Zbulohet pista e re, ja ku po heton policia pas atentatit ku u plagos prokurori Ndoja dhe dy të tjerë

Nov 2, 2019 | 10:44
SHPËRNDAJE

mha

Pista kryesore ku është përqëndruar grupi hetimor për atentatin e realizuar të premten ndaj makinës me të cilën udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit”, lidhet me luftën që po zhvillohet për kontrollin e Kadastrës së Durrësit dhe veçanërisht në konfliktin për pronat në Gjirin e Lalëzit, shkruan sot Top Channel. 

Për këtë arsye, hetuesit mendojnë se shënjestra e atentatit ka qenë pikërisht Landi Muharremi dhe jo prokurori Ndoja. Ky i fundit, ne deshmine e tij dhene pak ore pas ngjarjes ne spital, ka mohuar kategorikisht te kete qenë shënjestra në këtë ngjarje.

Muharremi, i njohur ndryshe edhe si Aleksandër Laho, njihet si person problematik dhe ka qenë i përfshirë në disa ngjarje. Ai u ndalua dy vite më parë edhe si përfshirë në rrahjen barbare që iu bë biznesmenit libanez, Faad Mitri, në kryqëzimin e Rinasit, pikërisht për një konflikt prone në Gjirin e Lalëzit, një prej zonave kryesore të turizmit në vend.

Ai është akuzuar edhe për dhunë ndaj një avokati dhe për disa ngjarje të tjera në qytetin bregdetar.

Ndërkohë, lufta për Lalëzin është përqëndruar muajt e fundit brenda Kadastrës së Durrësit, ku ka patur edhe arrestime të shumta deri në nivelin drejtues.

HETIMI

Ndonëse hetimet për atentatin janë përqendruar te vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës së prokurorit Arian Ndoja, Policia dhe Prokuroria nuk e përjashtojnë mundësinë që objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Landi Muharremi. Ky i fundit ka lidhje e afërta me Muharrem Muharremin, i përfshirë në konfliktin për pronat te Gjiri i Lalzit, që humbi biznesmeni libanez Fadi Mitri.

Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikano-libanez, Fadi Mitri, në rrugën e Rinasit. Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku dhe sipas burimeve nga grupi hetimor në atë kohë u dyshuan se mund të ishin paguar ose porositur nga persona të tjerë për të dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj. Me një automjet tip “Tuareg”, me targa italiane, ata përplasën makinën “Mitsubishi” ku ndodhej biznesmeni me familjen.

Tri vite më parë, burimet thanë se vetë i plagosuri e ka tërhequr denoncimin që iu mor disa orë pas ngjarjes në spitalin privat ku mori mjekim. Megjithatë, Policia i kreu veprimet me iniciativë, duke qenë se ishin përballë dy veprave penale, siç ishte “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Kanosja”. Burime nga Policia thanë në atë kohë se tre personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen e datës 10 shtator 2016 ishin: Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku.

Njëri prej tyre, Krahja, u arrestua pasi iu gjet një sasi hashashi në xhep. Ndërsa në lidhje me plagosjen e rëndë të biznesmenit Fadi Mitri, nuk u gjetën prova të mjaftueshme që t’i lidhnin me ngjarjen. Por, përveç kësaj ngjarjeje, Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati vitin e kaluar, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura