Zbulohet shkresa/ Rrezikohet zhvillimi i ndeshjes Flamurtari-Laçi, ja arsyeja

Sep 21, 2019 | 9:20
SHPËRNDAJE

Policia e Vlorës nuk merr përsipër orga nizimin e ndeshjes Flamurtari-Laçi. Klubi kuqezi i ka dërguar një shkresë zyrtare Komisariatit të Policisë së Vlorës, ku kërkon marrjen e masave nga ana e forcave të rendit për të hyrë në ambientet e brendshme të stadiumit.

flamurtari laci

“Kërkojmë ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për organizimin e ndeshjes Flamurtari-Laçi, të dielën ora 16:00. Ne si klub e kemi të vështirë të sigurojmë mbarëvajtjen e takimit, për shkak se nuk i kemi forcat e duhura të efektivëve privatë. Kërkojmë ndërhyrjen tuaj”, thuhej ndër të tjera në letrën e klubit vlonjat.

Por, Komisariati i Policisë së Vlorës i ka kthyer përgjigje negative Flamurtarit, duke i theksuar se nuk kanë kompetenca sipas ligjit të qëndrojnë brenda stadiumit.

LETRA

“Panorama Sport” zbulon letrën që Komisariati i Vlorës i ka dërguar klubit të futbollit Flamurtari, si kthim përgjigjeje ndaj kërkesës së tij. Policia thekson se nuk janë plotësuar disa kushte nga klubi që uniformat blu të qëndrojnë në ambientin e brendshëm të stadiumeve dhe për më tepër këtë nuk e lejon ligji. Drejtuesit e Policisë së Vlorës i kujtojnë klubit se do të jetë policia private ajo që duhet të merret me mbarëvajtjen e këtij takimi, ashtu si edhe të takimeve të tjera.

pOLICIA

Në kthimin e përgjigjes të binte në sy paragrafi ku policia sqaronte se klubi nuk ka plotësuar disa kushte. Nën zë, uniformat blu të Vlorës pohojnë për gazetën se e gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak se nuk janë paguar punonjësit e policisë që kanë qenë me shërbim për mbarëvajtjen e aktiviteteve. “Në përgjigje të letrës suaj, ju bëjmë me dije se nuk mund ta marrim përsipër organizimin e ndeshjes Flamurtari-Laçi. Nga klubi nuk janë plotësuar disa kushte. Në këto kushte, është e pamundur që ne të mundësojmë mbarëvajtjen e aktivitetit.

Policia do të garantojë rendin në stadium, por nuk mund të bëjë detyra që u takojnë të tjerëve. Në bazë të ligjit, Policia e Shtetit nuk mund të qëndrojë brenda stadiumit, por jashtë. Në territorin e brendshëm të stadiumit qëndrojnë vetëm stjuartët, të cilët duhet të merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit”, thuhet në letrën që Policia e Vlorës i ka dërguar klubit të Flamurtarit.

IDRIZI

Por çfarë tha administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, dy ditë më parë për “Panorama Sport” në lidhje me problemin e organizimit të ndeshjes së nesërme. “Problemi më i madh është se ne nuk organizojmë dot më ndeshje në Vlorë, pasi unë nuk kam ku të gjej polici private. Ligji kërkon një numër të konsiderueshëm me uniforma të policisë private, por në këto kushte nuk të vjen njeri.

Sinan-Idrizi

Nuk i gjejmë dot. Ndeshjen e radhës që luhet në Vlorë me Laçin unë nuk e organizoj dot. Nuk kam ku t’i gjej policët. Deri tani pata mirëkuptimin me këta miqtë e mi që kanë polici private dhe na ndihmuan secili me 4-5 efektivë, tani nuk kam ku t’i gjej më. Ligji thotë se duhet që të jenë 100 efektivë. Ku t’i gjej unë? Të gjithë këta kanë një problem dhe që thonë se nuk e marrin përsipër, sepse u hiqet licenca.

Pa anashkaluar problemin thelbësor që kemi ne, që mund të kemi dy, tre, apo pesë të meta, por kjo është një katastrofë. Nga ndeshja e radhës, ne duhet të gjejmë një rrugë. Në mbledhjen e fundit që patëm, ju e dini që unë kam qenë kundër policisë në stadium, për një stadium civil, por me këto kushte që kërkojnë këta që na thonë nuk kemi persona, nuk kemi ku gjejmë, nuk na del kjo, nuk na del ajo, atëherë nuk dimë se çfarë të bëjmë.

I bie që në një ndeshje ne të harxhojmë 5 milionë lekë të vjetër për të paguar këta. Do t’i paguajmë, por më skandaloze është se asnjë nga këto kompani të ruajtjes fizike nuk e plotëson kushtin. Po të shikosh në të gjitha stadiumet, rrallë mund të gjesh 100 stjuartë. Ku t’i gjejmë 100 në Vlorë ne?”, deklaroi Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura