Zbulohet juria e Netëve të Klipit Shqiptar. Bozo: I vetmi problem është nata gala, por…

May 15, 2020 | 14:52
SHPËRNDAJE

netet e klipitEmra të njohur, profesionistë në fushat e tyre, do të jetë ata që do të gjykojnë klipet e prezantuara këtë vit në spektaklin “Netët e Klipit Shqiptar”. Saimir Kumbaro, Stefi Prifti, Alida Cenaj, Hygerta Sako, Armand Peza, Ergys Zhabjaku dhe Suela Bako do të jenë profesionistët që do të gjykojnë 48 klipet në konkurrim të këtij viti.

Ky edicion është organizuar pak ndryshe nga vitet e tjera, i kushtëzuar nga këto kohë pandemie që po jetojmë. “Netët e Klipit Shqiptar”, unik në stilin e tij, sjell në konkurrim prodhime të videove muzikore nga të gjitha trojet shqiptare. Janë transmetuar në ekranin e RTSH, 7 emisione që janë klipet në konkurrim dhe që i paraprijnë natës gjysmëfinale dhe finales së madhe.

Koncepti i këtij viti i “Netëve të Klipit” është ndërtuar në përshtatje me kushtet e pandemisë. Regjistrimet janë kryer në zbatim të kushteve të karantinës, panelet me shumë personazhe janë hequr nga skenari, ndërsa intervistat janë kryer me Skype, nëpërmjet rrjeteve sociale etj. Emisionet e së dielës, të transmetuara në RTSH, janë prezantuar nga gazetarja Dasara Karaiskaj ndërkohë që nata finale do të ketë prezantuese Arjola Shehu.

Siç kanë treguar organizatorët gara e këtij viti do të jetë e fortë. Klipe cilësorë, emra të njohur të skenës, por edhe artistë të rinj kanë realizuar prezantime të denja për një garë të fortë.  Sa për finalen, producenti Petri Bozo ka thënë se ka ende dy plane, në varësi të kushteve të pandemisë. “I vetmi problem është që nata gala, kërkon një grumbullim të njerëzve dhe ne do të organizohemi që të respektohen masat duke ruajtur distancat, ka thënë. Plani ynë ka qenë që finalja të mbahej në Ulqin, por një plan tjetër është të bëhet një lloj koncerti ku do të ndiqet nga njerëzit në ballkone. Le të jemi pak optimistë dhe të ruajmë shumicën e surprizave”, ka thënë Bozo.

saimir kumbaro armand peza alida cenaj ergys zhabjaku stefi prifti suela bako hygerta sako

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura