Zgjedhjet e 25 prillit/ Ambasadorët rrisin presionin për kandidatë të pastër! Ja apeli i Yuri Kim dhe Duncan Norman

Feb 26, 2021 | 8:07
SHPËRNDAJE

parlament-ambasadoretMARIGLEN KUME/ Me afrimin e afatit final që partitë politike të depozitojnë në KQZ emrat për kandidatë për deputetë, ambasadorët kryesorë në vendin tonë kanë intensifikuar thirrjen ndaj drejtuesve të partive në Shqipëri që të tregohen të kujdesshëm në mënyrë që të vendosin në lista kandidatë me integritet.

Një ditë pasi kreu i PDsë, Lulzim Basha, zyrtarizoi koalicionin “PD-Aleanca për Ndryshim”, kryediplomatja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, zhvilloi një takim jashtë selisë së PD-së me kryedemokratin Lulzim Basha.

Takimin që e përshkroi si të shkëlqyer, ambasadorja Kim e shfrytëzoi për t’u njohur nga lideri i opozitës në lidhje me programin ekonomik të PD-së, për të cilin shprehet se ishte e lumtur. Por nga ana e saj, kryediplomatja i ka nënvizuar kreut të opozitës pritshmëritë që ka SHBA-ja nga liderët e partive për të vendosur njerëz të pastër në lista.

“Sot pata një takim të shkëlqyer me Lulzim Bashën. E lumtur të dëgjoja programin zgjedhor të PD-së dhe partnerëve. Unë nënvizova pritshmëritë e SHBA-së për kandidatë të pastër nga të gjitha partitë. Ne gjithmonë do të jemi të përkushtuar në marrëdhënie të forta mes SHBA-së dhe Shqipërisë, me respekt për vendimin e votuesve më 25 prill”, shkroi ambasadorja në “Twitter”.

Takimi mes Yuri Kim dhe Lulzim Bashës u zhvillua menjëherë pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha, zyrtarizoi koalicionin e gjerë opozitar së bashku me 12 parti të tjera.

Pas ambasadores Kim, edhe kryediplomati i Britanisë në vendin tonë, Duncan Norman, bëri të njëjtën thirrje për partitë politike. Ai kërkoi që liderët të respektojnë qytetarët shqiptarë duke u ofruar atyre njerëz me integritet. Mesazhi i tij vjen pas mesazheve të përsëritura nga ambasadorja Yuri Kim për politikën shqiptare dhe nga ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

“Afati i fundit për të paraqitur listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit po afrohet shpejt. Palët duhet të sigurojnë që kandidatët që duan të përfaqësojnë njerëzit të mos jenë të përfshirë në krim të organizuar ose korrupsion apo të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me ata që janë”, shkroi ambasadori Norman.

DEKRIMINALIZIMI

Rreth 600 persona kanë humbur postet e tyre si pasojë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, prej vitit 2015. Sipas një studimi të Institutit të Studimeve Politike nën mbështetjen e Ambasadës holandeze, shumica e personave që janë prekur nga dekriminalizimi janë punonjës të administratës.

Janë shkarkuar ose dorëhequr 281 punonjës nga administrata publike dhe 195 nga administrata e qeverisjes qendrore. Prej vitit 2015, 35 anëtarë këshillash bashkiakë janë shkarkuar dhe 21 kanë dhënë dorëheqjen si pasojë e dekriminalizimit. Në radhët e kryebashkiakëve janë tre të larguar. I pari ishte kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, që humbi mandatin në vitin 2016 për fshehje të dënimit në Itali dhe një hetimi ndaj tij për trafik droge.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019, dy kryebashkiakë të zgjedhur të PSsë, Agim Kajmaku i Vorës dhe Valdrin Pjetri i Shkodrës, humbën mandatin pasi fshehën dënimet në vendet e BEsë. Dekriminalizimi ka sjellë edhe largimin e deputetëve nga Kuvendi, që është edhe arsyeja që ai u krijua si ligj në radhë të parë.

Gjatë 5 viteve u larguan 7 deputetë: Mark Frroku, Arben Ndoka, Armando Prenga hoqën dorë nga mandatet e tyre pas denoncimeve të opozitës për përfshirje në aktivitete kriminale jashtë vendit. Ndërsa Shkëlqim Selami, Gledjon Rehovica, Dashamir Tahiri dhe Aqif Rakipi u shkarkuan nga detyra e deputetit pasi KQZ vendosi se ata kishin fshehur dënime në formularin e vetëdeklarimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura