Zëri i Amerikës: FBI do sjellë agjent në Tiranë për Byronë e Hetimit

Oct 7, 2016 | 12:10
SHPËRNDAJE

Në Shqipëri parlamenti shqiptar votoi sot në mbrëmje paketën e ligjeve të domosdoshme për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Opozita siç kishte parlajmëruar dha votën e saj vetëm për ligjin për ngritjen e strukturave të posaçme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë, SPAK.

fbi

Ligji, i cili mori 122 vota në favor, parashikon dhe ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit, e cila pritet të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane. Në fakt dhe anëtarët e saj do të trajnohen pranë akademisë së FBI-së. Ata do të kenë në dispozicion teknologjitë më të avancuara të hetimit, ndërkohë që do të detyrohen t’i nënshtrohen dhe testit të së vërtetës.

Një agjent i FBI-së amerikane do të dërgohet gjithashtu në Tiranë për të mbikqyrur aktivitetin e anëtarëve të Byrosë. Parlamenti votoi edhe për 5 ligjet e tjera të cilat parashikojnë ngritjen e një sërë strukturash të reja dhe zëvendësimin e institucioneve ekzistuese të cilat shkrihen.

Por ato kaluan vetëm me votat e shumicës, pasi opozita braktisi sallën pas miratimit të SPAK-ut. Shumica megjithatë shtyu ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje me opozitën për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve që do të propozohen jo nga radhët e gjyqësorit për formimin e institucioneve të reja, që nga Këshilli i lartë Gyqësor, i cili zëvendëson Këshillin e Lartë të Drejtësisë, te Këshilli i Prokurorisë apo Inspektoriati i Drejtësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura