “Profesor i Asociuar”, kanë qenë gjithmonë të shoqëruara me kërkimin shkencor. Madje, e njëjta frymë është mbajtur edhe në ligjin Nr. 80/ 2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, i cili, në nenin 77, pika 4 të tij parashikon: “Studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese”. Për rrjedhojë, jo vetëm që vërtetimet që dispononte KIZ në lidhje me punësimin tim, provojnë qartë plotësimin e kriterit 20- vjeçar në mësimdhënie, por për më tepër, periudha e studimeve të doktoratës si dhe ajo për fitimin e titullit Profesor i Asociuar (2000) dhe titulli akademik “Profesor” (2009) kanë në themel të tyre kërkimin shkencor. Pra, kriteri 20-vjeçar jo vetëm që plotësohet, por tejkalohet.

Për rrjedhojë, duke i bërë një interpretim të gabuar literal këtij parashikimi të rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet, organet drejtuese dhe komisionet e përhershme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë”, (fillimisht KIZ dhe pas edhe Komisioni i Apelimit) kanë tejkaluar kompetencat që iu njeh rregullorja.

Krejt absurd është edhe pretendimi i dytë i KIZ-it dhe Komisionit të Apelimit për mosdeklarim të të dhënave të ndryshuara të gjeneralitetit nga ana ime. Kjo, për faktin se nga ana ime nuk është bërë asnjëherë kërkesë për ndryshim të gjeneraliteteve dhe as nuk ka një vendimmarrje të gjykatave në këtë drejtim. Ndryshimi në vitin e lindjes është bërë nga institucioni përkatës i gjendjes civile, si rrjedhojë e konstatimit të një gabimi material gjatë procesit të hedhjes së të dhënave nga fashikujt fizikë të këtij institucioni në databazet e krijuara për këtë qëllim. Kjo u vërtetua edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, por qëllimisht nuk u konsiderua nga komisionet e përhershme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. Madje, për të fituar kohë, në marrëzinë e tyre bënë dhe kallëzim penal, por nga ana e Prokurorisë (“Vendim për mosfillimin e procedimit penal”) “Me procesverbal këqyrje e marrje, janë administruar në cilësinë e provës materiale kopje vendimi Nr. 4, datë 11.09.2015 ‘Për ndreqje gabimi material’ të Zyrës së Gjendjes Civile, Njësia Bashkiake Nr.10, Bashkia Tiranë, me të cilën është vendosur të bëhet ndreqja e gabimit material në rubrikën: ‘data e lindjes për shtetasin Petrit Ymer Bara e konkretisht, data e lindjes nga 11.01.1952 në 11.01.1953″

Pikërisht duke kundërshtuar këto veprime abuzive të KIZ-it dhe Komisionit të Apelimit që delegjitimojnë procesin e zgjedhjes së rektorit të UMT-së, iu drejtova Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me padinë objekt gjykimi, duke kërkuar pezullimin e dy akteve arbitrare të Komisionit Institucional Zgjedhor dhe të Komisionit të Apelimit pranë Universitetit të Mjekësisë Tiranë dhe pranimin e kandidaturës sime për Autoritet Drejtues “Rektor” të këtij universiteti.

Këtë kërkesë e bëra me bindjen e zhvillimit të një procesi të drejtë, në kushtet e shmangies sime nga e drejta e garës, në shkelje ekstreme të së drejtës për konkurrim si Autoritet Drejtues “Rektor” të UMT.

Por u pa fare qartë se falangat e krimit zgjedhor kishin depërtuar edhe te gjykatësja e kësaj çështjeje (A.M.), e cila vendosi njëanshmërisht rrëzimin e kërkesës sime, sipas gjykimit absurd se: “…marrja e masës së sigurimit të padisë do të cenonte rëndë interesin publik që lidhet me zhvillimin e zgjedhjeve akademike në Universitetin e Mjekësisë Tiranë”.

E them me bindje se interesi publik në këtë rast është cenuar me legjitimin e zgjedhjeve farsë vetëm me një kandidat të vetëm, ndërkohë që unë jam i përgatitur për sfidën e një gare të ndershme zgjedhore me platforma e vizione.

Ndaj edhe jam i vendosur ta vazhdoj betejën ligjore, fillimisht me denoncimin në SPAK të manipulimeve të kryera nga KIZ e Komisioni i Apelimit pranë Universitetit të Mjekësisë Tiranë, dhe më pas edhe në shkallët tjera të gjyqësorit. Për suksesin e këtij procesi më bind edhe përvoja e katër viteve më parë, kur deri edhe nga Gjykata e Strasburgut u provuan manipulimet dhe u legjitimua e drejta ime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura