Një “mad girl” në MAD TV. Është Einxhel Shkira, moderatorja zeshkane që po xhelozon me bukuri dhe profesionalisht koleget në ekranet e tjera. E ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, ajo ia doli mbanë që të zëvendësonte “të pazëvendësueshmen” Marina Vjollca, duke u bërë bashkëprezantuese për pak minuta me Edi Manushin.
E që këtu nisën spekulimet se Einxhel do të braktiste MAD për TCH, por siç thotë ajo, “jam shumë brune, për t’u bërë bionde”…. Einxhel Shkira tashmë ia ka dalë mbanë të jetë vetë “patentë” në ekran, ndërsa fotografitë e saj të nxehta po bëjnë xhiro në rrjetet sociale. Por si reagon familja e saj, kur e shohin Einxhelin në pozime provokuese? “Babai është fansi im më i madh dhe është i pari që shpërndan çdo postim timin me fotografi”, thotë moderatorja teksa flet për “Panoramën”.
Bëhet fjalë për piktorin, arkitektin dhe skenografin Muzafer Shkira, i cili shpesh kthehet edhe në fotografin personal të së bijës. Pjesa tjetër e familjes, nëna Flora dhe vëllai 20-vjeçar Alois shpesh luajnë rolin e këshilltarëve, por Einxhel ka besim vetëm te babai për fotografi…
Keni spikatur në prezantimin e emisionit “Hip-Hop District”, në televizionin muzikor MAD TV. Ishte e rastësishme bota e televizionit, apo po e kërkoje? Kot nuk thonë, që kur nuk e kërkon, të vjen…!
Kështu ndodhi dhe me mua në rastin e MAD TV. Prej kohësh kisha hequr dorë nga kjo dëshirë dhe ja ku më erdhi, pikërisht atëherë kur as e prisja fare. Megjithëse jam e lumtur që erdhi vetë tek unë, që erdhi kaq bukur dhe që erdhi tani, sepse më mirë vonë, se kurrë!
Çfarë të është dukur më e vështirë në fillim te MAD TV, konkurrenca, gjetja e ideve, vënia në zbatim e tyre, apo… çfarë tjetër?
MAD TV ka ardhur si një risi e mbushur plot me ide të reja, me shumë konkurrencë brenda dhe jashtë tij. Pavarësisht kastit amator që ishim fillimisht në MAD, vënia në zbatim e këtyre ideve të reja nuk ishte aspak e vështirë për ne. Fillimi ka qenë thjesht shumë i bukur dhe një argëtim i përjavshëm, por vështirësi ka edhe kjo si çdo punë tjetër.
Vihet re një joshje e publikut ndaj këngëtareve sa më të zhveshura, performancave sa më erotike, teksteve banale etj. Janë këngëtaret/këngëtarët që ia imponojnë këtë publikut, apo vetë publiku që e dëshiron?
Kur vjen puna te të tjerët, jam gjithmonë “pa opinion”! Jetojmë në një epokë, ku njerëzit janë të lirë të vishen apo të zhvishen si të duan, ashtu sikurse të tjerë janë të lirë të shohin apo të mos shohin veshje dhe zhveshje. Nëse kjo është diçka që u jep kënaqësi të dyja palëve, atëherë le ta shijojnë. Jeta duhet jetuar ashtu siç i vjen gjithsecilit ta jetojë dhe unë jam askushi që të gjykoj zgjedhjet, veprimet apo arsyet që kanë të tjerët për të bërë atë që bëjnë.
Cila është arma e fortë që Einxhel Shkira mendon se ka dhe se do ta përdorë për ecur përpara në botën e televizionit? Dhe a do të jetë moderimi profesioni i jetës suaj?
Në fakt, unë nuk e shoh botën e televizionit si një “luftë”, ku më duhet të përdor “armë”. Duket qesharake kur e themi këtë shprehje, por unë realisht kam vendosur të jem plotësisht vetvetja dhe të mos bëj asnjë kompromis me veten, për hir të famës apo suksesit. Nëse do më pëlqejnë kështu siç jam, është OK. Nëse jo, atëherë prapë jeta vazhdon! Dhe se kush do të jetë profesioni i jetës sime, ia kam lënë së ardhmes…
A e keni ndier ndonjëherë xhelozinë e ndonjë moderatoreje tjetër ndaj jush?
Më pëlqen kur njerëzit xhelozojnë dhe nëse do ta ndjeja këtë gjë, unë do t’i jepja akoma dhe më shumë arsye të tjera për t’ua shtuar këtë ndjenjë…
Ju kemi parë së fundmi në një emision sportiv, teksa flisnit për futbollin. Cila është lidhja juaj me sportin?
Nuk është se kam ndonjë lidhje të veçante me sportin, thjesht më tërheq dhe ndoshta për këtë arsye e ndjek pak më shumë seç bëjnë zakonisht vajzat. Rrjedhimisht prej kësaj jam e mirinformuar mbi sportin.
Thuajse të gjitha moderatoret e emisioneve sportive apo edhe gazetaret janë bionde. Ju do të bëheshit bionde për hir të një emisioni? Nëse jo për një emision, për çfarë do të bëheshit bionde?
Mendoj se këto të dyja nuk është se kanë ndonjë lidhje logjike me njëra-tjetrën apo ndonjë arsye specifike. Për sa më përket mua, ndjehem shumë brune për t’u bërë bionde dhe nuk do e ndryshoja këtë gjë për asnjë arsye!
Me cilën skuadër jeni tifoze (Shqipëri, Ligat e Europës dhe Botëror)?
Në Shqipëri kam ndjekur kryesisht ndeshjet e rëndësishme dhe nuk jam tifoze fanatike e ndonjë ekipi, kam ndjekur gjithmonë përballjet e ekipit tonë kombëtar që në moshë të vogël. Për sa u përket ekipeve të tjera, Gjermania mbetet ekipi im i preferuar.
Lojtari juaj i preferuar, dhe pse?
Hmm lojtari im i preferuar… Ai pothuajse është tërhequr nga bota futbollit, por mbetet një ikonë për mua, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë mediatik. Gjithashtu, ai është një shembull i shkëlqyer i mashkullit familjar dhe këto mbase janë arsyet pse David Beckam është një ndër të preferuarit e mi.
Jeni një femër e bukur, bini shumë në sy, ndërkohë që jeni edhe personazh publik tashmë. A ndodh që t’ju ngacmojnë edhe futbollistët dhe nëse po, si u jeni përgjigjur?
Fakti që janë futbollistë, nuk i bën ata më të privilegjuar se të tjerët. Ndonëse mua më pëlqen futbolli, kjo nuk do të thotë që ai mjafton të jetë futbollist dhe çdo gjë do t’i shkojë vaj. Nëse nuk plotëson parametrat që dua unë të ketë një mashkull, atëherë edhe ata, zakonisht si gjithë të tjerët, nuk marrin asnjë përgjigje pozitive.
Çfarë është dashuria për ju? Një ndër ndjenjat më të rëndësishme në jetë. Po jetoni ndonjë histori dashurie aktualisht?
Jo!
Jeni natyrë që bëni çmenduri apo sakrifica për dashurinë?
Dashuria kërkon nga të dyja, edhe pse për njeriun që do të doja, do të bëja edhe sakrifica. Ndërsa çmenduritë më vijnë natyrshëm me tipin që kam.
Si e mendon Einxhel mashkullin ideal?
Kur isha më e vogël, edhe unë si gjithë të tjerat e idealizoja për veten atë mashkullin perfekt. Por me kalimin e viteve, kuptova që nuk më tërheqin edhe aq shumë “princat e kaltër”. Mund të jetë edhe një “princ i zi”, por mjafton që shpirtin ta ketë të bardhë dhe të jetë luftëtar i zoti. Me pak fjalë, të jetë një mashkull i vërtetë në të gjitha drejtimet.
Cila është frika jote më e madhe?
Nuk jam aspak natyrë frikacake, përkundrazi gjithmonë zgjedh të përballem me frikërat e mia. Kështu mendoj se i mposht ato dhe nuk i lë të bëhen më të mëdha se guximi im.