Zbulohet pika e reformës në drejtësi që ndan Ramën nga Basha

Jun 7, 2016 | 7:35
SHPËRNDAJE

Takimi i gjatë Rama-Basha që zgjati rreth tre orë nuk ka sjellë asnjë rezultat sa i takon arritjes së kompromisit për reformë në drejtësi.

Kryeministri Edi Rama, gjate nje takimi ne Pallatin e Kongreseve me Kryetarin e PD, Lulzim Basha, ku kane diskutuar ne lidhje me reformen ne drejtesi./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, during a meeting with Leader of the Democratic Party Lulzim Basha, where they discussed about judicial reform.
Kryeministri Edi Rama, gjate nje takimi ne Pallatin e Kongreseve me Kryetarin e PD, Lulzim Basha, ku kane diskutuar ne lidhje me reformen ne drejtesi.

Fillimisht ishte kreu i mazhorancës, Edi Rama që doli në një deklaratë për shtyp ku bëri të ditur dështimin e negociatave.

Rama tha se PD kishte refuzuar propozimin për votim me 2/3, gjë të cilën PD e ka kërkuar prej kohësh.

Por, lideri i opozitës në fjalën e tij u shpreh se takimi dështoi pasi PS nuk pranoi propozimin për “vendet të rezervuara” në formulën e emërimit të funksionarëve të rinj të sistemit të drejtësisë.

Çfarë janë “vendet të rezervuara”?

Mazhoranca që nga Shtatori 2015 ka këmbëngulur që emërimi të bëhet me 3/5 e votave në Kuvend të cilat aktualisht zotërohen prej saj. Për opozitën një propozim i tillë është konsideruar i papranueshëm, për shkak se siguronte kapjen politike të gjithë sistemit të drejtësisë nga Qeveria.

Faktori ndërkombëtar në vend dhe konkretisht ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS, duke mbajtur në konsideratë Opinionin e Ndërmjetëm të Komisionit të Venecias, në muajin Shkurt 2016, i sugjeruan palëve politike dy modele alternative të zgjedhjes, që shmangnin formulën e emërimit me 3/5, dhe konkretisht modelin e “vendeve të rezervuara” dhe modelin e “votës së transferueshme”.

Opozita është shprehur se në Shkurt 2016 ka pranuar si zgjidhje modelin e “vendeve të rezervuara”, si metodën e vetme që siguron moskapjen politike nga asnjë prej palëve të sistemit të drejtësisë.

Metoda e vendeve të rezervuara është sugjeruar në Mars 2016 edhe nga Komisioni i Venecias në paragrafin 17 dhe 88 të Opinionit Final, si një zgjidhje në përputhje me standardet europiane dhe që shmang ngërcin që krijojnë zakonisht shumicat e cilësuara, në emërimet për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe Kolegjin e Posacëm të Kualifikimit në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Komisioni i Venecias i ka sugjeruar palëve një rregull të përkohshëm për zgjedhjen e këtyre dy figurave zyrtare me një shumicë më të madhe se 3/5. Komisioni i Venecias kërkoi që opozita të kishte rol dhe të përfaqësohej në organet kolegjiale të sistemit të drejtësisë.

Por cfarë nënkupton modeli i vendeve të rezervuara, që është pranuar nga opozita si garanci për moskapjen politike të sistemit të drejtësisë?

Komisioni i Venecias, në Opinionin Final të tij, ka prezantuar si konkluzion faktin se nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes. Metoda e vendeve të rezervuara siguron pikërisht këtë – përfaqësimin proporcional të mazhorancës dhe opozitës në organet e sistemit të drejtësisë.

Sipas modelit të vendeve të rezervuara, anëtarët e organeve kolegjiale (KLGJ, KLP, KPK dhe Kolegjin e Posacëm) do të përzgjidhen në mënyrë proporcionale e të barabartë nga lista e ndarë e kandidatëve profesionistë që mbështeten nga mazhoranca dhe nga opozita.

Secili grupim parlamentar i paraqet Kuvendit listën e kandidatëve që mbështeten prej saj, dhe ky i fundit është i detyruar të zgjedhë anëtarët nga secila listë në mënyrë të barabratë. Në këtë mënyrë, asnjë nga palët politike nuk do të mund të kontrollojë politikisht organet e sistemit të drejtësisë, pavarësisht nëse është në mazhorancë apo në opozitë.

Modeli i vendeve të rezervuara është në përputhje me parimin e balancës midis pushteteve dhe nxit më tej përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë, për shkak të kontrollit të ndërsjelltë që anëtarët e përzgjedhur në mënyrë proporcionale do të bënin ndaj sistemit të drejtësisë. Një model i tillë është pranuar si zgjidhje më parë edhe në Kroaci, gjatë fazës që ky shtet, njëlloj si Shqipëria, përgatitej të bëhej pjesë e Bashkimit Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura