Zgjedhjet e 21 qershorit, Basha zyrtarizon Ardian Turkun në Elbasan dhe Xhelal Mziun në Kamëz

Apr 10, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka zyrtarizuar dje kandidaturën e Ardian Turkut për Bashkinë e Elbasanit, si dhe të Xhelal Mziut për zgjedhjet e 21 qershorit.

Burimet thanë se kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar dje në mesditë takime me koordinatorët, si dhe me kandidatët, ku dhe është vendosur nisja e garës për të dy zonat. 

Foto ilustruese, Basha ne mbledhjen e kryesise se PD-se

Ndërkohë që dje kanë vijuar dhe negociatat me republikanët, por pa arritur në një marrëveshje përfundimtare.

KANDIDATËT
Kandidimi i Ardian Turkut do të ndryshojë listën e deputetëve të PD-së. Me nisjen e garës për kreun e Bashkisë së Elbasanit, Turku do të duhet të dorëzojë mandatin e deputetit. Sipas renditjes së kandidatëve të PDsë për zgjedhjet parlamentare 2013, mandatin e Turkut pritet ta marrë Dashnor Sula.

Në Elbasan pritet që prej Partisë Socialiste të jetë sërish kandidat kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini. Ndërsa Xhelal Mziu do të kërkojë rikonfirmimin në një mandat të dytë për Partinë Demokratike. Pak ditë më parë, Partia Demokratike konfirmoi kandidaturën e Igli Kokalarit në Gjirokastër, Altim Çomos në Libohovë dhe të Kodhel Calës në Gramsh. Po ashtu, kreu i PD-së Basha ka vijuar dhe dje takime me koordinatorët si dhe me kryetarët e PD-së në rrethe ku është diskutuar mbi kandidaturat.

ALEATËT

Negociatorët e PD-së kanë vijuar dhe dje takimet me republikanët për të arritur në një marrëveshje të përbashkët në zgjedhjet e 21 qershorit. Burimet thanë se negociatat janë zhvilluar mbi parimet e koalicionit, duke mos u përfshirë në emra kandidatësh. Pas refuzimit të kandidimit të Agron Dukës në Durrës, duket se republikanët do të synojnë arritjen e një bashkëpunimi në nivel këshi-lltarësh, nënkryetarëve të bashkive dhe njësive administrative.

Kjo duke u mbështetur në numrin e votave që republikanët kanë marrë në zgjedhjet e shkuara. Megjithatë, burimet nga PR thanë se do të kërkohet zhvillimi edhe i një tjetër sondazhi për të parë nëse Agron Duka gëzon mbështetjen e anëtarëve të PDsë në Durrës. Burimet në PR u shprehën se për këtë pikë është diskutuar dhe në një takim të zhvilluar mes kreut të PDsë Lulzim Basha dhe kreut të republikanëve Fatmir Mediu.

KANDIDIMI I DUKËS
Kandidati i PR-së për Durrësin, Agron Duka, është shprehur dje se ka nisur një sondazh për të parë mbështetjen që ai ka në Bashkinë e bregdetit.

Në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Duka tha se do të futet në garë edhe nëse në sondazhe del fitues dhe si kandidat i republikanëve. Por, -shtoi Duka, – nëse vërehet se një nga kandidatët e PD-së Gorea, Muka, Duma apo ndonjë tjetër ka më shumë mundësi të dalë fitues, ai do të mbështesë kandidatin e koalicionit të djathtë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura