Zbulohet letra nga burgu e Halit Bajramit: Pse isha me Xhevdet Mustafën

Jul 20, 2015 | 12:27
SHPËRNDAJE

Halit Bajrami, i mbijetuarit i bandës së Xhevdet Mustafës, që zbarkoi në Shqipëri në shtator të vitit 1982, ka shënjuar një histori me shumë mistere.

Mjaft syresh, duke filluar nga mënyra si shpëtoi, rrethanat e hetimit dhe gjykimit special, “izolimi” te 15-katëshi për vuajtjen e dënimit dhe deri te riatdhesimi në fshehtësi në përkujdesjen e autoriteteve shqiptare, vazhdojnë të intrigojnë studiuesit edhe në ditët e sotme.

HALIT BAJRAMI GJATE DESHMISE NE GJYQIN PER KADRI HAZBIUN
HALIT BAJRAMI GJATE DESHMISE
NE GJYQIN PER KADRI HAZBIUN
Hamendësimet e shumta mbi dilemat e çështjes “Bajrami” janë dominuar nga ideja se ky i fundit ka qenë misionar i Sigurimit të Shtetit në radhët e bandës së njohur me emrin e Xhevdet Mustafës. Pak a shumë për këtë qasje bëjnë fjalë edhe disa studiues që kanë mundur të shfletojnë dokumentacionin e procesit gjyqësor ndaj Bajramit në vitin 1984.

Megjithatë, aq sa është ndriçuar deri tani roli i Halit Bajramit në këtë ngjarje të bujshme, ideja e të infiltruarit të Sigurimit mbetet hipotetike. Në hulumtimet mbi enigmat e kësaj historie, gazeta “Panorama” ka zbuluar së fundi një dokument autentik, ku Halit Bajrami pohon me gojën e vet se ka qenë agjent i Sigurimit të Shtetit dhe është përfshirë në bandën e Xhevdet Mustafës me mision të porositur nga ky i fundit.

Në një letër që i drejtonte Ramiz Alisë, me cilësinë e Presidentit të Republikës, në maj të vitit 1984, kur ishte duke vuajtur dënimin, Bajrami shkruan, e zeza në të bardhë: Erdha në Shqipëri me bandën kriminale të Xhevdet Mustafës për të penguar realizimin e qëllimeve të saj për likuidimin fizik të udhëheqësit kryesor(!).”. I mbijetuari i bandës, i dënuar me 8 vite me një proces tërësisht hermetik “për shpërdorim detyre”, pasi përgjërohet për fajin e arratisjes që ka bërë në vitin e largët 1950, vë në vëmendjen e Presidentit komunist faktin se qysh nga viti 1958 është përpjekur ta shlyejë gabimin e rëndë në dobi të Atdheut, duke rrezikuar çdo gjë, familjen, fëmijët dhe jetën e tij për t’i shërbyer Shqipërisë.

letrahaliti

Njëherazi me ndjesën për fajin e dikurshëm, i mbijetuari i bandës së Xhevdet Mustafës, në letrën për Alinë, veçon përgjegjësinë e tij në operacionin e shtatorit 1982. Bëra gabimin e pafalshëm, nënvizon ai, që nuk arrita me të gjitha mënyrat të asgjësoja bandën kriminale, e cila vrau gjashtë qytetarë shqiptarë”. Një pohim interesant ky, që zbulon pjesën tjetër të misionit, neutralizimin e bandës gjatë zbarkimit në Shqipëri. Sidoqoftë, deri këtu Bajrami, i bishtnon qëllimit kryesor të “vizitës” misterioze të atyre tre diversantëve në vjeshtën e parë të 1982-shit.

Megjithatë, duke e ditur me kë komunikon, i lë të kuptojë numrit dy të regjimit se, pavarësisht kostos, detyrën e ka çuar deri në fund. Nënteksti në këtë rast ka të bëjë me sjelljen e tij pas ngjarjes së bujshme, ekskluzivisht me rolin në proceset që kryqëzuan një nga njerëzit më të fuqishëm të lidershipit komunist, ministrin historik të Sigurimit të Shtetit.

Më saktësisht, pozicioni i tij në gjyqin e Kadri Hazbiut! I mbijetuari i bandës, siç është bërë e njohur tashmë, ka hedhur aty dëshminë e fortë, sipas së cilës grupi prej tre vetash në të cilin bënte pjesë dhe ai, desantoi në Shqipëri për t’i ardhur në ndihmë Kadri Hazbiut në operacionin agjenturor për eliminimin e Enver Hoxhës. Pavarësisht se në përballjen e të dyve kjo nuk u provua asnjëherë, autoritetet e morën të mirëqenë(nuk kishte si të ndodhte ndryshe) dhe Hazbiu shkoi para skuadrës së pushkatimit. Përfundimisht, “Loja” me të penduarin e arratisur rezultoi e suksesshme.

Halit Bajrami nga ky moment do të ndërronte qelinë e Burgut 313 me një nga dhomat e 15-katëshit në pritje të “benefiteve” për realizimin e kombinacionit sekret që “vërtetoi” tradhtinë ndaj atdheut të Kadri Hazbiut. Letra që i adreson Ramiz Alisë, të cilën e zbardhim të plotë, është shkruar pikërisht në këtë periudhë.

Interesante në praktikën e kësaj korrespodence, realizuar me ndërmjetësinë e ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, është përgjigja e ish-presidentit, i cili nuk e sheh të udhës lirimin e menjëhershëm të Bajramit dhe ia lë atë për kompetencë organeve të Sigurimit të Shtetit..

DOKUMENTI

Kërkesë

Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë

Shokut Ramiz Alia

Tiranë, më 11.5.1984

Kotorr të Malit të Zi dhe me banim të hershëm në qytetin e Durrësit, me kombësi dhe me shtetësi shqiptare, me origjinë shoqërore i varfër, me arsim të mesëm, i martuar, me dy fëmijë që banojnë në Aushlandar-Zelandë e Re, u dënuar nga Gjykata e Naltë më datën 4.5.1984 me 9 vjet heqje lirie për krimin e shpërdorimit të detyrës, dënim nga i cili kam vuajtur 20 muaj, parashtroj sa vijon:

Në vitin 1950, duke qenë anëtar i Partisë së Punës dhe oficer, kreva krimin e rëndë, tradhtova Atdheun, duke u arratisur në Greqi dhe më vonë u vendosa me banim dhe me punë në Zelandën e Re. Që në atë kohë e deri më sot më ka vrarë ndërgjegjja për fajin e rëndë që bëra ndaj Atdheut.

Për këtë arsye jam përpjekur vazhdimisht për me e shlye fajin e rëndë, duke punuar qysh prej vitit 1958 në dobi të Atdheut. Duke kryer këtë detyrë, në vitin 1982 në muajin shtator, erdha në Shqipëri me bandën kriminale të Xhevdet Mustafës për të penguar realizimin e qëllimeve të saj për likuidimin fizik të udhëheqësit kryesor.

Unë rrezikova çdo gjë, familjen, fëmijët dhe jetën time për me i shërbye Shqipërisë, por në këtë kohë bëra gabimin që nuk ia fal kurrë vetes që nuk arrita me të gjitha mënyrat që të asgjësoja bandën kriminale, e cila vrau gjashtë qytetarë shqiptarë. Unë e ndej thellë përgjegjësinë dhe fajin që kam për këto pasoja dhe e ndiej shumë të drejtë dënimin që më dha Gjykata e Naltë.

Me gjithë atë, i lutem atij Presidiumi që, duke e pasur parasysh gjithë jetën time, përpjekjet, sakrificat e mia dhe kontributin tim në dobi të Atdheut, si dhe vendosmërinë time për t’i shërbyer në çdo rast Shqipërisë, të më falë dënimin.

Me respekt

I dënuari

Halit Bajrami

Tiranë, më 11.5.1984

I vetmi reagim i Ramiz Alisë ndaj kërkesës që i drejton Halit Bajrami nga burgu, është një fjali me shkrim dore në krye të shkresës shoqëruese të letrës firmosur nga ministri i Brendshëm, Hekuran Isai. “Tani për tani le të mbetet në burg.

Më vonë Ministria të na thotë mendimin nëse duhet të largohet”. As më shumë, as më pak, Presidenti komunist e rikthen çështjen për “kompetencë” aty ku ka lindur si e tillë, tek organet për të cilat ka “luajtur” autori i letrës. Sidoqoftë, Alia nuk harron t’u kujtojë që mos të nxitohen në riatdhesimin e njeriut që kryqëzoi Kadri Hazbiun. Ndryshe, sipas logjikës së tij, rrezikohet dekonspirimi i kombinacionit që u realizua me kontributin e pazëvendësueshëm të mysafirit nga Zelanda e Re. Jo rastësisht, njeriu më i pushtetshëm i regjimit pas Hoxhës, kërkon ta trajtojë kërkesën e Bajramit te Ministria e Brendshme, alias Sigurimi i Shtetit, institucioni i vetëm që siguronte garancitë konspirative të operacioneve të këtij lloji. Si përfundim, Halit Bajrami qëndroi dhe dy vjet të tjera, i burgosur te 15-katëshi për t’u riatdhesuar nga Greqia në shoqërinë e zyrtarëve të rëndësishëm të policisë sekrete që ishin marrë me procesin e tij qysh ditët e para.

Ky i fundit sakaq do të arkivohej në dosjet sekrete për të “sekretuar” përjetësisht misionin misterioz të të mbijetuarit të bandës që zbarkoi në vjeshtën e vitit 1982. Studiuesi Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, është i vetmi deri tani që ka zbardhur kronologjinë e procesit misterioz ndaj Halit Bajramit…

MISTERET E PROCESIT

Më 25 shtator 1982, zbarkoi Xhevdet Mustafa vetë i tretë, njëri prej të cilëve ishte Halit Bajrami, vetë “Bazeni”. Ky i fundit, i ardhur për të kontrolluar Xhevdetin dhe Sabaudinin, u përdor më vonë si dëshmitar kundër Kadri Hazbiut, madje në plan ishte që fillimisht të dënohej në një proces me të. Halit Bajrami, shtetas neozelandez, agjent i fjetur i Sigurimit, i njohur edhe me emrin “Aleksandër Bajrami”, i aktivizuar si agjent vetëm pak muaj para se të vinte në Shqipëri, do vihej në funksion të kombinacionit për të vërtetuar “tradhtinë ndaj atdheut” të Kadri Hazbiut. Esencialisht ai do të përdorej në proceset gjyqësore të “grupeve” që kryesoheshin nga Kadri Hazbiu dhe Fiqret Shehu. Bajrami duhej të provonte se grupi prej tre vetash në të cilin ai bënte pjesë, do të vinte në ndihmë të Kadri Hazbiut dhe do të eliminonte Enver Hoxhën. Halit Bajramit iu pre mandati i arrestit më 26 shtator 1982, pra një ditë pas ngjarjes.

Fillimisht akuzohej për pjesë- marrje në bandë të armatosur, për hyrje ilegale në RPSSH dhe për vepra terrori (vrasja e Enver Hoxhës) të ngelur në tentativë. Në nënshkrimin e parë, Halit Bajrami firmos me emrin Aleksandër Bajrami (Arifi). Më 12 tetor 1982, hetuesi Dilaver Bengasi e ka trajtuar çështjen si të veçantë. Por më 15 tetor 1982 hetuesit Thoma Tutulani dhe Shkëlzen Bajraktari vendosën të bashkojnë çështjen e Bajramit dhe atë të Kadri Hazbiut.

Më 30 tetor 1982 përgjegjësi i grupit të hetimit, njëkohë- sisht ministër i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, mori vendimin e shfuqizimit të vendimit të një dite më parë për mbylljen e hetimit nga ana e Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, duke e kaluar prerazi çështjen, si çështje që lidhet me Kadri Hazbiun. Qëllimi kryesor sipas tyre, kishte qenë arritja e një grushti shteti dhe vrasja e Enver Hoxhës. Por, pasi ujërat kanë rrjedhur dhe çështjet janë diskutuar me laps në dorë, më 11 korrik 1983 hetuesit e çështjes marrin vendimin për ndarjen e çështjes së Halit Bajramit nga ajo e të pandehurve të tjerë. Më 28 gusht 1983, Halit Bajramit i komunikohet pushimi i akuzës për tradhti ndaj atdheut(!), duke i ngelur çështje penale të karakterit të vogël, që gjithsesi nuk sillnin dënim me vdekje. Në fund është qesharake, por është e vërtetë, Halit Bajrami u dënua “për shpërdorim detyre”.

Sipas aktakuzës së hartuar më 6 shtator 1983, thuhej se në Romë me sekretarin e Ambasadës Jugosllave atje, Sabaudini dhe Haliti kishin arritur marrëveshjen, që me ndihmën e Feçor Shehut dhe Kadri Hazbiut, të eliminonin Enver Hoxhën. Halit Bajrami dëshmoi në gjyq si kundër Kadri Hazbiut, ashtu edhe kundër Fiqret Shehut. Në gjyq tha se ishte në lidhje me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun për të vrarë Enver Hoxhën. U përplas në gjyq me Kadri Hazbiun. Ruajti gjakftohtësinë dhe nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje që i bënte Hazbiu. Pas dhënies së dënimeve rrinte sa në Burgun nr.313, aq edhe në hotel “Tirana”, deri sa të plotësohej koha e mbarimit të kombinacionit.

Kush ishte Halit Bajrami

Njëri nga ish-partizanët e Pezës dhe më vonë i Brigadës së Tretë, Halit Bajrami, i biri i Rizait dhe Ismetes, i lindur në vitin 1925, shërbeu pas çlirimit për disa vite me radhë në detyrën e kreut të Sigurimit të Divizionit të Korçës. Në vitin 1950 është arratisur jashtë Shqipërisë. Për disa muaj ka qëndruar në kampin e emigrantëve në Greqi dhe më vonë, me kërkesën e tij, ka fituar një azil politik në Zelandën e Re ku qëndroi deri në fillimin e viteve ’80. Pikërisht në vjeshtën e vitit ’82 bashkohet me një grup që do të zbarkonte në Shqipëri me mision të zbulimit. Ka qenë shtatori i atij viti ku banda e Xhevdet Mustafës, në të cilën bënte pjesë edhe ai, do të binte në pritën e organeve të Sigurimit dhe do të asgjësohej. Halit Bajrami mundi të mbijetojë për të dhënë llogari para drejtësisë, e cila e dënoi me 8 vite me akuzën “shpërdorim detyre”. Pak kohë pas përfundimit të procesit gjyqësor është riatdhesuar në Zelandë, ku kishte familjen. Bajrami, ndryshe “Bazeni” ka qenë agjent i fjetur i Sigurimit, i njohur me emrin “Aleksandër Bajrami”, i aktivizuar si agjent fillimisht në vitin 1958. Në shtator të vitit 1982 erdhi në Shqipëri, si pjesë e një grupi diversionist në funksion të kombinacionit sekret për të vërtetuar “tradhtinë ndaj atdheut” të Kadri Hazbiut.]

NGA AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura