Ze Maria-Tirana, ja prapaskena që i mban pezull

Apr 19, 2018 | 13:14
SHPËRNDAJE

Ze Maria vazhdon të jetë në krye të Tiranës, megjithatë shanset që të qëndrojë në elitë sa vijnë edhe minimizohen. Kriza nuk ka të bëjë me financat. Duhet saktë- suar se trajneri nuk ka kërkuar rritje page dhe as klubi nuk është se i është futur një diskutimi të tillë. Përtej deklaratës që dha vetë presidenti Refik Halili, kur i kujtonte se ishte trajneri më i paguar edhe në Superiore, çështja nuk ka të bëjë fare me paratë. “Molla e sherrit” është merkatoja.

Krisja erdhi prej dy blerjeve ekskluzive të brazilianit. Të vetmet afrime që bëri këtë sezon, ishin Kenet Muguna dhe Musa Muhamed. I kërkoi me shumë forcë këto lojtarë që në nisje të sezonit 2017-2018, por klubi mundi që t’i siguronte vetëm në janar. Braziliani i ka trajnuar edhe te Gor Mahia, madje fliste me shumë superlativa për fantazistin dhe qendërmbrojtësin kenian.
ze maria
Klubi firmosi kontrata afatgjata me ta, përkatësisht 4-vjeçare dhe 2.5- vjeçare. Edhe pse nuk është se kanë pagë shumë të lartë, pasi marrin vetëm nga 2 mijë dollarë në muaj secili, bardhebluve u rëndon fakti që paguan 40 mijë dollarë për kartonin e Mugunës. Dhe me pak fjalë, tashmë u kanë mbetur në derë. Edhe pse u afruan me idenë për të bërë diferencën, drejtuesit dolën në konkluzionin se ata ishin nën nivelin mesatar dhe një investim i kotë, ndaj ia kanë faturuar fajin Ze Marias. Duke qenë se zgjedhjet rezultuan jo të duhurat, është krijuar një “hendek” për merkaton e elitës. Pra, a duhet t’i besohet ajo jo për afrimet e verës? Kjo është dilema që i është krijuar klubit.

Për anën profesionale të tij, drejtuesit nuk kanë kurrfarë dyshimi. Përkundrazi e vlerësojnë për mënyrën sesi e stërvit dhe menaxhon ekipin, por dy blerje të dështuara duket se kanë krijuar “ftohje”. Por, kjo vetëm njëra anë e medaljes, pasi situata u agravua për një tjetër fakt. Motivi i irritimit të brazilianit lidhet me mungesën e negociatave për zgjatjen e kontratës për Kategorinë Superiore. Edhe pse Ze Maria ka bërë ftesë publike për të nisur bisedimet për projektin e së ardhmes, por klubi nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për këtë çështje. Edhe pse në klub nuk është se i “kanë mbyllur derën”, hezitimi ka sjellë acarimin e Hoze Marselo Ferreirën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura