Zbulohet letra e Interpol: Policia kërkoi informacion nga Belgjika për vrasjen që bëri Mark Frroku

Mar 28, 2015 | 8:38
SHPËRNDAJE

Drejtoria e Policisë së Tiranës, me anë të një shkrese drejtuar Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka dërguar një informacion një javë më parë, në lidhje me akuzën për vrasje në Belgjikë të deputetit Mark Frroku dhe vëllait të tij Arben Frroku.


Në shkresën me numër protokolli 1646, të datës 23 mars 2015, Policia e Tiranës ofron një informacion dhe kërkon konfirmimin nga Zyra Qendrore Interpol Tirana, nëse shtetasit Arben dhe Mark Frroku janë apo jo të shpallur në kërkim nga Belgjika. “Shtetasit Arben dhe Mark Frroku, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, me shtetësi e kombësi shqiptare, kanë jetuar në Belgjikë gjatë viteve 1995 – 1996 dhe u janë prezantuar autoriteteve belge si shtetas kosovarë me emrat Liman Krasniqi (Arben Frroku) dhe Azem Krasniqi (Mark Frroku).

Gjatë kësaj periudhe, këta shtetas dyshohet të kenë kryer një vrasje në Bruksel dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet belge me emrat Liman Krasniqi dhe Azem Krasniqi. Ju lutemi të konfirmoni nga ana juaj nëse këta shtetas janë të shpallur në kërkim nga autoritetet belge.

Bashkëlidhur ju dërgojmë certifikatat personale të këtyre shtetasve për procedurë dhe kompetencë”, thuhet në shkresë. Megjithatë, mësohet se ende nuk ka ardhur një përgjigje nga Interpol Brukseli.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura