“Zgjedhjet e 25 prillit i dhanë të drejtë një sistemi politik bipolar”- Patozi: Shërimi nuk vjen nga garnizonet politike, por nga pjesa tjetër e shoqërisë

May 12, 2021 | 15:24
SHPËRNDAJE

patoziIsh-kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi është shprehur se zgjedhjet e 25 prillit zbuluan një fakt të pahomueshëm, duke i dhënë të drejtë një sistemi politik bipolar.

Përmes një shënimi në rrjetin social Facebook, Patozi thekson se mjafton të shihet se me çfarë arrogance po e përcjellin rezultatin e 25 prillit PS dhe PD, për t’u bindur se shërimi nuk mund të vijë prej garnizoneve politike, por nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Njëra palë po i gëzohet fitores së tretë, që nuk e di për çfarë arsyeje jopolitike konsiderohej e pamundur, kurse tjetra po fërkon duart ngaqë ka arritur të sigurojë monopolin e opozitës për katër vjet. Por është iluzion të mendosh se ato janë ushtri të pathyeshme, sepse politika është dinamike dhe si e tillë e paparashikueshme në terma afatgjatë”, citohet nga shënimi i tij.

Sipas tij, Shqipëria mund të ndryshonte, vetëm nga një projekt politik që do ishte krejt i ndryshëm nga ai që sërvirin dy partitë kryesore në vend.

Qofsha i gabuar, por unë nuk besoj se duhen shpenzuar ende energji për t’i ndryshuar nga brenda formacionet politike, të cilat nuk bëjnë zgjedhje. Do të mjaftonte ky fakt për t’ia kursyer vetes dhe publikut, si kohën, ashtu edhe përpjekjet”, tha ai.

Patozi shprehet se nuk është rastësi që të dy udhëheqësit e mëdhenj janë fokusuar sot tek kongreset e partive të tyre dhe kjo pasi ata të dy duan të fshijnë sa më shpejt edhe gjurmët e fundit të ndonjë mendimi kritik apo mosaprovues, që mund të ketë mbetur aty.

Edi Rama mirë që nuk tha se e ka private partinë, sepse vetëm u komunikoi të gjithë socialistëve të tjerë datën e kongresit të jashtëzakonshëm, të cilin e kishte caktuar ai vetë. Ndërsa Luli është më i parashikueshëm. Ka gjithmonë të njëjtin hall, çdo katër vjet, më 22 korrik. Por tek e fundit, secili bën atë punë që i caktuar vetes dhe askush, që ka vendosur të merret me politikë, nuk duhet të kushtëzohet apo të dekurajohet nga qëndrimet e tyre”, thekson Patozi.

Ish-kreu i Bindjes Demokratike është i bindur se Shqipëria nuk mund ta presë ndryshimin asnjëherë nga qeveria, sepse asaj as i takon, as e ka për detyrë dhe as që i shkon ndërmend ta sjellë, sidomos në kushtet, kur nuk i ka dalë keq, të paktën në tre zgjedhjet e fundit.

E gjithë barra është e opozitës, e cila në rastin më të keq duhet të rishpikë vetveten, që minimumi të shpresojë një përmbysje të raporteve të forcave politike në vend në zgjedhjet e radhës. Koha ka treguar se opozita e mund qeverinë, vetëm në rastet kur tregon se është e ndryshme prej saj, dhe jo kur thjesht e rivalizon për t’i marrë pushtetin. Kjo është ligjësi e përbotshme, e cila është provuar me një saktësi perfekte edhe në Shqipëri, sa herë ka pasur zgjedhje”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura