Zgjedhjet e pjesshme lokale/ Rama: Jemi njisha, nuk hyjmë në garë për t’u bërë dysha! Aleanca jonë është me…

Jan 20, 2022 | 15:18
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama shprehet se Partia Socialiste do të nisë përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme lokale. Sipas tij, PS do të hyjë në këto zgjedhje për të fituar.

Pas mbledhjes së Kryesisë së socialistëve, Rama u shpreh me batuta se PS është “njishi dhe nuk do të hyjë në garë për t’u bërë dysh”.

I pyetur nëse do të hyjë në aleancë për zgjedhjet e pjesshme, Rama deklaron se e vetmja aleancë është me qytetarët për t’i kërkuar votën.

“Ne jemi kampionët që hyjnë gjithmonë për të fituar. Në politikë nuk ka barazim. Këto janë zgjedhjëe vendore për komunitetet. Nuk do bëjmë luftë jetë a vdekje. Nuk do mbulojë ekranet nga mëngjesi deri në darkë. Do i bëjmë të gjithë yzmetin e nevojshëm. Do bëjmë detyrat tona që sipas kalendarit të organizimit për të qenë të pranishëm në këto komunitete. Nuk jemi në kushtet kur është e nevojshme të bëjmë parashikime të këtyre natyrave. Ne kemi një makineri që bën analiza, por nuk është ky rasti.

Dihet botërisht që ne jemi në aleancë me qytetarët. Këshillimi Kombëtar është një mekanizëm për të shtrirë këtë aleancë. Unë i ftoj të gjithë të marrin pjesë këtu. Nuk është një proces regjistrimi në Partinë Socialiste. Do shkojmë në këto zgjedhje të pjesshme me të njëjtën frymë. Do kërkojmë votat nga qytetarët. Dhe atyre që mund të kenë paragjykime, u them merrni pjesë dhe le të mos paragjykojmë nismën. Përsa i përket zgjedhjeve, ne jemi PS-ja, jemi njishat, nuk hyjmë në punë për tu bërë dysh. Këto zgjedhje kanë rëndësinë e tyure. Patjetër kanë synim fitoren” – tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura