Zbulohet ‘harta’, ja si ishte Pallati i Enverit poshtë Teatrit

Aug 29, 2015 | 11:25
SHPËRNDAJE

Dokumenti i mësipërm tregon planimetrinë e strehimit antibërthamor që gjendet poshtë bulevardit të Tiranës, pranë Ministrisë së Brendshme e Teatrit Kombëtar. Dokumenti i siguruar nga “GSH”, tregon se ky strehim, për të cilin kishin dijeni shumë pak vetë, ka të paktën 46 ndarje.

Harta
Harta
Gjatë prezantimit të projektit të muzealizimit të “Shtëpisë me gjethe”, kryeministri i vendit, Edi Rama, këtij strehimi i referohej me fjalët “Pallat Antiatomik”. Në fakt, hapësira që ai zë, mund të ishte e denjë edhe për një pallat.

Një burim i “GSH” pranë Ministrisë së Brendshme, sqaroi se strehimi në fjalë, ka soletë me 2 metra trashësi, ndërsa në brendësi të tij, nuk mungojnë dhoma me aspirator e kondicionim, në rast shpërthimi apo sulmi atomik.

Të gjitha këto lidhen përmes korridoresh të shumta që shpesh i ngjajnë një labirinthi për një sy të pamësuar. Bëhet fjalë pra(shtoi një njohës i strehës, që dëshiroi të mbetet anonim), për një kabinet qeveritar nëntokësor, me dhoma ministrash të veshura me dru, me dhoma dhe zyra pune për koordinim, me tunele nënlidhëse dhe dalje emergjence të sigurisë së lartë.

Burimi sqaroi se daljet janë disa dhe në anë të ndryshme të strehimit antiatomik. Mes tyre përmendim një dalje afër “Torre Drinit”, pranë Drejtorisë së Burgjeve, një tjetër te Ministria e Brendshme, por edhe një tjetër te bulevardi, pasi strehimi kalon kompleksin e ministrive dhe mbase i afrohet edhe vetë “Shtëpisë me gjethe”.

I ndërtuar në mënyrë të fshehtë në kohën e Luftës së Ftohtë, dhe i mbajtur tejet i fshehtë gjatë të gjitha viteve të komunizmit, vlen të përmendet në këtë pikë, se të gjitha dokumentet arkivore lidhur me këtë strehim janë të markuara me “SS” dhe “TS”, ku e para nënkupton “Sekret Shtetëror” dhe e dyta “Tepër sekret”.

Megjithatë, “GSH” ka mësuar se dhomat e Pallatit Antiatomik në qendër të Tiranës, janë të pajisura me ndriçim, me gjeneratorë dhe me dhoma aspirimi dhe filtra kundër gazit. I ndërtuar në një thellësi 8 metra poshtë sipërfaqes që ne shohim, platforma është realizuar në fshehtësi të plotë dhe pa rënë në sy, në një kohë që ka qenë në qendër të kryeqytetit.

A lidhej ky strehim me zonën e ish­Bllokut, a lidhej me institucione të rëndësishme shtetërore ku gjendej udhëheqja e kohës, dhe me cilat prej tyre lidhej? Këto janë pyetje, përgjigjet e të cilave do të duhet t’i mësojmë në ditët në vijim. Aktualisht, nuk ka një zë zyrtar që mund të pyetet, në mos shefi i qeverisë.

Si shumëçka prej projekteve të qeverisë “Rama”, detajet, të dhënat mbahen “sekret”. Kështu, ende nuk dihet se kush po punon me të, çfarë kostoje ka, cila kompani po merret me rehabilitimin dhe përgatitjen për t’ia prezantuar publikut, cila ministri e ka nën kujdes, kush e ka hartuar projektin dhe kush po e aplikon, sa do të zgjasë.

Deri më tani, vetëm këshilltari i kryeministrit për Urbanistikën, Artan Shkreli, diçka ka thënë për këtë strehim, por edhe ai e ka bërë privatisht, në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”. “Punimet e krijimit të një aksesi të thjeshtë vizitorësh për në strehimin antiatomik, ndërtuar në vitet e Luftës së Ftohtë në sheshin mes Teatrit Kombëtar dhe ministrive, janë drejt përfundimit”, thotë Shkreli; kaq, dhe asgjë më shumë.

Deklarata e Ramës Kur prezantoi projektin e muzealizimit të “Shtëpisë me gjethe”, kryeministri Edi Rama tha se: “Ky muze është i dyti në zinxhirin e një projekti që do të vazhdojë me nëndheun, pasi kryeqyteti ka infrastrukturë ende të pazbuluar dhe ne do ta zbulojmë, ka infrastrukturë të tuneleve të nëndheshme që ishin pjesë e infrastrukturës sekrete”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura