Zero presje zero zero asgjë

Sep 4, 2015 | 14:40
SHPËRNDAJE

Grida Duma
Grida Duma
GRIDA DUMA

Bota mbarë po bëhet dëshmitare e pamjeve të dhimbshme të refugjatëve, që tashmë duket se dita-ditës jo vetëm që nuk po ndalen, por po shumëfishohen. Ndonëse janë të paktë ata që arrijnë të dallojnë që ka diçka të panatyrshme në këtë valë shkatërrimtare të mijëra njerëzve; janë akoma më të paktë ata që analizojnë “pse tani” dhe si mori këtë përmasë në kaq pak kohë. Një gjë është fakt, Europa po pëson një dyndje që e çon në gjendje emergjence dhe mbarë opinioni po gjykon atë, Europën. Si gjithmonë në histori, peshën e gjykimit duhet ta mbajë pikërisht kush i ndërton standardet. Po gjykohet Europa!

Ndërsa Siria, ashtu si Shqipëria, shquhet për tolerancën fetare – më të ndërlikuar, më të vështirë, më të lashtë se e kujtdo populli tjetër; kishat dhe xhamitë e saj ngrihen pranë e pranë, ndajnë të njëjtin ajër me tempujt e mahnitshëm të lashtësisë, sot përballet me shkatërrimin total.
Përballë kësaj katastrofe, ajo që lexojmë sot për Shqipërinë dhe Kosovën është e denjë për një reportazh tragjikomik për Sodomën dhe Gomorrën: nuse që shkojnë nëpër dasma me helikopterë, refugjatë që udhëtojnë me autobusë.

Bashki shqiptare që dënojnë me ashpërsi jezuite  urinuesit e jashtëligjshëm. Qytetarë që s’pranojnë të vënë kafe në gojë pa marrë në dorëzim kuponin tatimor, ndërsa bukën e blejnë me listë. Të inkriminuar që votojnë njëzëri në Parlament pro reformës në Drejtësi. Ndërsa në Vjenë, Kryeministri i Shqipërisë shpall se mirëqenia e Ballkanit s’do t’i kushtonte Europës as zero pikë zero diçka.

Disa dëgjues mund të pyesin: “Vërtet aq i kushtojmë? Atëherë përse nuk na i japin këta?!” Duket sikur Kryeministri ynë luan poker gjeopolitik me Europën plakë, duke i thënë: “Në këto kushte ju kushtojmë pak, por, nëse nuk doni ta shtoni këtë pak, ne mund të përkeqësohemi dhe kjo do t’ju kushtojë më shumë”.  Disave ky qëndrim mund t’u jetë dukur si një kartë fituese, madje si një akt prej udhëheqësi. Por, ndonëse në sipërfaqe ndonjë ego mund të jetë kënaqur, ky fakt me të vërtetën e tij nuk i thotë asgjë Europës. Për këtë arsye, reagimi i komisionerit Hahn ishte pikërisht: ne nuk jemi automat që nxjerr kartëmonedha; pra ne nuk bëjmë tenderë me konflikte.

Ajo që duhet bërë është zëvendësimi i “kushton” me “vlen”. Ne vlerësohemi për aq sa vlejmë. Vetëm pengmarrësit u futen negociatave me pyetjen e thatë “sa kushton”.  
Problemi që duhet të zgjidhim fillimisht është të dimë se sa vlejmë në botën e standardeve perëndimore, sa vlejmë për Europën. Nëse nuk e shtrojmë këtë, atëherë fjala e Kryeministrit “ne ju kushtojmë 0,00 diçka” do të kujtohet përjetësisht si “ne vlejmë 0,00 diçka”.

Me gjithë kritikat që mund t’i bëjnë skeptikët Bashkimit Europian, ende sot askush nuk ka ofruar një zgjidhje më të mirë se sa formulën që e ngjizi atë  – bashkëpunimi ekonomik me të njëjtat rregulla loje. U tejkaluan inatet dhe konfliktet historike dhe politike më të paimagjinueshme, duke bashkëpunuar ekonomikisht. Sot Bashkimi Europian e ka qindrafishuar fuqinë e vet dhe faktet janë më kokëfortë se analizat e kujtdo. Kolona kryesore nga e cila Bashkimi Europian nuk ka lëvizur kurrë përmblidhet në një dhe vetëm një term: reformë strukturore. Kurrë dhe kurrë Europa nuk i ka mbyllur dyert e ndihmës për Shqipërinë.

Që të marrësh nga sistemi europian më shumë sesa 0.00 e një çikë, në radhë të parë duhet të kesh një sistem të ngjashëm me të tijin, një sistem në gjendje të absorbojë fondet dhe t’i përdorë ato me eficiencë. Nëse në sistemin europian çmimet e produkteve vendosen si një përgjigje e kërkesës ndaj ofertës, në sistemin shqiptar çmimet përcaktohen nga një fletë referencash në doganë, që të thotë se sa duhet ta kesh blerë mallin, pavarësisht se sa e ke blerë, me një fletë tatimesh që të thotë se sa duhet ta shesësh produktin, pavarësisht se për sa më pak mund të të jetë dashur ta shesësh (këtu hyjnë dhe ata që ndoshta e kanë shitur më shumë dhe përfitojnë), nga një fletë noteri që të tregon shumën për të cilën je i detyruar ta paguash taksën e shitjes së banesës në zonën X apo Y, pavarësisht se sa e ke shitur atë.

Në këtë mënyrë, sistemi ynë “auto-referencial” është plotësisht i sfazuar përkundrejt sistemit europian të ekonomisë reale të tregut.
Së shpejti sipërmarrësit privatë shqiptarë do të përballen me aksionin kundër informalitetit. Pyetja është: Çfarë informaliteti do të godasë ky aksion? A nuk është vetë sistemi në fuqi ai që mundëson informalitetin, e prodhon dhe e riprodhon atë? Çmimet e referencës, pikërisht ato që sot përbëjnë ligjshmërinë dhe shtyllën kurrizore të sistemit, janë në fakt prodhueset më të mëdha të informalitetit.

Sigurisht që klasa qeverisëse kaq gjë e di, por ndërsa nuk merr dot vendimin thelbësor për të ndryshuar sistemin, ajo na tund përpara fytyrës kartën e shtetformimit. Se nuk janë të paktë ata që kur dëgjojnë televizionet që buçasin për aksione masive për vjelje taksash dhe luftë pa kompromis kundër informalitetit, fërkojnë duart të kënaqur: “Ja, po bëhet shtet”.

Të bësh shtet çdo herë kur të mungojnë paratë në arkën e shtetit, do të thotë të demonstrosh mungesën e përhershme të tij. Të qeverisësh me aksione dhe fushata do të thotë të tregosh katërcipërisht se sundimi “me dorë të fortë” nuk është gjë tjetër veçse një version i butë i gjendjes së jashtëzakonshme, atij që Carl Schmitt e quan: “Rregulli i përjashtimit” – përjashtimi është më interesant se rregulli. Rregulli s’provon asgjë. Përjashtimi provon gjithçka.

Çfarë shteti “të fortë” do të bëjmë ne sot, kur ai është i gjithi një përjashtim interesant? Nga njëra anë administrata është mbushur me militantët e partisë, të cilët postin e kanë marrë si shpërblim elektoral, dhe përshkrimi i tyre i punës përmban vetëm një fjali – “mos më kërko llogari”. Edhe po ua kërkove llogarinë apo i pushove nga puna, në punë do të hyjnë përsëri militantë, çka është më e keqja, e gjithë ky sistem “perfekt” është blinduar me një kuadër ligjor akoma më “perfekt”, i cili qëndron totalisht jashtë realitetit.

Pakkush mendon për miliona eurot e harxhuara për trajnimin e disa nëpunësve që sot janë hedhur në rrugë, dhe ato ishin një pjesë e madhe para europiane. Kombinimi është absurd, shkatërrimi real. Përfundimi – nuk mund të bësh shtet të fortë, për sa kohë ke shtet të fortësh. Por mund të përpiqesh ta propagandosh “se po bën shtet” një herë në çdo tre muaj, me aksione ndaj më të dobëtëve.

Pikërisht në këtë situatë, Kryeministri shqiptar përsërit në Vjenë avazin e vjetër: “Europë, hap thesin”. Ndërsa konkurrenti i tij në basketboll, Kryeministri i Serbisë, thotë diçka tjetër: nga Europa Serbia nuk do asnjë euro. Serbia nuk do asnjë euro, ndërsa Shqipëria me kënaqësi do të pranonte disa qindra milionë – jo thjesht për vete, natyrisht, por edhe për hir të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Çfarë fshihet pas kësaj kontradikte?

Absolutisht e kundërta e asaj që thuhet. Shifrat janë këto: 500 – 600 milionë euro janë në dispozicion nga Europa për Ballkanin Perëndimor. Turqia menaxhon shuma të krahasueshme. Serbia thotë me krenari se nuk do më asnjë euro, pasi ka pasur raste kur shkalla e absorbimit të fondeve të BE-së prej saj ka arritur deri në 98 për qind. Shqipëria do dhjetëra miliona euro, por situata jonë është ajo e njeriut të etur që nuk mund të pijë asnjë gllënkë, edhe nëse dikush i hedh tonelata me ujë në fytyrë. 

Ndryshe është edhe Turqia, pavarësisht nga problemet me të drejtat e njeriut, terrorizmin, autoritarizmin dhe luftën në kufirin me Sirinë. Pa thënë asnjë gjysmë fjale as për “kusuret” e Europës, as për të vetat, Turqia i administron fondet europiane aq mirë sa nuk kthen më kusur. Për Shqipërinë e vogël, Europa akordon çdo vit rreth 80 – 84 milionë euro në fonde IPA, për të mos folur për kreditë e buta dhe nga bankat e zhvillimit dhe BERZH, që ofrojnë interesa minimale dhe grante deri në 20%. Instrumenti i asistencës financiare për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë aty. Instrumente të tjera të lavdishme të asistencës europiane gjenden të varrosur nën pluhurin e historisë jo shumë të largët: fondet PHARE apo fondet CARDs.

Për shkak të problemeve në zbatimin e programeve PHARE, disa projekte infrastrukturore vazhduan deri në vitin 2004, edhe pse zyrtarisht ky program u mbyll që në 2001! Në vitin 2002, për shkak të vonesave tona, Komisioni Europian vendosi të anulojë mbi 20 programe asistence me vlerë 13.7 milion euro.

“Paratë” e Europës nuk kanë munguar ndonjëherë. Ishin dhe janë aty. Shqipëria e varfër dhe në nevojë, por pabesueshmërisht e paaftë, nuk e kishte për gjë të linte varur miliona euro sepse nuk arrinte të shpronësonte një truall privat 20 metra katrorë, se procedurat nga një ministri në një tjetër vazhdonin pa fund. Ndryshimi i vërtetë nuk mund të vijë kështu.

Të rregullosh sistemin tatimor në atë mënyrë që shteti të njohë faturën reale, të krijosh një sistem që gjurmon faturën e çdo malli që kur hyn deri sa konsumohet plotësisht, nga prodhimi apo tregtimi, dhe taksimi të kryhet vetëm mbi një faturë dhe jo të taksohet një herë fatura, një herë fleta e çmimeve të referencës së Tatimeve e Doganave, kjo do të thotë të bësh reformën e sistemit në mënyrë strukturore. Kjo nuk i lë shans punonjësit të administratës të veprojë një herë sipas referencës, një herë sipas faturës, i cili kur vepron si të dojë e bën këtë i mbështetur në ligj, sepse në ligj njihen të dyja dhe ai është i ligjshëm të jetë si të dojë.

Europa, si çdo herë, edhe këtë herë na tha “kemi qindra milionë të mundshme për projekte, kemi dhe 7 miliardë nga bankat europiane si kredi të buta” – por ndërtoni sistemin dhe mund t’i keni. Këtë Europa e ka bërë gjithmonë. Kështu ka shpenzuar në Shqipëri miliona euro ndër vite për të shumëdiskutuarën reformë në Drejtësi, dhe sërish sot jemi në diskutime emrash dhe jo sistemi.

Sot diskutojmë gjyqtarë, presidentë, deputetë me emra dhe mbiemra, por ende nuk dihet cila është hierarkia që garanton një sistem drejtësie. Jo shumë vjet më parë, europianët hamendësonin nëse do të kishte efekt rritja e rrogave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në atë nivel të artë që do të pamundësonte korrupsionin. Sot ky opsion tashmë është zbehur. Për ata që janë korruptuar me sukses, asnjë pagë, sado e lartë, dhe sado e merituar nga ata që i kanë rezistuar korrupsionit duke mbetur me sukses të varfër, nuk do ta zgjidhte problemin. Sot problemi është ngritur në sistem, loja në drejtësi është një pingpong që huton edhe analistin më të hollë. Nuk dihet ku duhet vënë gishti për të rigjeneruar sistemin e Drejtësisë. 

Pingpongu zhvillohet midis gjykatave, Ministrisë së Drejtësisë, Parlamentit, KLD-së, Shkollës së Magjistraturës e sa të tjerëve akoma. Sot problemi është të sistemojmë renditjen e këtyre hallkave dhe vetëm pas renditjes së tyre hierarkike dhe qartësimit të funksioneve të tyre të përgjegjësisë finale, ne mund të vëmë gishtin te plagët dhe të fillojmë të rikuperojmë. Kjo quhet reformë strukturore, ajo që Bashkimi Europian po kërkon me vite prej nesh. Reforma strukturore e jep zgjidhjen në sistem, jo në emra. Përndryshe, siç edhe po ndodh, sistemi aktual të heq çdo mundësi që të mund të mendojmë që brenda sistemit të drejtësisë ka edhe njerëz të ndershëm dhe të pakorruptuar. 

Pikërisht në emër të riparimit të kësaj të keqeje, BE na ofron miliarda euro. Ndërsa, në emër të vazhdimësisë së po kësaj të keqeje, ne marrim të njëjtën ndihmë të përvitshme, të cilën herë-herë e quajmë 0.00 asgjë.
Europës nuk i kushton asgjë të na mbajë si një shtojcë diku në kufijtë e saj. Problemi është sa  vlen për ne dhe sa vlejmë për Europën kështu si jemi. Nëse ne duam t’i shprehim mirënjohje Europës, është mirë të fillojmë të flasim gjuhën e saj – gjuhën e shkëmbimit të rregullave të ngjashme, gjuhën e përafrimit dhe shkrirjes së sistemeve. Shqiptarët janë të gatshëm ta bëjnë këtë.

E vërteta është se shteti ynë i vdekur dhe mrekullisht i rilindur si shteti i të fortëve dhe i forcës nuk do të mbledhë dot më asnjë kacidhe aty ku s’ka më se çfarë të mbledhë. E vërteta është se në thelb reforma –çdo reformë– është koordinim, nuk është kërbaç.
Ndërtimi i një sistemi eficient ekonomik është themeli i çdo sistemi shoqëror që funksionon. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur nuk ka “gropa” të ligjshme që i mundësojnë shtetit të fundosë edhe më të rregullin e bizneseve, mjaft ta dëshirojë këtë. Sistemi europian nuk tregon muskujt duke arritur të mbledhë ca taksa me një grusht të fortë.

Ai e tregon forcën duke forcuar rregullat e lojës që krijojnë ekonomi solide. Ai nuk e tregon forcën duke arrestuar disa gra në Shkodër që shisnin duhanin e mbjellë vetë nga njëra anë, dhe duke toleruar miliona dollarë humbje me akcizën e duhanit.
Reforma në Drejtësi kërkon që politikanët të kenë forcën të kapërcejnë politikën e ditës dhe atë të mandatit dhe të vendosin një bashkëpunim të domosdoshëm, duke përplasur alternativat për zgjidhje, dhe duke i thënë njëri-tjetrit se do t’i tejkalojmë emrat personalë, një herë të vetme.

Nga ky konsensus prodhohet rendi i ri i institucioneve të Drejtësisë që ndajnë gradualisht të njomin nga i thati. Me të drejtë, shqiptarët kanë pasur intuitën të kërkojnë diçka që ne ndoshta e theksojmë dhe ia vëmë veshin shumë më pak seç duhet. Shqiptarët besojnë tek Europa, megjithëse i kanë lënë pas ëndrrat naive të viteve ’90.

Qëndresa e këtij besimi flet për një intuitë popullore që duhet thelluar mirë.  Përshpejtimi i rrugës drejt saj është një forcë me dy kahe – Europa na tërheq po aq shpejt, aq sa jemi të aftë të avancojmë drejt saj. Me shumë gjasa, Ballkani Perëndimor do të jetë zgjerimi i fundit i Bashkimit Europian. Europës nuk i kushton asgjë të vijojë të na japë aq fonde sa të mos i shkaktojmë shqetësim. Çdo anti-kondicionalitet rebelues ndaj saj, i tipit “na jep 0.00-dhe ca euro ose ndryshe do të bëhemi konfliktualë” është  një tezë më shumë se naive.

Ekziston një rrugë, të cilën intuita e njerëzve ndoshta e ka kapur më qartë, pa zhurmues të tjerë. Ndoshta do të ishte mirë të imagjinohej një skenar i një përfshirjeje sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në hapësirën europiane, përtej perfeksionimit të mëtejshëm të skemave të kondicionalitetit, dhe i skemave të reja “shqiptare” të anti-kondicionalitetit. Ndërsa deri më sot jemi mësuar me një Europë që na jep asistencë financiare, na vëzhgon, na tërheq vëmendjen për të bërë detyrat dhe në çaste krizash i duhet të gjendet këtu për të ribalancuar diplomatikisht raportet, ndoshta nesër do të arrijmë të dalim nga kjo rrugë, e cila nuk është se po zgjat pak.

Është plotësisht e mundur që me një formulë të re vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në BE me një status të kushtëzuar dhe roli i Bashkimit Europian të jetë shumë më pak diplomatik dhe shumë më i drejtpërdrejtë.
Mbetet e vërtetë që prej së paku dy dekadash mbi 85% e shqiptarëve do të votonin pa hezitim pro anëtarësimit në BE. Kryeministrat shkojnë dhe ikin, kjo shifër nuk lëviz. Por ka një të vërtetë edhe më të madhe, shqiptarët as që besojnë më se Europa është një automat banke, shumë nga këto ëndërrime i kanë varrosur prej dhjetëra vitesh.

Gjithmonë kam besuar tek intuita e shqiptarëve se nxitimi ynë për të hyrë në Europë nuk lidhet me iluzionin se do të bëhen të pasur. Çka shpresohet nga Europa, është diçka tjetër –rregullat e lojës, që ndiqen nga standardet e tregut, pastaj nga ata të jetesës. Ajo që i duam Europës është të mos sundohemi nga shteti-padron, i cili të dikton deri edhe normën e fitimit, deri edhe numrin e të punësuarve, deri edhe hoxhën e lagjes, deri edhe kambanën e kishës.

Ajo që duam nga Europa është të mos zhvillohen gjyqe popullore ndaj emrave të përveçëm, duke e konsideruar sistemin e Drejtësisë si një korporatë kriminale, duke e vendosur atë nën gijotinën e një ekzekutimi kolektiv.  
Ajo që duam nga Europa mund të arrihet vetëm prej këtu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura