Ze Maria “pa doreza”: Në Afrikë janë më të rregullt me rrogat sesa në Shqipëri

Aug 24, 2018 | 10:50
SHPËRNDAJE

Hoze Marselo Ferreira e thotë troç! Tirana lufton për titullin, vetëm nëse klubi afron dy sulmues. Braziliani i bardhebluve, ndryshe nga një javë më parë, “i kthyer me këmbë në tokë” nga humbja me Kamzën, ka pranuar se objektivi real i Tiranës mbetet vendi në Europë. Ze Maria ka folur gjatë për ekipin, i cili nuk është gati për një sërë arsyesh. Dy fjalë edhe për takimin me presidentin Refik Halili, të cilin e kishte ftuar vetë ai për të marrë pjesë në stërvitje.

ze maria

Keni thënë se, gjatë javës së parë, Teuta është skuadra më e fortë ndër ekipet që keni parë në Kategorinë Superiore…

Teuta është një skuadër e mirë, me lojtarë të fortë. Kundër Flamurtarit luajtën shumë mirë, por të gjitha skuadrat e Superiores kanë luajtur mirë në takimet e para. Do të mundohemi që të japim më të mirën takimin e nesërm (sotëm) dhe të shënojmë gol. Pa gola nuk mund të fitosh. Dua ta pranoj se kemi pasur raste për gol apo skuadra luajti mirë, por nëse nuk shënojmë, është e kotë. Ky është qëllimi ynë. Kemi punuar shumë këto ditë që kemi pasur në dispozicion për arritur te goli.

A ka ndikuar humbja me Kamzën në gjendjen psikologjike të ekipit?

Psikologjikisht, po. Duhet të fitonim në ndeshjen e parë në Superligë, por rezultoi se disa lojtarë nuk ishin gati, pasi kishim të bënim me ngërçin e para dy viteve, apo disa detaje nuk plotësonin panoramën e këtij sezoni. Në këto kushte, emocionalisht, skuadra ishte e ngarkuar dhe nuk arriti të ishte në ekuilibër. Ajo që ndodhi në atë takim do të na ndihmojë për nesër (sot), për të qenë të përqendruar e për të fituar takimin. Edhe pse kemi një kundërshtar të vështirë përballë, ne do të mendojmë si Tirana e do të luajmë si Tirana. Nuk duhet të kemi frikë asnjë kundërshtar dhe specifikisht Teutën, sepse duhet të fitojmë çdo takim, duke respektuar atë që kemi përballë.

Do të ketë ndryshime në skuadër për këtë takim?

Do të ndryshojmë diçka nesër (sot). Jemi duke pritur Hasanin, i cili ka qenë i lënduar dhe ka pasur shqetësime gjatë javës. Nëse do të jetë gati, do të luajë, por duhet të presim deri në fund. Ai është ndryshimi më i madh kundër Teutës. Ka edhe dy lëvizje të vogla. Gjithsesi, jam i bindur se hap pas hapi skuadra do të reflektojë idetë e mia në fushën e lojës.

Me Kamzën luajtët me nëntë lojtarë, me të cilët keni ndërtuar ekipin e Kategorisë së Parë. Mendoni se një ekip i tillë mund të jetë gati për Superioren?

E kisha si obligim të aktivizoja ata lojtarë, të cilët mbyllën Kategorinë e Parë. Kjo, edhe pse lojtarët e rinj nuk janë gati për të luajtur 100 për qind, si në sistemin tim dhe fizikisht, pasi janë pak më poshtë se të tjerët. Lojtarët e rinj hap pas hapi do të ngjiten në lartësinë e duhur. Java e shkuar ishte një “dhuratë” për të gjithë lojtarët që mbyllën sezonin e shkuar, e për të treguar kualitetin në fushë, e që ata mund të luajnë në Superiore dhe jo vetëm në Kategorinë e Parë.

Jeni i kënaqur me Tiranën që keni në dispozicion. Kur do ta shohim Tiranën e vërtetë?

Në këtë grup mungon diçka. Më saktë një apo dy lojtarë: një sulmues dhe një “uinger”. Ua kam kërkuar drejtuesve dhe po punojnë për këtë. Gjithashtu, po e përsëris se ekipi do të jetë gati vetëm pas ndeshjes së tretë për të luftuar … por ama për të qenë në tri vendet e para. Jo më poshtë. Qëllimi ynë është Europa dhe këtu jam i sinqertë, ndonëse Tirana duhet të fitojë trofe gjatë sezonit. Dëshira jonë është të jemi të parët, por në këtë moment nuk i kemi të gjithë lojtarët për të punuar për titullin. Nëse klubi më jep dy sulmuesit, Ngoja kthehet në fushë, ashtu si edhe Lika, do të jemi shumë të fortë e më afër në luftën për titullin kampion.

Blazhevski, Berisha, Hasani, Imami apo Moçka, të gjithë afrime të verës që nuk janë ende në fushë. A e ka dhënë Ze Maria pëlqimin për të afruar këta lojtarë?

Menjëherë sapo përfundoi sezoni i shkuar, unë klubit i dhashë disa direktiva për ekipin apo lojtarët që doja. Klubi më ka ofruar lojtarë me kualitet të mirë si Blazhevski, Hasani e Kobina. Më duhet të ndryshoj diçka në sistemin tim për t’i aktivizuar të gjithë. Hasani e Kobina janë mesfushorë të mirë, por ne sezonin e shkuar, nuk kemi luajtur me numrin 10-të, siç thoni ju në Shqipëri. Kjo do të thotë se më duhet të përshtatem me lojtarët që kam. Do të punoj me këta futbollistë që kam në dispozicion. Nga të rinjtë, javën e parë të stërvitjes kisha vetëm dy lojtarë, ndërsa pjesa tjetër është shumë mbrapa sepse erdhën në mes të fazës përgatitore. Për të pasur një skuadër të fortë, duhet të kesh kohë të punosh dhe jo një apo dy javë kohë me të gjithë futbollistët, për të pasur ekipin gati. Për këtë arsye po ju them se pas tri takimeve, Tirana do të jetë shumë e fortë. E di që humbëm tri pikë, por nuk duhet të gabojmë në dy takimet e mbetura. Thjesht duhet të jemi të qetë, për të kaluar këtë situatë.

Do të luani me një formacion eksperimental shumë ofensiv. Me dy sulmues dhe ndoshta pa Dajën. E bën dot Tirana këtë gjë?

Duhet të presim nesër (sot) nëse do të luajmë me apo pa Dajën dhe si do të shkojë ndeshja. Jemi duke pritur deri sekondën e fundit për Hasanin, por asgjë nuk është vendosur.

Muguna është pjesë e Tiranës apo jo?

Lojtari ka folur me drejtorët e skuadrës për të ardhmen. Mbetet lojtari ynë, por diçka ka ndryshuar muajt e fundit. Unë personalisht jam duke pritur vendimin e klubit.

Muaj më parë në mediat keniane, Musa tha se kishte probleme pagesash dhe prandaj iku nga Tirana. Mos është njëjta histori…

Me sa di unë, Musa i ka marrë të gjitha pagesat. Ndonjëherë, prej të gjithëve kërkohet të jepet ndonjë justifikim. Lojtari i ka marrë paratë me disa ditë vonesë, por kjo është normale në Europë dhe botë. Kam jetuar në Milano dhe Peruxhia dhe është e njëjta situatë.

Ama, ai tha prej janarit deri në prill nuk ishte paguar?

Nuk është e vërtetë! Unë kam qenë trajner i tij në Kenia. E njoh mentalitetin e tyre. Në Afrikë për dy vite punë, rroga nuk m’u vonua më shumë se një javë. Nëse klubi nuk paguan në kohë rrogën, lojtarët bojkotojnë stërvitjen dhe kjo nëse vonohej më shumë se një javë. Këtu ndonjëherë presim më shumë, por të garantoj se klubi i ka paguar në kohë.

Dje, pas shumë kohësh, presidenti Halili vizitoi skuadrën në stërvitje. Ju takoi vetëm ju…

Në fakt, e kisha ftuar presidentin të ishte në një seancë stërvitore. E ftova sepse doja që skuadra ta shihte presidentin nga afër edhe në stërvitje. Kjo është normale, pasi ekipi duhet parë jo vetëm ditën e takimin, por edhe çfarë bën gjatë javës. Presidenti ndonjëherë nuk e kupton se çfarë ndodh të dielën dhe nëse vjen në stërvitje e kupton ekipin dhe atë që jep në fushë në fundjavë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura