Zef Jubani, trashëgimia letrare e shqiptarëve dhe vendi i bejtexhinjve

Jun 27, 2016 | 18:30
SHPËRNDAJE

Çfarë përmbante antologjia e vitit 1871, “Raccolta di Canti Popolari”. Studiuesja Genciana Abazi-Egro në një shkrim në “Panorama” hedh dritë mbi këtë antologji, duke treguar detaje nga krijimtaria e Zef Jubanit, trashëgimia letrate e shqiptare dhe vendi i bejtexhinjve.

zef jubani

GENCIANA ABAZI-EGRO

Për të marrë pjesë në debatin ndërkombëtar të kohës mbi çështjen se kush ishin shqiptarët, Zef Jubani publikoi veprën e tij madhore Raccolta di Canti Popolari e Rapsodie di Poemi Albanesi.

Duke qenë shqiptar i trojeve shqiptare, ndryshe nga të gjithë ata që shkruanin për çështjen dhe kulturën shqiptare adresuar opinionit europian, ai gëzonte një avantazh të madh: njihte mirë poetët shqiptarë që kishin përdorur alfabete të ndryshme në shkrimin e shqipes. Prandaj në këtë vepër të botuar në Trieste më 1871-shin, ai aplikoi një qasje të veçantë. Nëpërmjet letërsisë (folklor dhe e kultivuar), që kanë krijuar shqiptarët përgjatë një shekulli e gjysmë, kërkoi që “të gjykohet mbi natyrën dhe karakterin e popullit shqiptar dhe mbi ndryshimet që kanë ndodhur në faza të ndryshme që nga shekujt e kaluar deri më sot”.

Në këtë kuadër ai konfiguroi një galeri të njerëzve të fuqishëm të mendjes që kishin pasur shqiptarët përgjatë shekujve. Këtë galeri të paraardhësve të famshëm të shqiptarëve ai e prezantoi në funksion të afirmimit ndërkombëtar të popullit shqiptar. Nga ana tjetër, nëpërmjet saj, ai kërkoi që t’i ndihmonte ngjalljes shpirtërore e mendore të shqiptarëve, por edhe ngritjes së krenarisë kombëtare dhe krijimit të modeleve kombëtare.

Për këtë arsye, ai veprën e shkruan në italisht, poezitë i boton shqip dhe i bashkëngjit përkthimin italisht. Arsyeja e dytë që e çoi drejt hartimit të kësaj antologjie të poezisë shqipe, e para e këtij lloji, ka të bëjë me idenë që po diskutohej në këtë kohë lidhur me fillimet e një letërsie kombëtare. Në hyrjen e antologjisë ai informon se në “kryeqendrën e perandorisë (Stamboll) është formuar një komitet letrar, pastërtisht shqiptar, me qëllim që të vendosë bazën më të përshtatshme për të nxitur dhe për të bërë të përbashkët letërsinë kombëtare”.

Madje, domosdoshmëria e “rilindjes së letërsisë” ka qenë temë edhe e një diskutimi që Zef Jubani ka pasur me Dora D’Istrian në një takim në Venecia, sikurse kjo e fundit ia pohon De Radës në letrën e datës 27 mars 1867. Parakusht për zhvillimin e letërsisë kombëtare, Zef Jubani konsideron krijimin e një alfabeti të përbashkët për shqiptarët. Madje, mungesën e këtij alfabeti e vlerëson si shkakun kryesor për moszhvillimin e duhur të letërsisë së kultivuar.

Në mbështetje të kësaj ideje poezitë shqipe në këtë antologji i boton me një alfabet të krijuar nga ai vetë me karaktere latine, gjë të cilën ai e shpjegon gjerë e gjatë në hyrje të antologjisë. Synimi i tij kryesor ishte: t’i ofronte një metodë lexuesit “për një shqiptim të mirë të fjalëve shqipe”, pa marrë përsipër që alfabeti i tij të zyrtarizohej duke u pranuar nga të gjithë shqiptarët.

Alfabeti i Zef Jubanit nuk pati sukses dhe nuk u ndoq nga të tjerët, por nga ana tjetër, kontributi i tij ishte me vlerë pasi ndikoi në punën që u krye me alfabetin e shqipes në vitet në vijim. Zhvillimin e letërsisë kombëtare ai e mbështet në dy kërkesa: inkurajim dhe lëvrim. Lëvrimin e vazhdueshëm dhe interesimin e fortë Zef Jubani i sheh si rrugët kryesore që do ta shpien letërsinë shqipe drejt përsosmërisë, pavarësisht se për momentin letërsia shqipe në gjykimin e tij ishte “në fazën e fëmijërisë” dhe nuk ishte e njohur ndërkombëtarisht.

Madje, edhe botimin e trashëgimisë letrare e vlerëson në këtë kuadër. E kaluara letrare është një model i mirë nxitës për të tashmen, pasi sipas Zef Jubanit, një popull që ka lindur personalitete të fuqishme letrare, sikurse Pjetër Bogdani, Nezim Berati dhe Hysen Dobraçi, është i aftë që ta realizojë sërish këtë. Kështu, në antologjinë e tij Zef Jubani kërkon të paraqesë një pamje sa më të gjerë të letërsisë shqipe dhe jep poezi nga Pjetër Bogdani (shek. XVII), Hysen Dobraçi (shek. XVIII), Nezim Berati (shek. XVIII), Sali Pata (shek. XVIII) dhe Pjetër Zarishi (shek. XIX).

Në fund, për të dhënë impulse të reja të letërsisë shqipe, ai ka përfshirë dhe një poezi të vetën dedikuar Dora d’Istrias. Me anë të kësaj përzgjedhjeje, Jubani është përpjekur të ndërtojë një historik të rrugës që ka ndjekur poezia shqipe për më shumë se një shekull e gjysmë. Por nuk është mjaftuar vetëm me kaq. Prezantimin e poezive e ka shoqëruar edhe me vlerësime për krijimtarinë e poetëve.

Ndonëse këto vlerësime mbeten në kuadrin e konstatimeve të përgjithshme, ato në historiografinë letrare shënojnë përpjekjen e parë për të kuptuar këta poetë dhe për t’i pozicionuar ata në historinë e letërsisë shqipe. Këtë punë që ka kryer për konfigurimin e trashëgimisë letrare, Zef Jubani e ka transmetuar në titull me termin rapsodie (di Poemi Albanesi), duke e diferencuar nga puna që ka kryer me këngët popullore të cilën e ka përcaktuar me anë të termit raccolta (di Canti Popolari) ‘mbledhje’ (këngësh popullore).

Në italisht termi rapsodie, krahas kuptimit të parë që ka hyrë edhe në shqipe “këngë epike, kreshnikësh” përdoret edhe me kuptimin “përmbledhje e pjesëve të një apo më shumë autorësh, të sistemuara në mënyrë të tillë që të formojnë një pjesë të tërë”. Këtë përdorim Zef Jubani e ka huazuar nga De Rada që vetëm pesë vite më parë kish botuar veprën (Rapsodie d’un poema albanese…). Në këtë vepër, De Rada u përpoq që të ndërtojë një epos të periudhës së Skënderbeut, nisur nga këngët popullore arbëreshe të cilat i vlerësoi si fragmente të mbijetuara të këtij eposi.

POETËT E SHEK. XVIII

Nga letërsia shqipe e shek. XVIII, Zef Jubani ka dhënë poetët Nezim Berati, Hysen Dobraçi dhe Sali Pata, që shqipen e shkruan me alfabetin arab. Nezim Berati dhe Hysen Dobraçi janë përmendur në literaturë edhe përpara këtij botimi. Hyacinthe Hecquard në veprën e tij mbi Shqipërinë e Veriut, nga e kaluara letrare e shqiptarëve ka veçuar poetin Molla Hyseni (Dobraçi) dhe ka botuar të përkthyera në frëngjisht tekstet e tri poezive. Këto poezi janë përzgjedhur edhe nga Jubani për antologjinë e tij.

Botimin e tekstit origjinal shqip të këtyre poezive Zef Jubani e ka parë si detyrim ndaj lexuesit. Dhe kjo ka qenë arsyeja përse ka përzgjedhur në antologji këto poezi, të cilat ai vetë ia kishte dhënë Hecquard-it, në kohën kur ky i fundit kishte qenë konsull i Francës në Shkodër. Për sa i përket Nezim Beratit, ky poet u bë i njohur për opinionin e gjerë europian nga Georg von Hahni, në librin e tij Studime Shqiptare (1853).

Hahni botoi 8 poezi nga Nezimi dhe këto i shoqëroi me disa vlerësime të përgjithshme për krijimtarinë, por edhe për jetën e tij. Ndonëse ky botim paraqitet problematik, ai shërbeu si referim për botimet e mëpasme mbi letërsinë shqipe deri në gjysmën e parë të shekullit XX. Zef Jubani, poetët Nezim Berati, Hysen Dobraçi dhe Sali Pata, sikurse e sqaron në hyrje, i ka përzgjedhur sepse janë poetë me emër ndër shqiptarët, por edhe sepse kanë vendosur një marrëdhënie të veçantë me lexuesin.

Për dy të parët ai pohon se kanë shkruar poezi mbi dashurinë, që ai i cilëson ashikërie, apo në përkthimin italisht anakreontike. Këtu e bazon dhe paralelizmin që vendos ndërmjet krijimtarisë së këtyre dy poetëve dhe Anakreontit të Greqisë së Lashtë, i njohur për poezitë e tij mbi dashurinë dhe verën. Krahasimin me Anakreontin ai e ka huazuar nga D. Camarda gjatë vlerësimit që ky i fundit u ka bërë poezive të Nezim Beratit.

Por, Zef Jubani ka shkuar shumë më tej, jo vetëm që e ka bërë pjesë të trashëgimisë letrare të shqiptarëve, por e ka vlerësuar maksimalisht atë, dhe së bashku me Molla Hysenin e ka bërë pjesë edhe të krenarisë shqiptare. Madje, për natyrën e poezive të Nezim Beratit, ndien të nevojshme të japë dhe shpjegimin “s’ka asgjë vulgare stili i tij i lirë dhe konciz; ai ka qenë mjaft erudit për t’u dhënë metrikën e duhur rimave të tij”. Për poezitë mbi dashurinë të Nezim Beratit dhe të Hysen Dobraçit ai jep dhe një detaj tjetër, ato këndohen në gëzimet e shqiptarëve.

Kjo sepse Nezim Berati poezitë “i ngjyros me plot entuziazëm, prej të cilit ato bëhen shpejt këngë.” Ndërsa Sali Patën, Zef Jubani e prezanton si autor “poezish të stolisura me shaka të hollë dhe satira” dhe e vlerëson si “kritik i sertë dhe në të njëjtën kohë me humor, pasi në satirat e veta nuk kursente as personalitetet e fuqishme, të cilët megjithatë i afroheshin me përzemërsi, pasi nuk ndjenin veç kënaqësi”. Zef Jubani informon lexuesit se nga krijimtaria e bollshme e Sali Patës ka përzgjedhur vetëm disa vargje, “thjesht për të treguar aftësinë e tij mendjemprehtë.”

Këtë poet Zef Jubani e përngjason me poetin satirik italian të shek. XVII, Giovanni Battista Casti, i njohur kryesisht për satirën politike në poezitë e tij. Duke krahasuar Nezim Beratin dhe Hysen Dobraçin respektivisht me Anakreontin, kurse Sali Patën me Casti-n, Zef Jubani kërkon që këta poetë t’i bëjë më të kuptueshëm për lexuesin europian, por edhe të orientojë mënyrën e konceptimit të tyre. Kjo, nga ana tjetër, i hap rrugë edhe shpjegimit të letërsisë shqipe sipas modeleve të letërsisë europiane, duke kërkuar një integrim të shqiptarëve në qarkun kulturor të popujve të Europës.

BEJTE DHE BEJTEXHI

Zef Jubani poetët Hysen Dobraçi dhe Sali Pata i prezanton me termin bejtaxhi shkodranë. Ndërsa për Nezim Beratin nuk përdor termin bejtexhi, por në titullin shpjegues që shoqëron poezinë e tij jep sqarimin poezi e bamun bejt. Përveç kësaj, njohjen e këtij poeti e lokalizon në një gjeografi më të gjerë, Shqipërinë e Mesme. Ky klasifikim i poetëve sipas llojit të letërsisë që kanë krijuar, por edhe gjeografisë së njohjes, hedh dritë mbi proceset letrare në këtë kohë, veçanërisht mbi letërsinë e bejtexhinjve.

Termi bejtexhi nuk është krijuar nga Zef Jubani. Ky term është përdorur në librat dhe fjalorët që janë botuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX lidhur me shqiptarët dhe kulturën e gjuhën e tyre. Mirëpo, te Jubani për herë të parë shohim që ky term t’u atribuohet poetëve konkretë, të cilët shkruanin bejte. Fakti që Jubani e ka pajisur veprën me shënime sqaruese, por edhe sepse poezitë dhe titujt e tyre janë përkthyer edhe në italisht, del qartë në pah se çfarë kuptohej me termin bejte dhe bejtexhi në mes të shekullit XIX, veçanërisht në krahinën e Shkodrës.

Në tekstet e botuara nga Jubani, bejt janë vargje të thurura me lehtësi “bejtat i qes me gisht/ posi kali pa pusate” thotë Sali Pata, apo “na i thanë Molla Ysennit: … do t na bajsh nji Bejt”. Bejti mund të thuret për një ngjarje të caktuar, kështu mund të ketë bejt mbi dashurinë (kang ashikrijet), por mund të jenë dhe bejta gazi, d.m.th. satirike, sikurse bejtet e Sali Patës, apo edhe mbi ngjarje historike, si konflikti midis Mahmud Pashë Bushatlliut dhe Kurt Pashës së Beratit, më 1795. Ndërkohë përkthimi italisht i termit bejt me canzone “këngë”, dhe shumë rrallë poesia, të shtyn të mendosh se kemi të bëjmë me vargje që shoqërohen edhe me melodi.

Ndryshimin e bejtit nga kuptimi klasik i poezisë e dëshmon edhe shprehja e “bamun bejt”, që Zef Jubani e ndjen të nevojshme të përdorë në titullin shpjegues për poezinë që ka dhënë nga krijimtaria e Nezim Beratit. Bejt këtu ka të bëjë drejtpërsëdrejti me një praktikë lidhur me vetë poezinë dhe fazat e transformimit që kalon ajo gjatë qarkullimit. Kështu, në fillim kemi poezinë e krijuar nga poeti, e cila pëlqehet nga lexuesit dhe në një etapë të dytë ajo bëhet këngë, d.m.th. transformohet në bejte. Këtë lloj përdorimi artistik e pohon edhe shënimi sqarues i Zef Jubanit për Nezim Beratin, “i ngjyroste [poezitë] plot me entuziazëm, sa që gjendeshin shpejt në të kënduar.”

Këtë fakt të vënë në dukje nga Jubani, e vërteton edhe ajo pjesë e krijimtarisë së Nezim Beratit që ka kaluar në fondin e këngëve qytetare dhe që këndohen edhe sot në qytetin e Beratit. Ky përdorim i bejtit te Jubani, d.m.th. vargje të rimuara që thuren me lehtësi mbi një tematikë të caktuar dhe që në shumë raste shoqërohen me melodi. Lidhja që bejt shfaq me këngët qytetare me autor sqarohet nga vetë Jubani kur thotë: “ka këngë popullore të hartuara prej poetësh me shkollë, kanë koncept ma elegant; dhe janë të stolisura me zbukurime, me të cilat është e pasur fantazia e poetit, që në deklamim mbërrin në ekstazë.”

Nga ana tjetër, ky përdorim gjuhësor ka sjellë edhe termin bejtaxhi, d.m.th. personi që thurte bejte. Bejtexhi në këtë kohë ka qenë një profesion. Dhe këtë e konfirmon vetë Sali Pata: “zanat tjetër un nuk di/ veç por bejta di me qitë”. Ndërkohë që edhe Molla Hyseni shfaqet në pozicionin e kronikanit në oborrin e Mahmud Pashë Bushatlliut, i cili regjistron ngjarjet, por edhe i thur lavde sundimtarit për bëmat e tij.

Kështu që bejtexhi në këtë kohë ka emërtuar një kategori poetësh që qëndronin ndërmjet poetit të letërsisë klasike dhe poetit popullor. Dhe Zef Jubani ka meritën që është i pari që ka botuar këtë lloj letërsie, e cila më vonë është përballuar me përjashtim nga historia e letërsisë, duke mbetur e pabotuar dhe e pastudiuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura