Zbulohet plani i ri i Qeverisë/ Tokat me ligjin 7501, si do të ndahen tapitë

Sep 19, 2017 | 17:30
SHPËRNDAJE

Qeveria “Rama 2” do të përfundojë brenda katërvjeçarit procesin e dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore të ndara me ligjin 7501.

Niko Peleshi
Niko Peleshi

Në programin e qeverisë, të votuar në Parlament nga maxhoranca re, behët e ditur se deri në maj të vitit 2017 janë arritur të plotësohen 12.153 certifikata pronësie për tokat bujqësore. Për zgjidhjen e kësaj problematike të trashëguar në vite është zotuar në parlament dhe ministri i ri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi.

Ai bëri të ditur se procesi do të kryhet nga bashkitë dhe procedurat do të kryhen falas për çdo fermer. “Procesin e regjistrimit të titujve të pronësisë së tokës bujqësore (AMTP-ve) që e filluam në mandatin e parë qeverisës do ta përmbyllim në këtë mandat, duke ulur pasigurinë mbi pronën në zonat rurale dhe krijuar parakushtet për konsolidimin e fermave. Në mandatin e parë bëmë hapa të rëndësishëm, por të pamjaftueshëm për regjistrimin e titujve të pronësisë, me futjen në këtë proces të bashkive. Bashkitë me zyrat e regjistrimit kanë arritur të japin rreth 12153 certifikata pronësie deri në maj 2017, për të cilat janë punuar planvendosjet falas për çdo parcelë të AMTP për çdo fermer”, ka bërë të ditur Peleshi.

udhezimi

PROCEDURAT

Procesi i marrjes së certifikatës së pronësisë është thjeshtësuar me vetëm tri dokumente. Për t’u pajisur me certifikata, fermeri, i cili ka në dispozicion tokën, mjafton të shkojë pranë bashkisë përkatëse dhe të plotë- sojë një kërkesë për pajisjen me certifikatë pronësie.

Me vete duhet të ketë aktin e marrjes së tokës në pronësi (AMTP) dhe një certifikatë familjare. Pas këtyre procedurave, fermeri do të njoftohet nga njësia administrative ku banon brenda 60 ditësh për t’i dorëzuar certifikatën e pronësisë. I gjithë procesi do të jetë falas dhe do të kryhet nga topografët dhe ekspertët e bashkisë, që do të bëjnë gati dhe planvendosjen e ngastrës dhe dokumentin përfundimtar.

TAPITË

Por në rast se fermerët nuk kanë aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, i shpërndarë me ligjin 7501, atëherë procedurat do të kryen sërish në sportelin e bashkisë. Fermeri duhet të shkojë pranë bashkisë, të bëjë kërkesën, si dhe të dorëzojë planvendosjen e ngastrës.

Gjithashtu, kërkohet certifikatë familjare sipas regjistrit të gjendjes civile të vitit ’91 dhe certifikatë familjare e vitit 1992. Po ashtu, banori i fshatit duhet të paraqesë aktin e marrjes së pronës në përdorim nëse e disponon, si dhe dokumentacionin që është përfitues i tokës bujqësore nga qendra e banimit. Pesë dokumente duhen, edhe në rast se fermeri është përfitues i tokës bujqësore si bashkëthemelues i ish-ndërmarrjeve bujqësore.

Në këtë rast, veç kërkesës për t’u pajisur me certifikatë pronësie, kërkohet dokumentacioni kadastral ose hipotekor, i marrë nga arkivat apo gjyqet, që provon pronësinë mbi tokën bujqësore. Për këtë rast kërkohet planvendosje e ngastrës. Certifikatë familjare të vitit 1945-1950 në momentin e dorëzimit të tokës bujqësore, shoqëruar me aktet e trashëgimisë. Po ashtu, dhe aktin e marrjes së pronës në përdorim, në rast se e disponon. Edhe për këtë rast, fermeri njoftohet nga bashkia në përmbyllje të procesit.

FATION BINJAKU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura