Zeusi dhe Prometeu për Teatrin

Jul 11, 2018 | 10:40
SHPËRNDAJE

ZIJA ÇELA

zijaI lidhur në shkëmb, sado që etja e mundonte dhe plaga nën brinjë ende e cimbiste herë-herë, Prometeu priste lajmin e premtuar nga Zeusi. Cili do të ishte vendimi i tij? A kishin përfunduar kërkimet për sivëllain e Prometeut? Vallë, ç’rezultat kishin pasur? Dhe, tekefundit, do ta mbante fjalën sovrani?

Gjatë rigjykimit të fajit kishte pasur akuza të reja. Meqë krerët e drejtësisë ishin në ndërrim e sipër, duke marrë përsipër vetë rolin e prokurorit dhe të gjykatësit, Zeusi e kishte habitur Prometeun me shqyrtimin e ri. Akuza e mëparshme, ajo e shpërndarjes së zjarrit te njerëzit, ende mbetej, por interpretimi kushedi përse ishte krejt tjetër. Tani akuzohej për abuzim me detyrën, mitmarrje dhe vënien dorë në thesaret e shtetit, pasi zjarri kishte qenë një nga thesaret më të fshehta.

Nëse do të hiqte dorë një ditë nga monopoli i tij, sovrani kishte paraparë për zjarrin tri alternativa. Një, ose do t’ia shiste pa tender kolegut, që sundonte përtej shkrepave të Skithisë. Dy, ose do t’ua jepte me koncesion viganëve të tij, të cilët i mbante gjithnjë nën urdhra. Tre, ose do t’ia delegonte Marsit, aleatit të tij, sepse një armë tjetër më shkatërrimtare perëndia e luftës nuk mund të gjente kundër armiqve të Olimpit. Mirëpo rebelimi i Prometeut ia kishte hedhur në erë të tre shanset njëherësh. Dhe përse e bëre?- iu kërlesh tërë maraz, në çastin që iu kujtua një mungesë (kishte harruar të vishte togën e zezë).

Për egoizmin tënd e bëre! Sepse duke qenë jetëshkurtër, duke qenë vdekatar, përherë vepron nxitimthi. Ëndrra për lavdi, për monument në Histori, është ngasja jote e pashërueshme. Janë pallavra fjalët sikur guxove për nderin e njerëzimit. Ç’nder na qenkësh të kobitësh pronën e tjetërkujt?! Ti e vodhe zjarrin nga vetëtimat e mia. U bëre hajdut e plagjiat pa e vrarë hiç rradaken.

Dhe pikërisht se nuk e shpike vetë, derisa të mbretëroj unë në fronin e Olimpit, autorësinë e zjarrit nuk do të mund ta regjistrosh kurrë në zyrën e patentave. Kurrën e kurrës, e more vesh tani?! Si e ndali breshërinë një hop, Prometeu deshi të mbushej me frymë, por u gabua. Sovrani kishte një tjetër pezëm, të cilin mjaft e kishte përmbajtur, andaj ia zbrazi aty për aty.

Sipas informatave të shërbimit të fshehtë, Prometeu ishte përzier edhe në çështjen delikate të Teatrit, për çka sovrani e kishte shpallur me kohë vizionin e tij. Zeusi kërkonte ta shembte nga themelet amfiteatrin dhe të ndërtohej atje një trinom fort tërheqës për qytetarët. Me një lartësi marramendëse, që vinte e shkallëzuar, atriumet, herbariumet dhe akuariumet nuk do të ngriheshin me gurë ciklopikë, por me xham, çelik dhe beton. Pjesa fundore, njëra treme e kompleksit bashkë me shkallaret e saj, mund të përdoreshin pasataj edhe si teatër.

Aq më tepër që vështrimi nga lart poshtë tashmë ngjante i vjetruar, prandaj njerëzit duhej të mësoheshin të shihnin nga poshtë lart. Fjalët atrium, herbarium dhe akuarium, ngaqë i dëgjonin për herë të parë, ngjallën njëfarë paniku te qytetarët.

Duke e ndier edhe përndezjen e opozitarëve të Olimpit, Zeusi dha këtë shpjegim: “Ujë, bimësi dhe peshq.” E kur të tjerët prapëseprapë ngritën supet, ai shtoi: “Nuk është faji im që peshqit s’e dinë çfarë është uji!” Megjithatë, deklarimi i Prometeut se çdo shembje krijon një shajni, domethënë, shpirti i amfiteatrit ekzistues do të shndërrohej në fantazmë dhe do të bridhte nëpër Athinë, Zeusit i dukej më i rrezikshmi, sidomos për përthithjen populiste. Me këtë peshë në kokë, Sovrani iu kthye tërë vrunduj, veçse gjithnjë në stilin e tij: E ç’faj kam unë që koha juaj s’e ndjek dot kohën time?! Qyqar, ti nuk di kush është Shekspiri!..

Pa hë, më thuaj një aktor, makar një aktor të vetëm, që do të rrojë sa Eskili ynë. E thua dot? Nuk e thua. Sepse rron shpirti i dramaturgëve, mor mjeran, nuk rron teatri vetë! Shkërbyes të tjetërkujt janë aktorët, imitatorë si puna jote, që më imitove me zjarrin. Ca prej tyre i kam edhe në oborrin tim. Po ç’bëjnë, mund të pyesësh. Gaztorin bëjnë, shëmbëllejnë Sofokliun…

Tani përgjigju hapur, e ke bërë atë deklaratë? Në të vërtetë, Prometeu ishte shprehur ca më ndryshe për amfiteatrin. Por meqë thënien për fantazmën ia vishnin atij, si dhe për t’ia ulur hundën sovranit, pohoi se ishte shprehur ashtu fjalë për fjalë. Dhe as që mund të pritej ndryshe, u dëgjua turfullima e Zeusit. Zotërote e mbron me thonj, sepse në atë skenë flitet shpesh për prometeizmin dhe ty të rren mendja se lavdia jote do të jetë e përjetshme.

Por cofëtinë je dhe cofëtinë do të mbetesh! Megjithatë, i prekur nga dinjiteti i kundërshtarit, sovrani i bëri një premtim, për të cilin i kërkoi një vit kohë. Dhe s’ishte premtim sidokudo, por me mundësinë e çlirimit nga vargonjtë. Ndërkaq, vendimin për shembjen e amfiteatrit e vuri në vijë menjëherë. Me vetëdijen për pëshpëshet rreth autokratizmit të tij, për t’i dhënë vendimit një dukje më demokratike, do të hartonte një projektligj. Këtë dokument do ta paraqiste për miratim në Kuvendin e çetës së perëndive, që natyrisht ishin nën rangun e tij.

Pastaj, me t’u formuluar projektligji, lëshoi një vargan bubullimash aq të rënda, sa nga Olimpi, pasi shkundën malin e Pindit, u përhapën në jug deri në shkretëtirën e Anadollit, ndërsa në veri edhe Gramozit ia luajtën themelitë. Po cili kishte qenë premtimi për Prometeun? Zeusi kishte dhënë fjalën se pas kërkimeve, që do të zgjasnin dymbëdhjetë muaj, nëse do të gjendej diku një i ngjashmi i tij, ahere Prometeu do të çlirohej nga shkëmbi dhe aty do të mbërthehej sivëllai prometean. Ja, këtë lajm që do t’ia sillte Hermesi, po priste rebeli, teksa dielli i fortë ia lëbyrte sytë dhe mëlçia i sëmbonte nën brinjën me gjakun e përtharë. Kishte qenë vit paqeje ky, pa turjelën e shpendit mishngrënës.

A thua kishin marrë fund burgimi dhe tortura? Me gjithë sytë e lodhur, ai s’po ia ndante vështrimin një reje të bardhë, që iu duk ogur i mirë. Por, mbas pak, shì prej asaj vele doli një majë e zezë, si sqep i mnershëm. Mos po vinte shkaba? Jo, maja shfaqi menjëherë trupin e saj. Ai e kuptoi se shkaba ishte zëvendësuar me tjetër armë, ndoshta me një ushtë të tipit UBGJ, nga lloji që ishte përdorur në betejën e Termopileve.

Por nuk mundi të kuptonte se edhe ushta me bishtin e gjatë ishte zëvendësuar me raketën e telekomanduar. Madje, me gjasë, me atë të tipit të fundit, të ashtuquajturën Dik-Kart XX18. Kronistët dhanë mëpastaj gjithfarë shpjegimesh.

Një palë thoshin se kërkuesit gjetën ca ithtarë të Prometeut, por në vend t’i burgoste, Zeusi i theu, duke i joshur me poste në mbretërinë e tij. Të tjerë kundërshtonin, duke e nxjerrë sovranin të pabesë. Sipas tyre, ai urdhëroi që t’i lidhnin në vjegat e kazanëve të plehrave, pikërisht në llumin ku fabrikoheshin lajmet e rreme kundër tij. Por ca të krisur thonë se as që u bënë ndopak kërkime, sepse kur kaloi një vit për Prometeun, për Zeusin kishin kaluar njëmijë. Dhe meqë koha s’mund të kthehet mbrapa, si mund të merrej vesh modernia me primitiven?!

Veçse ka gjithashtu edhe hamendësim më relativ. Përkrahësit e tyre mendojnë se Prometeu nuk ka ekzistuar fare dhe se legjendën e ekzistencës, me porosi të Zeusit, e sajuan kalemxhinjtë e oborrit, për të demonstruar fuqinë e pushtetit të tij absolut. Ndërsa, tashmë, ka nisur të dëgjohet edhe versioni i fundit. Sipas këtij motërzimi, krejt papritur, një ditë prej ditësh Zeusi zbriti vetë nga Olimpi.

Në rrugë, teksa qytetarët po e shihnin të shushatur, ai ktheu kokën dhe u thirri: “Ç’keni që hapni sytë si tuhafë, mos u habisni! Edhe ky vetëlargim do t’i shtohet dikur lavdisë sime. Por është shpejt që ta vlerësoni.” “E kur do ta kuptojmë, pra?”, e ngriti zërin dikush nga vegjëlia. “Ju do ta kuptoni në një kohë tjetër, në kohën kur edhe peshqit do ta dinë se çfarë është uji!”, u gjegj abdikuesi i fronit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura