Ze Maria gjen “armikun” te Tirana, por nuk merr përsipër gabimet pas humbjes me Kamzën

Aug 20, 2018 | 21:44
SHPËRNDAJE

Ka qenë një e diel ndryshe ajo e djeshmja te Tirana. Humbja me Kamzën ka turbulluar jo pak qetësinë e ekipit. Braziliani i Tiranës, Ze Maria, menjëherë pas tronditjes me Kamzën ka zhvilluar një analizë të gjatë me ekipin, pak para nisjes së stërvitjes së djeshme.

ze maria

Motivimi – Në fillim trajneri ka mbajtur një fjalim të gjatë para skuadrës. Ai ka folur me fjalë të mëdha dhe citate motivuese të emrave të mëdhenj inspirues. Fjalët e trajnerit kanë qenë për një qëllim. Të motivojë sa më shumë ekipin, i cili dukshëm është në një krizë psikologjike besimi, pasi është i ri dhe i sapoformuar. Trajneri ka folur gjatë dhe ka kërkuar nga ekipi që të ngrejë kokë dhe të reagojë në sfidën me Teutën. Sipas tij, nuk falet më, që futbollistët të gabojnë edhe në sfidën e dytë të kampionatit, pasi në të kundërt situata te bardheblutë bëhet serioze.

KËRKOHET FAJTORI – Pas fjalëve të mëdha dhe motivacioneve, të cilat i ka lëshuar me shumicë, në mbledhjen e djeshme trajneri Ze Maria ka nisur analizën e ndeshjes së humbur me Kamzën, e cila sipas tij mbetet e paimagjinueshme dhe e papranueshme. Është analizuar në detaj ndeshja dhe në fund është dalë në konkluzion. Faji është i një futbollisti, i cili ka gabuar në momentin e golit dhe i fatit për rastin e shtyllës. Vetë trajneri ka lënë të nënkuptohet se nuk ka asnjë përgjegjësi, por në fakt shumë faje mund të jenë të tij.

Çfarë përgjegjësie ka braziliani në 11-shen që kishte hedhur në fushën e lojës, e cila rrezikonte vetëm me goditje standarde? Po faktin përse skuadra nuk është e çliruar dhe e gjitha e përgatitur jo njëlloj dhe jo gati për ndeshjen e parë të kampionatit? Justifikimet janë vetëm për të kaluar radhën, pasi Tiranës i duhen fitore e pikë për të marrë zemër në një moment delikat, siç është fillimi i sezonit.

NDRYSHIMI – Trajneri Hoze Marselo Ferreira ka bërë me dije se nuk toleron më asnjë barazim, në dy javët e mbetura deri në ndaljen e kampionatit. Ai u ka bërë të qartë futbollistëve se në takimin me Teutën duhen vetëm tri pikët dhe asgjë tjetër. Për të nuk ka rëndësi loja. Trajneri është shprehur se ka kaluar vetëm një javë kampionat, i cili është shumë i gjatë. Tirana do të luajë edhe 35 javë të tjera dhe në fund do të shihet puna dhe rezultatet te bardheblutë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura