Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, ambasadorja shqiptare në OKB: Shpresojmë të bashkëpunojmë ngushtë me…

Jun 11, 2021 | 18:45
SHPËRNDAJE

keshilli-isigurise

Pas zgjedhjes së Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB, ka reaguar ambasadorja shqiptare Besiana Kadare.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social Twitter, ajo përgëzon edhe vendet e tjera që u zgjodhën këtë të premte si Brazili, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ganën dhe Gabonin.

Gjithashtu ajo shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me këto vende përballë sfidave që janë përpara.

“Urime të përzemërta edhe Brazilit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Ganës dhe Gabonit që sapo u zgjodhën në Këshillin e Sigurimit në OKB. Ne shpresojmë të punojmë së bashku” – shkruan ajo në Twitter.

Me 175 vota nga 190 shtete pjesëmarrëse, Shqipëria u zgjodh si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB. Për vendin tonë kjo është hera e parë e përzgjedhjes si anëtare në një ndër organet më të rëdësishme të OKB-së.

Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Shqipëria mori 175 vota. Votimi ishte i fshehtë.

Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarë aktualë, Estonia, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami. Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura