Zbulohet raporti/ Ja abuzimet e rektorit të Bujqësorit me punësimet

Feb 12, 2016 | 8:19
SHPËRNDAJE

Lidhjet familjare janë kriteri kryesor për t’u punësuar në Universitetin Bujqësor. Këtë nuk e themi ne, por ekspertët e Ministrisë së Arsimit, pasi monitoruan standardet dhe ligjshmërinë në këtë universitet gjatë vitit 2014.

Rektori i UBT, Fatos Harizaj
Rektori i UBT, Fatos Harizaj

Në dokumentin e siguruar nga “Panorama” rezulton se rektori i Universitetit Bujqësor, Fatos Harizaj, ka marrë vendime që tejkalojnë kompetencat e funksionit që mban edhe sot, duke vepruar jashtë ligjit.

“Panorama” zbardh draft-raportin e ekspertëve, të cilët kanë hasur një sërë shkeljesh që nga dhënia e titujve, punësimi i stafit të brendshëm akademik e deri te qiratë që iu merren palëve të treta, të cilat bëjnë biznes në territoret e shkollës.

RASTET

Rezultojnë të paktën 40 raste të lidhjeve familjare brenda universitetit që evidentohen në raport, ndërsa konkretizohen tri raste sporadike që implikojnë vetë rektorin, ish-dekanin dhe shefen e Burimeve Njerëzore. “F.H. me pozicion rektor i UBT ka punësuar si pedagoge të brendshme vajzën e tij, L.H., dhe e dërgon jashtë shtetit për një periudhë më shumë se 3-vjeçare me financim të institucionit”, theksohet në raport.

Veç tij përmenden edhe dy të tjera nepotike që jo vetëm janë punësuar, por edhe kanë marrë përfitime studimesh jashtë vendit me buxhetin e universitetit.

“Pas verifikimit të librezës së punës, rezulton se K.M. është punësuar në vitin 01.11.2011. Në këtë kohë, V.M. (i ati), rezulton të ketë qenë dekan fakulteti. B.S., drejtoreshë e Burimeve Njerëzore ka konflikt interesi me vajzën M.L., pedagoge e fakultetit të Inxhinierisë Pyjore. M.L. është dërguar disa herë jashtë shtetit në periudha të gjata dhe me financim të institucionit”, nënvizojnë ekspertët e monitorimit.

Nga ana tjetër, pikërisht për të shmangur fenomenin e nepotizmit dhe konfliktit të interesit, universiteti ka një urdhër të posaçëm, ai nr. 38, i cili thotë qartë se fëmijët e pedagogëve, pavarësisht se përmbushin kërkesat, nuk mund të konkurrojnë për stafin akademik në departamentin ku janë punësuar prindërit e tyre.

faxPor, me ndryshimet e pësuara, një tjetër pikë vë në dukje se kjo gjë mund të ndodhë nëse fëmijët e pedagogëve kanë kryer studimet e ciklit të parë në këtë universitet, me kushtin që shkollimin e mëtejmë ta kenë kryer jashtë vendit, fenomen që në draft komentohet si “nepotizëm i moderuar”.

SHKELJET

Nëse flasim për Universitetin Bujqësor të Tiranës, referuar 60 faqeve raport, mund të thuhet pa frikë se kemi të bëjmë me centralizim të pushtetit në dorë të një personi, rektorit. Një nga gjetjet e ekspertëve thekson se ky i fundit ka kaluar kompetencat që parashikohen në statutin e institucionit të arsimit të lartë.

Për shembull, ai rezulton të ketë miratuar komisionet e mbrojtjes së doktoraturës pas miratimit të këshillit të profesorëve të fakulteteve apo të miratojë listën e studentëve që transferohen përpara procedurave të vlerësimit nga komisionet përkatëse, në kundërshtim me nenin 78, pika b të rregullores, ku thuhet se këtë vendim e merr rektorati, pasi të ketë marrë mendimin e dekanit të fakultetit përkatës.

Po ashtu, Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Pagave, që ligjërisht duhej të ishte në varësi të kancelarit, de facto varet nga rektori. “Ndonëse secili fakultet ka kancelarët përkatës në organigramë, asnjëri prej tyre nuk kryen aktivitet financiar, pasi ky mbulohet tërësisht në mënyrë të centralizuar nga kancelari i UBT”, nënvizon raporti. Abuzime të shumta janë vënë re edhe në dhënien e titujve akademikë.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura