Zbulohet letra e Telat Agollit për Enverin: Si më futi në kurth Feçor Shehu

May 17, 2017 | 14:00
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI

Dokumenti që po publikojmë dhe që pritet të botohet së shpejti, si pjesë integrale e librit “Shkrimtarët e artistët nën diktatin komunist dhe intrigat e njëri-tjetrit”, është një letër e artistit të njohur të Cirkut shqiptar, Telat Agolli, të cilën ai ia ka dërguar Enver Hoxhës në fundin e vitit 1982, pak kohë pasi kishte dalë nga burgu, me amnistinë e dhënë në nëntorin e po atij viti nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Telat Agolli, apo siç është njohur ndryshe edhe si legjenda e Cirkut shqiptar (ishte futur në atë çadër që 13 vjeç), ndërsa ishte në kulmin e shkëlqimit të tij dhe karrierës artistike, befas një ditë të bukur e shikon veten nën pranga dhe të mbyllur në një nga qelitë e Hetuesisë së Tiranës. Madje, duke u akuzuar si agjent i UDBsë dhe në procesin e tij hetimor asistonin kuadrot e funksionarët më të lartë të Sigurimit të Shtetit të saj kohe, deri te vetë zv.ministri i Brendshëm, Feçor Shehu.

1476357665_telat

Të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë e kujtojnë se arrestimi i mjeshtërit të madh të Cirkut shqiptar u përcoll me bujë në popull dhe u përfol gjatë jo vetëm për faktin se ai ishte një emër mjaft i njohur, por edhe për ato çka thuheshin dhe pëshpëriteshin për të, gjatë kohës që ai ishte i arrestuar dhe mbahej në Hetuesinë e Tiranës. Si p.sh. thuhej se ai kishte djegur çadrën e Cirkut në Sarandë, histori të cilat i përhapte vetë Sigurimi i Shtetit për të bërë sa më të besuar në popull dhe në opinionin e gjerë arrestimin e tij. Edhe pse Telati doli në një proces gjyqësor në disa shkallë dhe u dënua e vuajti për më shumë se gjashtë vjet në Burgun e Spaçit, e vërteta e goditjes së tij mbeti për shumë kohë e mbuluar me mjegull. Kjo edhe pasi ai doli nga burgu, duke fituar pafajësinë dhe duke u rikthyer përsëri në Cirk me të gjitha të drejtat që ishin mohuar më parë.

download

Madje, edhe pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës, mjeshtri i madh i Cirkut shqiptar nuk pranoi të fliste kurrë publikisht lidhur me fatin e tij tragjike dhe gjithçka kishte ndodhur me të, në ato vite nga më të tmerrshmet e jetës së tij dhe familjes gjithashtu. Kësaj heshtjeje ai i qëndroi besnik, derisa ndërroi jetë para disa muajsh (13 tetor 2016) në SHBA, ku kishte shkuar prej disa vitesh pranë familjes së tij. Por ç’kishte ndodhur me të dhe pse u dënua ai?! Lidhur me këtë na njeh kjo letër që po e publikojmë më poshtë të plotë, ku Agolli tenton t’i sqarojë diktatorit komunist Enver Hoxha gjithë padrejtësitë, apo torturat fizike dhe psikike, që ishin bërë ndaj tij nga Feçor Shehu dhe njerëzit e tij të Sigurimit të Shtetit. Sipas dokumenteve arkivore, mjeshtëri i famshëm i Cirkut nuk është ankuar për arrestimin e dënimin e padrejtë të tij, vetëm pas arrestimit e goditjes së Feçor Shehut, por atë gjë ai e ka bërë që kur Feçori ishte në kulmin e pushtetit të tij. Kjo nuk lë vend për hamendësime apo të vihet në dyshim se gjithçka ai ka shkruar aty (nga pozita e një njeriu të ndershëm dhe idealist), nuk është e stisur prej tij. Ai u bë viktimë tragjike e falangave të Sigurimit të Shtetit dhe intrigave të tyre, ashtu si mjaft shkrimtarë e artistë të tjerë, që patën fatin e keq të përpiheshin nga ingranazhet e atij regjimi monstruoz. (Nëntituj janë redaksionalë, duke u marrë në mënyrë integrale nga teksti i letrës së Agollit).

Letra e Telat Agollit

Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i K.Q. të PPSH.

Tiranë

Shoku Enver

Jam Telat Agolli, punëtor shtypshkronje që në moshën 14- vjeçare, të cilin Partia e ndihmoi të bëhej themeluesi i Cirkut tonë të parë dhe “Artist i Popullit”, por të cilin pastaj armiku i Partisë Feçor Shehu, pasi u përpoq ta bënte vegël për qëllimet e tij të errëta kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj, e hodhi në burg për 6 vjet të tëra. Theksoj qysh në fillim se jo vetëm sot, kur Partia zbuloi poshtërsitë e këtij tradhtari, por edhe atëherë kur ai kishte pushtet të madh, unë dy herë me radhë (një herë nga Burgu i Spaçit në 1977 dhe një herë nga Spitali i Tiranës në 1979, me fletë dorëzimi të rregullta të postës së të burgosurve) ju kam dërguar dy letra për të sqaruar rrethanat e mëposhtme, në të cilat u bë arrestimi dhe dënimi im. Duke e pasur të qartë se ato letra ju nuk jua kanë dorëzuar, tani ju dhe Partia më falët lirinë, po e bëj këtë gjë për të tretën herë, duke mbajtur përgjegjësi penale për të gjitha ato që shkruaj këtu.

123333

“FATKEQËSIA IME, VIZITA TE DAJAT NË JUGOSLLAVI”

Fatkeqësia ime lidhet me vajtjen time për vizitë te dajat e mi në Jugosllavi dhe me faktin se unë kam pasur e kam miqësi familjare me familjet e Abdurrahman dhe Dinçe Haxhimihali, banues në Tiranë, të riatdhesuar nga Jugosllavia, të cilët unë i kam krushq, pasi motra e tyre Nadire është martuar në Ohër me dajën tim, Fejaz Rifati. Në 1971 pasi Ministria e Arsimit kishte biseduar zyrtarisht me Feçor Shehun që unë të shkoja për çadër cirku në Itali ose në Jugosllavi, ky më ndaloi një ditë përpara Gjykatës së Rrethit dhe më tha të shkoja në Drejtorinë e Brendshme të Tiranës për të marrë pasaportën për në Jugosllavi, ku do të shkoja si vizitor. Kështu, pa bërë vetë kërkesë për një gjë të tillë, unë shkova në Jugosllavi te njerëzit e mi dhe qëndrova dy muaj. U çudita shumë kur pas kthimit njerëz të ndryshëm më paralajmëronin dhe unë vetë po e konstatoja se mua po më ndiqnin organet e Sigurimit. Kjo më bënte përshtypje të madhe, por nuk më frikësonte se unë e dija se kisha mbajtur qëndrim të denjë në Jugosllavi dhe isha i pastër përpara Partisë dhe shtetit tim që patën besim të më dërgonin atje.

 

“NË SARANDË MË ARRESTUAN DHE MË LIDHËN SI KRIMINEL”

Për habinë time të madhe më 24.06.1976, kur isha në turne në Sarandë më arrestuan dhe më sollën të lidhur si kriminel në Tiranë, ku më njoftuan se akuzohesha se isha agjent i UDB-së. E hodha poshtë me vendosmëri këtë akuzë sa të turpshme dhe aq të pabesuar që më bëhej. Megjithatë, më hodhën në një birucë izolimi në Hetuesinë e Tiranës dhe filluan pyetjet e pambarueshme të hetuesve dhe presionet që unë të pranoja faje të paqena, të cilat vazhduan për 13 muaj të tërë. Kohët e para kisha për hetues një të ri, Nasho Gjinopulli, i cili, megjithëse bënte çmos që unë të pranoja akuzën, nuk u soll keq me mua, ndoshta sepse edhe vetë po e kuptonte se ato që më kërkoheshin ishin fare pa bazë. Ndërsa unë vazhdoja të sqarohesha për gabimin eventual që mund të kishin bërë dhe ngulja këmbë në mohimin e akuzës, më erdhi dy herë Kadri Gojashi, zv.drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit. Duke më marrë në një dhomë vetëm për vetëm, ky filloi të më merrte me të mira që unë të pranoja se isha agjent i UDB-së. Kur unë i përgjigjesha se isha bir besnik i Partisë dhe i popullit, ai përpiqej të më mbushte mendjen se në rast se unë me të vërtetë e doja Partinë, duhej të pranoja ato që kërkoheshin nga unë, pasi kështu e kërkonin interesat e Partisë, e cila priste prej meje gjëra të mëdha për të demaskuar revizionistët jugosllavë. Meqenëse unë nuk kisha dhe as dija gjëra të mëdha, pas disa kohësh të pakënaqur nga gjendja e hetimeve ia dhanë çështjen time hetuesit Koço Josifi.

“HETUESI KOÇO JOSIFI MË GODISTE EGËRSISHT MUA”

Krejt ndryshe nga hetuesi i parë, Koço sillej shumë egërsisht. Ai përpiqej t’ia arrinte qëllimit me presione, frikësime, shantazhe, duke më sjellë në qeli për 8 muaj B.X., me anën e të të cilit më kurdisi lloj-lloj provokacionesh, të cilat i dështonin, sepse unë isha i pafajshëm dhe nuk kisha asgjë për të mbajtur të fshehtë. I nevrikosur nga kjo, një herë Koço, pasi më goditi, m’u kërcënua duke më thënë: Prano të them, se për ty bien telefonat për ditë dhe nga ti presim gjëra të mëdha. Mos mbaj shpresë te gjyqi se ai është formal, gjyq jemi ne, sepse ne të dënojmë dhe ne të falim etj. Aty nga muaji dhjetor, i pakënaqur prej meje, një paradite Koço më mori dhe më çoi në një dhomë. Këtu pas pak erdhi Feçor Shehu, kurse Koço doli jashtë dhe na la vetëm. (Hollësitë e këtij takimi ia thashë mjaft kohë para lirimit tim kryetarit të Degës së Rrëshenit, B.Pelës. Më është thënë se Feçori mohon të më ketë marrë fare në pyetje, por këtë e di mirë ai). Kur i thashë se jam i pafajshëm dhe se nuk po kuptoja se pse veprohet kështu me mua, Feçori u përgjigj: “Ti je njeriu ynë, ne si parti dhe Sigurim kemi nevojë të na ndihmosh dhe të thuash se vëllezërit Haxhihalili janë agjentë të UDB-së, se ata janë dërguar këtu për qëllime të caktuara, se kur ke qenë në Jugosllavi ty të kanë dhënë në zyrat e UDB-së porosi për ata etj.”.

“FEÇORI THOSHTE SE UDB-JA MË KISHTE DHËNË POROSI PËR HAXHI LLESHIN”

I habitur nga ato që po më dëgjonin veshët mora guximin ta ndërpres dhe t’i them: “Shoku Feçor, ç’po thoni kështu? Ata janë njerëz të ndershëm dhe të persekutuar nga jugosllavët. Pastaj ata janë djemtë e tezes së shoqes Nexhmije Hoxha”. Feçori m’u përgjigj: “S’ka gjë Telat, ne i dimë të gjitha këto. Madje ti duhet të thuash pa frikë se çfarë të kanë porositur në zyrat e UDB-së dhe çfarë të kanë thënë edhe për shoqen Nexhmije, për Haxhi Lleshin, ose për ndonjë shok tjetër, cilido qoftë ky dhe posti i tij. Ne këto Telat,- vazhdoi Feçori,- na duhen vetëm për t’i pasur në arkiv dhe për t’i diskretituar me ato jugosllavët kur të vijë koha, se tani ne i kemi me ata marrëdhëniet mirë” (ky ishte thelbi i bisedës të cilën unë mund ta riprodhoj plotësisht po të më jepet mundësia të ballafaqohem me F. Shehun). Megjithëse nuk e kuptoja se pse po më kërkoheshin gjëra të tilla, më tronditën dhe më frikësuan shumë fjalët e Feçorit. E pashë se unë vetë kisha marrë fund, por i thashë se për Haxhihalilat dhe për asnjeri tjetër të këtushëm nuk do t’i thosha ato që kërkoheshin prej meje. I inatosur, Feçori u ngrit dhe para se të dilte më porositi të mendohesha mirë për të gjitha, sepse doja të merrja veten në qafë. Në këtë kohë hyri Koço dhe Feçori i tha atij: “Koço, unë fola me Telatin, në rast se nuk do t’i thotë ato që na duhen, ti përdor metoda të tjera”. Kur iku Feçori, Koço më tha: “Hë, e shikon se kush interesohet për ty, prandaj fol se të gjitha që do të thuash janë në interes të Partisë!”. Pas kësaj vazhduan përsëri dhe pa mbarim marrjet në pyetje në çdo kohë të ditës e të natës, presionet dhe provokacionet në kushtet e jetës ë padurueshme shpirtërore dhe fizike të qelisë së izolimit.

“PSE VENDOSA TË POHOJA NË HETUESI ATO QË MË KËRKONTE FEÇORI”

Në fund vendosa t’i jap fund gjendjes së krijuar sepse më dukej se po çmendesha. I thashë Koços se meqë qenka për arkiv dhe për diskreditimin e revizionistëve jugosllavë, do të pranoja të them për vete çfarëdo që më kërkohej, por në asnjë mënyrë nuk do të pranoj të them gjëra të paqena për Haxhihalilat dhe për asnjeri tjetër të këtushëm. Për të tjerë, i thashë, shkruani çfarë të doni dhe unë po i firmos. Pasi u mundua dhe disa ditë që unë të ndërroja mendjen për këtë të fundit, kur e pa se unë nuk hiqja dorë, Koço tërë inat së bashku me Nasho Gjinopullin, filluan të shkruajnë e të përgatisin materialet. Ata më sugjeronin se për çfarë duhet ë flisja dhe unë shpikja nga mendja marrëzira, të cilat gjoja m’i kishin thënë filan e filan dibran kur unë kisha qenë për vizitë në Dibër të Madhe, ose kur ata kishin ardhur këtu si vizitorë. I dërrmuar psiqikisht i thosha të gjitha ato që më kërkoheshin me bindje të plotë se nevojiteshin për arkiv dhe për diskreditimin e UDB-së, pa pasur as dyshimin më të vogël se ky material u duhej atyre për ta përdorur në gjyq. Në prill 1977, pas 11 muaj hetuesie, u bë gjyqi im i parë. Përpara se të më nxirrnin në gjyq, brenda disa minutash më njohën me materialet e akuzës. Kur pashë se pse akuzohesha, për tradhti me anë të spiunazhit, u indinjova nga mashtrimi që m’u bë dhe deklarova se do t’i mohoja të gjitha në gjyq.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura