Zerina e Pali Kuke: Si po e shohim mbesën të rritet në distancë

Jan 7, 2013 | 13:48
SHPËRNDAJE
Zerina Kuke me mbesën, Aerie Valentine

Jo shumë kohë më parë, i biri, i madhi, i gëzoi me një mbesë. E rrethuar në shtëpi vetëm nga meshkuj, Zerina Kuke e ka përjetuar dyfish lindjen e vogëlushes Aerie Valentine. Por Ergini dhe familja e tij jetojnë në SHBA e gjyshërit e rinj nuk mund ta gëzojnë dot nga afër mbesën e tyre. Fatmirësisht teknologjia ka shkurtuar rrugë, ndryshe nga shumë vite më parë. I shohin përditë, por fatkeqësisht ekrani nuk i lejon t’i prekin…

Gjyshe Zerinës iu desh të priste shumë vite deri sa shtëpia e saj, të gëzohej me një mbeskë të vogël. Duke qenë gjithë kohës e rrethuar nga i shoqi Pali dhe dy djmetë e saj, ardhja në jetë e një vajze, e ka gëzuar sa s’thuhet (s’ka si të ndodhë ndryshe). Vetëm se, Zerina nuk mundet që ta gëzojë praninë e së voglës, Aerie Valentine (i thërrasin Eri), aq sa do të donte. Djali i saj i madh, Ergini, jeton në Amerikë, rrugë tepër e gjatë për të prerë biletën sa herë të të teket, kështu që, në rastin e saj, mjetet e komunikimit janë bërë të domosdoshme. E ka përherë skype-n hapur në pritje të dritës jeshile prej laptop-it të të birit. Të mos ishte për mospërputhjen e orareve tona me të tyre, nuk do shkëputej asnjë çast. Nuk ngopet duke e parë të voglën sado që i biri e kënaqi sa mundi me trejavëshin e pushimit që bëri këtë fundvit në Tiranë, duke i bërë kështu prindërve dhuratën më të bukur që mund të prisnin. Sado që si gjyshi, si gjyshja ishin mes njëmijë e një punëve, e gjetën kohën për të kënaqur veten me Erin e vogël. Tani që ata janë larguar, s’iu ngelet tjetër veç ta shohin nga ekrani i vogël i Skype-it, duke e kthyer kështu këtë, një rit po aq të domosdoshëm, sa ushqyerjen.

Djali i Zerina Kukes, Ergini me të bijën

“Çdo mëngjes e shohim në Skype, kur ata bëhen gati për të fjetur, pastaj në darkë përsëri, ndërkohë që ata janë zgjuar e nisin ditën. Falë Zotit, tani është teknologjia që e mundëson këtë, që mund ta shohim mbesën e ta dëgjojmë dhe pse ata janë larg”, thotë Zerina Kuke. Në të vërtetë, ajo e ka parë në kohë reale të voglën që sapo erdhi në botë. “Djali dërgoi menjëherë në telefon pamjet e vajzës, pak pas lindjes, kur sapo e kishin mbështjellë dhe sapo ai e kish marrë në dorë. E pashë, u përshëndeta me djalin, me nusen. Ishin çaste shumë, shumë të bukura”… Imagjinoni, shumë vite më parë, kur Pali bënte operatorin e xhironte filma larg shtëpisë, Zirinës ndoshta i është dashur të presë radhën në postë për të folur me të shoqin, të merren vesh me telegrame e fletthirrje, rruga e të cilave nuk ishte sa një sms apo mms, por shumë e gjatë…

Të mos ishte për teknologjinë, as Zerina e as gjyshi Pali nuk do kishin rrezistuar pa fluturuar për orë të tëra deri sa të mbërrinin te bebushja. Në fakt, nuk është se nuk u bënë gati. Të mos kishte lajmëruar i biri dy ditë më parë për ardhjen e tij, mundet të ishin takuar në aeroportet e botës.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura