Zbulohet pakti i Bashës me të rinjtë e FRPD-së, pas krisjes për listat

Oct 11, 2017 | 20:58
SHPËRNDAJE

Pas takimit pesë orësh me kreun e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka treguar se mes Bashës dhe të rinjve është ngritur sërish një urë besimi, në sajë të një premtim konkret për marrjen e garancive statuore.

kellici basha

Kreu i FRPD-së në një prononcim për “ABC News” tha se:  Është vënë një tullë e parë besimi në këtë marrëdhënie dhe është bërë një hap i parë shumë i rëndësishëm.

Këlliçi tha gjithashtu se në takim u fol hapur dhe për gjithçka, e ndërsa ka ardhur edhe ndjesa nga kreu i PD-së Basha.

kellici

Po ashtu Këlliçi deklaron se në takim u fol për ndryshime të cilat do të garantojnë përfaqësimin e forumit jo vetëm në grupin parlamentar, por edhe në strukturat e partisë dhe këshillat bashkiakë apo për kryetar  bashkish në zgjedhjet lokale.

“Ka qenë vetë zoti Basha që ka promovuar në maksimum, dhe përtej kërkesave tona këtë strukturë, ka promovuar gjithë kohës FRPD, ka promovuar strukturën e forumit në të gjithë Shqipërinë me premtimin e tij se 35 % e kandidatëve do të vinin nga radhët e forumit.

Ai ka pranuar edhe vetë se është bërë një gabim për sa i përket përfaqësimit  të forumit për faktin se sot nuk kemi asnjë përfaqësues nga forumi në parlament. Dhënia e bazës së besimit ka ardhur me  një premtim konkret për marrjen e garancive statuore dhe përfaqësim me kandidatë në zgjedhjet vendore.

Ndryshime të cilat do të garantojnë përfaqësimin e forumit jo vetëm në grupin parlamentar, por në radhë të parë në organet vendimmarrëse në Partinë Demokratike, në strukturat e partisë dhe pse jo në këshillat bashkiakë dhe të kemi edhe ne kandidatë për kryetar  bashkish në zgjedhjet lokale duke nisur  nga viti 2019,” tha kreu i FRPD-së.

E ndërsa për platformën e ngritur nga Astrit Patozi, e cila mbështetet nga sekretari i përgjithshëm i FRPD-së, Këlliçi tha se e rëndësishme është që të gjitha kritikat, diskutimet, sugjerimet të bëhen brenda forumeve të Partisë Demokratike dhe brenda organeve  vendimmarrëse të PD-së.

“Target sulmi është vetëm një, dhe ai është Edi Rama”, shprehet Belind Këlliçi. E rëndësishme është që e shkuara është lënë pas, me një kusht të vetëm, për të mos u harruar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura