Zgjedhjet e pjesshme/ Shehi tregon formulën si opozita të mundë Ramën për bashkitë: Ne s’bëjmë krushqi që ta dashurojmë njëri-tjetrin! Duhet bashkëpunim, një grup nga Basha e një nga Berisha

Jan 20, 2022 | 17:19
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Zgjedhjet e pjesshme për 6 bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë më afër se kurrë, por opozita ndodhet në ditët e saj më të këqija pas problemeve të brendshme që po kalon.

Por, kreu i LZHK-së, aleati i Partisë Demokratike Dashamir Shehi ka treguar se edhe tani ka një formulë për të mundur Edi Ramën.

Në një intervistë për gazetën “Panorama” Shehi kërkoi krijimin e një fronti opozitar për të dalë me kandidatë të përbashkët që të gëzojë mbështetjen e të gjithëve.

Sipas tij, nuk ka nevojë që të bashkohet Basha me Berishën, por duhet të krijohet një komision nga të gjitha palët tha ai në mënyrë që të gjejnë kandidatë të përbashkët e të mbështeten nga të gjithë.

Në të kundërt shtoi Shehi, opozita do t’i bëjë Kryeministrit Rama peshqeshin e radhës edhe 6 bashkitë e tjera. Ndërkohë, Shehi foli edhe për marrëdhëniet në kampin opozitar. Ai tha se tashmë është e qartë se nuk janë më si para 25 prillit. Ndërkohë, vet Shehi nuk preferon të pozicionohet në as në njërën palë. As me Bashën e as me Berishën.

Pyetje: Z. Shehi, cili ka qenë qëndrimi juaj në përplasjen Basha-Berisha dhe si do ndikojë kjo në zgjedhjet e pjesshme?

Shehi: Unë jam i baraslarguar dhe nuk marr nga këto vendime, sepse nuk është e detyrueshme që të jesh patjetër me njërin. Ky është një lloj momenti që nëse do i shikojmë anën pozitive dhe do lemë mënjanë, marrinat e fundit mund ta përdorim në të mirë të opozitës shqiptare. Nuk është se kjo e zgjidh, por ndihmon edhe në zgjidhjen e atij problemi dhe për një gjë tjetër për të cilën jemi këtu: Për të treguar që jemi opozitarë dhe për të mundur qeverinë e Edi Ramës, trupin politik të Ramës se nuk është më as qeverisje. Nga njëri krahë kemi një kandidat të zotit Rama që ka mbështetje politike, ekonomike mediatike, paratë e pushkët, të gjitha këto që jemi ankuar gjithë kësaj kohe.

Ndërkohë, nga krahu tjetër, nëse do të përdoren këto zgjedhje për garë midis grupe rivale të opozitës shqiptare do jetë gabim i madh. Automatikisht ia kemi bërë peshqesh ato bashki. Nëse nga njëri krah do jetë një kandidat me mbështetje të madhe, nga krahu tjetër janë dy dhe pse jo dhe tre, atëherë automatikisht ka mbaruar kjo punë pa filluar. Këtu nuk bëhet gara as për Këshillin Bashkiak, nuk tregohet sa vota merr njëri dhe tjetri. Këtu duhet të mblidhemi përqark një personi të vetëm. Ky është një shans i mirë për t’u ribashkuar. Ne nuk bëjmë krushqi që ta dashurojmë njëri-tjetrin. Siç kanë qenë konceptuar marrëdhëniet politike shqiptare. Ne mund të jemi kundërshtarë, por për pragmatizëm politik mund të bashkohemi jo për qark njëri-tjetrit, por ndaj një personi të tretë.

Pyetje: Si mund të kthehet kjo situatë në favor të opozitës z. Shehi?

Shehi: Nuk mund të vendosim në Shkodër apo në Durrës 4 vetë. 1 duhet të vendoset. Hajde të biem dakord përpara se kush do të jetë ky një. Le të shkojmë ta mbështesim të gjithë këtë person që ka shans për të garuar më shumë sesa të tjerët. Këtë punë mund ta bëjnë fare mirë përmes një komisioni që s’ka nevojë që të jenë këta shefat që bëhet hataja. Mjafton ca nga grupi i Berishës, ca nga grupi i Bashës dhe ca nga ne të tjerët mund të bëhet një komision që përzgjedh 5- 6 kandidaturat. Dhe ne shkojmë deri atje ku ti mbështesim të gjithë bashkërisht. Dikush të shkoj në stadium, dikush në kinema, dikush në pallatin e sportit, sipas mbështetjes. Kjo është formula më e mirë për të bashkëpunuar. Është i vetmi shans për ta mundur Edi Ramën. Duke mundur Ramën, fillojmë një lloj ringritjeje, një lloj entuziazmi dhe fillojmë të tregojmë që shumica e shqiptarëve janë në krahun opozitar pavarësisht se ku janë rreshtuar, te Basha, te Berisha apo diku tjetër. Për ne është e rëndësishme të fitojmë.

Pyetje: Çfarë do të ndodhë nëse opozita, që nuk është në ditët më të mira, humbet zgjedhjet e pjesshme?

Shehi: Nëse do vendosen nga 3- 4 kandidatura sigurisht që do humbim, mbrapa ditës së zgjedhjeve ne ndajmë një tavolinë më të vogël opozitare. Kjo humbje mbas humbjeje i trishton qytetarët. Është një shans i mirë, po deshën jo bashkimin se nuk ka nevojë që të bashkohen, por po deshën me gjithë mend të mundin Edi Ramën. Për ta larguar nga disa bashki kryesore të Shqipërisë, të cilat unë gjykoj që janë të gjitha të mundshme për t’u fituar. Nëse kë garë duan ta sakrifikojnë për sherret që kanë brenda tyre për të treguar kush është i pari e kush i dyti, kjo do jetë një gabim i madh. Ky është kontributi dhe mendimi im në këtë situatë specifike. Kush do me i përdor partitë aleate që t’i biem atij tjetrit apo anasjelltas, kjo është mish për top.

Pyetje: Berisha ka deklaruar se të gjithë aleatët e mbështesin aksionin politik të nisur prej tij.

Shehi: Ne nuk kemi asnjë lloj komunikimi. Këtu s’kam nevojë as për biseda as për negociata nën apo mbi tavolinë. Ky është mendimi im për zgjedhjet kësaj linje i qëndroj. Besoj se është një linjë pozitive që nuk bën bashkimin, por krijon në një farë mënyre hapësirën për t’u shpjeguar të gjithëve se po deshët për Edi Ramën, mjetet dhe njerëzit janë të gjithë. Po deshëm të tregojmë më të fortin brenda opozitës dhe do të asgjësojnë fare rivalin, atëherë le të vazhdojnë rrugën që kanë nisur.

Zgjedhjet janë gjithsesi një test politik që po të gjejmë formulën e bashkimit, jemi në rregull. Do e mbështesin edhe shumë qytetarë të tjerë këtë. Do ishte një dritë në fund të tunelit. Do ishte shpresë e madhe sikur të fitohej Bashkia e Durrësit dhe ajo se i kujt është personi që ka fituar, i Berishës apo i Bashës, kjo është e rëndësisë së dorës së dytë. Do ishte fatale që për hir të kësaj pune t’ia dorëzojmë bashkitë Ramës. Opozita do të dalë më e dobët, nëse do të humbin sërish.

Pyetje: Ju nuk keni zhvilluar takime me zotin Basha, por edhe në të shkuarën keni treguar se partitë e vogla janë kompakte me njëra-tjetrën për t’u pozicionuar?

Shehi: Aty gjithsekush do të marrë rrugën e vetë. Që të jemi realistë, kjo është një fazë e re politike, ne kemi hyrë bashkë në zgjedhje, por nuk është se jemi bashkë. LSI-ja andej-këndej, PDja vetë është e ndarë në dy pjesë. Kështu që unë gjykoj që faza e parë e ringritjes së një grupi opozitar janë këto zgjedhje. Pastaj në vitet që vijnë do e shikojmë. Por që formula se me kë grup jeni ju, mua më ngjan se janë të kohës së vjetër që nuk vlen më për politikë. Është poshtëruese. Këtu ka njerëz që pranojnë ofendimin, por që unë gjykoj që nuk është kjo mënyra për të bërë politikë. Ne duhet të dalim përtej gabimit tonë dhe të kapërcejmë vetveten. Është një shans të vendosim disa njerëz të rinj nëpër këto bashki që prodhojnë një lloj sinergjie. T’i mbështesim, të fitojmë zgjedhjet dhe faza tjetër është mbrapa. Të mëson vetë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura