Zgjatja e afatit të vlefshmërisë të bonove dhe lekëve të privatizimit, Presidenti Meta dekreton ligjin. Ja deri kur do përdoren nga qytetarët

Feb 25, 2022 | 12:49
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar me shpallje ligjin që shtyn afatin e vlefshmërisë deri më 31.12.2023, të bonove dhe lekëve të privatizimit, duke krijuar mundësinë për personat që zotërojnë bono e lekë privatizimi, që t’i përdorin ato edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023.

Kreu i shtetit ka dekretuar edhe dy ligje te tjera te qeverise, “Për mbrojtjen e bimëve” dhe “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj”.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

siguria-meta

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje, këto ligje:

– Ligjin nr. 14/2022 “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)” dhe dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.2.1995”, të ndryshuar”.

Ndryshimet në këtë ligj, edhe pse të përsëritura, vlerësohen të nevojshme për sa kohë synojnë shtyrjen e afatit të vlefshmërisë deri 31.12.2023, të bonove dhe lekëve të privatizimit, duke krijuar mundësinë për personat që zotërojnë bono e lekë privatizimi, që t’i përdorin ato edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023.

– Ligjin nr. 15/2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 105/2016 “Për mbrojtjen e bimëve”.

Pavarësisht se ligji bazë është miratuar në vitin 2016, ndryshimet që synojnë forcimin e rregullave për mbrojtjen e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera nga dëmtuesit, si dhe parandalimi i hyrjes dhe i përhapjes së dëmtuesve të rregulluar karantinorë dhe jokarantinorë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë për t`u vlerësuar.

– Ligjin nr. 18/2022 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj”.

Aderimi i Shqipërisë në “Konventën Kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj”, ndërkohë që Shqipëria është një nga shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara për Turizmin, kërkon angazhimin e qëndrueshëm të të gjitha institucioneve për promovimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Autoritetet publike veçanërisht duhet të sigurojnë mbrojtje të vazhdueshme dhe ofrojnë siguri për turistët e huaj, si dhe të angazhohen në forcimin e burimeve të turizmit, zhvillimit të politikave të qëndrueshme në këtë drejtim, që mbajnë në konsideratë edhe respektimin e të drejtave të të punësuarve në sektorin e turizmit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura