Zgjedhjet e 21 qershorit, largohen 8 deputetë. Ja kush i zëvendëson

Apr 18, 2015 | 15:16
SHPËRNDAJE

Me nisjen e fushatës elektorale dhe regjistrimin zyrtar të kandidatëve për zgjedhjet 21 qershorit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tetë deputetë të rinj pritet të hyjnë në Kuvend. Nga radhët e shumicës së majtë pritet të hyjnë në Kuvend katër deputetë të rinj.

Kuvendi në një seancë plenare

Nga kandidimi i Armando Subashit për Bashkinë e Fierit, vendi i tij pritet t’i kalojë kryetarit të Partisë Socialiste të Lushnjës, Bujar Çela, i cili është i 11-ti në listën shumemërore të Partisë Socialiste. Ndërkohë, me largimin e Artur Bushit për të kandiduar për Bashkinë e Krujës, mandati i tij pritet t’i kalojë Shkëlqim Troplinit.

Në qarkun e Durrësit PS është gjobitur për mosrespektim të kuotave gjinore, por duke qenë se në listë nuk ka kandidate femra përveç Esmeralda Shkjaut, e cila është aktualisht në Kuvend, mandati i kalon pasuesit në listë që është Shkëlqim Troplini.

Po ashtu, edhe dy zonja të reja pritet t’i shtohen maxhorancës së majtë. Nga dorëheqja e Majlinda Bufit, mandati i deputetes së PS-së në qarkun e Fierit do t’i kalojë Antoneta Dhimës. Ndërsa nga largimi i Miranda Rirës së LSI-së, mandati i saj do t’i kalojë pasueses femër në listë, Edlira Çekrezi.

OPOZITA
Edhe opozita pritet të ketë ndryshime në grupin e saj, duke shtuar tri zonja të reja në Parlament. Me garën e kryeqytetit dhe dorëheqjen e mjekut Halim Kosova, mandati i tij pritet t’i kalojë Asllan Dogjanit. Në Tiranë PD nuk ka marrë gjoba për kuotat gjinore, dhe për këtë arsye mandati i Kosovës i kalon pasuesit në listën e PD. Ndërkaq, mandati i kandidates për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi, pritet të sjellë në Kuvend kandidaten femër Irma Kopliku (Alushi).

Sipas Kodit Zgjedhor, në rast se nga lista shumemërore largohet një femër, ajo zëvendësohet brenda të njëjtës gjini. Ndryshime do të sjellë largimi i Ardian Turkut për Bashkinë e Elbasanit, pasi mandati i tij nuk i kalon pasuesit në listë, Dashnor Sulës, por kandidates së gjashtë në listë, Arbjola Halimi.

Një zonjë tjetër pritet t’u bashkohet demokratëve nga dorëheqja e deputetit të Tropojës, Besnik Dushaj. Në këtë qark PD është gjobitur për mosrespektim të kuotave gjinore dhe mandati i tij do t’i kalojë kandidates së 5 në listë, Mimoza Hajdarmatajt. 
FATION BINJAKU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura