Zbulohet dokumenti sekret i Sigurimit: Si e shtypëm revoltën e Qafë Barit! Protesta nisi pas goditjes që shoku Enver i dha poliagjentit Mehmet Shehu dhe bandës së tij! Armiku nuk bëhet kurrë mik

Oct 9, 2021 | 12:38
SHPËRNDAJE

Revolta qafe-barit1Dy janë revoltat tronditëse me karakter thellësisht antikomunist, që janë rregjistruar në historikun e burgjeve politike. E para, ajo e kampit të Spaçit, në vitin 1973, dhe tjetra e Qafës së Barit në maj të vitit 1984.

Përtej mobilizimit maksimal për t’i shtypur me dhunë e hekur, policia sekrete, ka bërë çështë e mundur për t’ia fshehur opinionit të vërtetën e tyre. Të vlerësuara si ngjarje të jashtëzakonshme, me to është operuar fund e krye me procedura sekrete. Se çfarë ndodhi në Spaç dhe Qafë-Bari në ditët e revoltave, është zbardhur shumë më vonë. Hapja e burgjeve politike do të hapte përfundimisht dhe historinë e revoltave të panjohura, me protagonist kundërshtarët politik të regjimit. Kronikën e shpërthimeve të përgjakshme, do ta zbulonin së pari të mbijetuarit me dëshmitë e tyre autentike. Pastaj, zhvillimet e reja do të nxirrnin nga “burgu” i përjetshëm edhe dosjet e zeza, ku sigurimi i shtetit kishte koleksionuar revolat tronditëse.

Gazeta “Panorama” ka siguruar një raport të komandës së burgut të Qafë Barit, ku përshkruhen rrethanat në të cilat shpërtheu dhe u shtyp revolta e të dënuarve politikë. Janë regjistruar në të momentet kryesore dhe emrat e protagonistëve të protestës. “Ngjarja e datës 22 maj 1984 në repartin tonë, nënvizohet në këtë dokument, tregoi dhe një herë se armiku nuk bëhet kurrë mik, prandaj i treguam vëndin”. Ndërkaq, artikuluesit e tij, teksa raportojnë për autoritetet e larta të shtetit, nuk harrojnë t’i garantojnë se ngjarje të tilla nuk kanë për t’u përsëritur. Sidoqoftë, ndodhia e Qafës së Barit nuk kishte si mos ta cënonte krenarinë e këtij institucioni që deri në atë kohë mbahej më i sigurit ndër burgjet e tjerë të sigurisë së lartë. Po si e ka dokumentuar komanda e burgut revoltën e 22 majit ‘84 në raportin e adresuar për kreun e Ministrisë së Brendshme Hekuran Isai?

RAPORTI SEKRET: REVOLTA

Dokumenti sekret “Mbi ngjarjen e ndodhur në datën 22 maj 1984 në regjimin e të dënuarve të repartit 311 Qafë Bari”, mban datën 27 maj 1984 dhe është nënëshkruar nga drejtuesit e lartë të burgut. Plotë pesë ditë pas revoltës tronditëse, autoritet e repartit Nr: 311, rigrenë versionin zyrtar të ngjarjes. Padyshim krerët e policisë sekrete, por jo vetëm ata, kanë qënë në kontakt çast pas çasti me atë që ndodhte në burgun e Qafës së Barit. Raporti i datës 27 maj, saktësonte përfundimisht rrethanat e revoltës pas analizave të hollësishme të bëra në të gjitha hallkat e institucionit të riedukimit.

Pjesa kryesore e tij fokusohej në përshkrimin e ngjarjes, duke bërë një përmbledhje kronologjike të saj. Gjithçka, zbulohet në dokument, nis me njoftimin e orës 0730, datë 22.05.1984, sipas të cilit dy të burgosur të turnit të tretë, Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla nuk kishin realizuar normën në galeri dhe sipas rregullores së kampit duhej të riktheheshin me turnin në vijim. Kundërshtimi i prerë i dy të burgosurve të tjerë tjerë, Sokol Sokoli e Sokol Progri, për t’i kthyer mbrapsh dy bashkëvuajtësit e tyre që sa kishin përfunduar turnin e tretë, u bë shkak i përplasjes së pazakont.

Mjaftoi kaq dhe menjëherë policët e shërbimit, lajmëruan oficerin e rojës. Vetëm në pak çaste mbritën aty 5 policë me shkopinj gome. Përballë tyre këtë radhë nuk ishin vetëm dy të burgosurit që refuzojnë për t’u rifutur në galeri, por një masë e madhe të dënuarish që protestojnë energjikisht në mbrojtje të shokëve të tyre. Reagimi është i menjëhershëm. Ndërhyrja e forcave të policisë për të çuar në dhomat e izolimit të pabindurit, ndezi protestën e pjesës tjetër. Sakaq, të dënuarit Sokol Sokoli, Sokol Progni, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovsi, Lush Bushgjoka e Kostandin Gjordeni, aty për aty vendosen në pozicione mbrojtëse dhe fillojnë t’u bëjnë thirrje policëve për të lëshuar shokët e tyre. Shpërfillja e palës tjetër ndaj këtij apeli e bëri dhe më agresive turmën, e cila tanimë e papërmbajtur filloi të gjuajë me gurë e tulla mbi forcat e policisë. Në raport shprehet se përballë kësaj gjendje të nderë, oficeri i rojës vendosi anulimin e urdhrit dhe marrjen e masave për stabilizimin e situatës. Komandanti i togës u bëri thirrje të

Kostandin Gorenji111
Kostandin Gjordeni, i plagosur gjatë revoltës

dënuarve që të futeshin në mencë për të bërë apelin. Në vazhdim, dokumenti sekret përshkruan tesionin e krijuar aty pas thirrjes së oficerit të shërbimit, për të nxjerrë jashtë të dënuarit që kishin iniciuar përplasjen. Kostandin Gjordeni ishte i pari që refuzoi t’i bindet urdhrit. Të njëjtën gjë bëri dhe i dënuari tjetër Sokol Sokoli. Kundërshtimi i tyre i dha zemër turmës dhe sakaq një pjesë e saj shpërtheu derën e mencës dhe doli jashtë. Në pak sekonda gati të tërë të dënuarit u grumbulluan te sheshi dhe filluan të protestojnë energjikisht. U njoftua menjëherë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Pukës dhe komandanti i repartit që ishte me shërbim në Fushë – Arrëz. Nga çasti në çast dueli bëhej më agresiv. Të dënuarit shpërthejnë mbi forcat e sigurisë dhe me çfarë të mundin qëllojnë mbi ta. Tesionit në rritje ju shtuan krismat e armëve. Ushtarët e shërbimit hapën zjarr të pandërprerë. Për një moment policët tërheqin me forcë për në birucë Kostandin Gjordeni.

Të burgosurit e tjerë shpërthejnë dhe më vrullshëm mbi personelin e armatosur. Për të zbutur gjendjen, urdhërohet lirimi i Gjordenit, po tashmë situata ka dalë jashtë kontrollit. Në panik e sipër rojet fillojnë të tërhiqen nën goditjen e gurëve dhe tullave me të cilat i sulmojnë të dënuarit. Përforcimet e ardhura rishtaz hapin zjarr nga larg. Plumbat e parë ranë mbi supet e Kostandin Gjordenit. Të tjerë të dënuar u plagosën e përgjakën. Kaosi vazhdoi disa orë. Mbërritja me helikopter nga Tirana e zëvëndësministrit të Brëndshëm dhe Drejtorit të Drejtorisë së Zbatim Vendimeve Penale, e futi përballjen në një hulli të re. Me urdhërin e tyre u bë arrestimi i organizatorëve të protestës, të cilët u izoluan në Degën e Brendshme të Pukës. Pjesa tjetër u fut në menxë me forcën e shkopinjve të gomës dhe sulmit me armët e zjarrit…

KOMANDA: ARSYET E PROTESTËS

“Protesta e të dënuarve të Qafës së Barit ka lidhje të drejtpërdrejt me zbulimin dhe goditjen nga Partia dhe shoku Enver të grupit armiqësor të poliagjentit Mehmet Shehu e bandës së tij, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu”.

Jo rastësisht në raportin e autoriteteve të burgut 311, argumenti i parë për shkaqet e “ngjarjes së rëndë”, lidhej me sfondin politik të kohës. Shkaku tjetër, sipas dokumentit sekret të datës 27 maj 1984, ishte “shtimi i veprimtarisë armiqësore në radhët e të dënuarve, kryesisht nga rrethet e Shkodrës dhe të Tropojës”. Ndërkaq, në raportin e zyrtarëve të repartit 311, përmendej si shtysë e artikulimit të pakënaqësive “norma e ulët e ushqimit dhe trajtimi jo si duhet nga personeli” etj. Po kështu, eprorët e Qafës së Barit, të tronditur nga ngjarja e papritur, gjejnë rastin të reflektojnë për “punën jo të efekshme të këshillit të edukimit të të dënuarve”, e cila sipas tyre ka ndikuar sadopak në situatën e jashtëzakonshme të datës 22 maj 84.

Kaq dhe asgjë tjetër për arsyet e protestës. Në përfundim, dokumenti sekret i rikthehet përsëri një argumenti politik “Ngjarja e datës 22 maj 1984 në repartin tonë, shkruhet në të, tregoi edhe njëherë se armiku nuk bëhet kurrë mik e ai ashtu siç ka thënë partia e shoku Enver, gjithmonë është përpjekur e do përpiqet të pengojë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, por nga ana tjetër, kjo ngjarje tregoi edhe njëherë gatishmërinë e vigjilencën dhe urrejtjen klasore të efektivit tonë ndaj armikut të klasës”.

Revolta e qafe-barit

MINISTRIA: MASAT E REFLEKTIMIT

Në dosjen e revoltës së Qafës së Barit, njëherazi me raportin për ngjarjen, janë dhe dokumentet e tjera, që kanë të bëjnë me masat e marra për të parandaluar situata të tilla. Në një program pune të hartuar pas ngjarjes nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së të Brendshme dhe të miratuar nga kreu i dikasterit, Hekuran Isai, parashikoheshin një sërë masash për forcimin e regjimit të sigurisë në tërë sistemin e burgjeve dhe në mënyrë të veçantë në ato të të dënuarve politikë.

Për vet rëndësinë e ngjarjes së Qafës së Barit, në dokumentin me firmën e Ministrit të Brendshëm bashkalidhej lista me emrat e të dënuarve, të etiketuar si organizatorë të protestës së 22 majit 84, të cilët i kishin kaluar për gjykim organeve të drejtësisë. Në këtë praktikë zyrtare të panjohur, krerët e policisë veçojnë emrat e tre të dënuarve të Qafës së Barit, pjesëmarrës në revoltë, të cilët duke reflektuar shfaqën “gatishmëri të lartë në dhënien e shpjegimeve të hollësishme mbi ngjarjen”(!). Gjithsesi, dokumenti i përpiluar nga Agron Tafa, ish numuri Dy i dikasterit të sigurimit, nuk kufizohej vetëm në problematikën e kampit të Qafës së Barit. Krerët e lartë të Policisë Sekrete, e vlerësonin revoltën e 22 majit 84, si këmbanë alarmi për ta riparë me themel tërësinë e regjimit të sigurisë në kampet e riedukimit. Fill pas analizës së revoltës së Qafës së Barit, ministri Hekuran Isai organizoi një mbledhje urgjente me fuksionarët e lartë të ministrisë, ku u shqyrtua me përgjegjësi forcimi i diktaturës në tërë sistemin e burgjeve.

Ndërkaq, reflektimi ndaj kësaj çështje, solli dhe një rrokadë në radhët e drejtuesve të kampeve të riedukimit, siç quheshin në atë kohë vendet e dënimit… Lista e të ridënuarve Në dosjen e Ministrisë së Brendshme për revoltën e Qafës së Barit, me siglën “Sekret” ndodhet dhe lista me emrat e 12 të burgosurve që u ridënuan menjëherë pas saj. Renditja fillon me emrin e Sokol Sokolit, njërit prej më të rinjve në moshë dhe vazhdon me Sokol Progrin, Tom Ndojën, Lush Bushgjokën, Haxhi Baçinovskin, Vllasi Koçin, Kostandin Gjordenin, Barjam Vuthin, Martin Lekën, Lazër Shkëmbin, Hysen Tabakun dhe Ndue Pishën. Komanda e burgut pas asaj që ndodhi mëngjesin e 22 majit 84, ka bërë seleksionimin e organizatorëve dhe njëherazi me inteditetet ka forumuluar një aktakuzë të përgjithshme për ta dhe për secilin veç e veç.

Sipas saj 12 të dënuarit “në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer krimin e terrorit kundër përfaqësuesve të shtetit” dhe në veçanti “Sokol Progri, Lush Bashgjoka dhe Ndue Pisha kanë konsumuar krimin e tardhëtisë ndaj atdheut, duke tentuar për t’u arratisur”. Nga mënyra si është operuar më tej me gjykimin e tyre në Pukë dhe në Gjykatën e Lartë (Kolegji penal) bie në sy e njëjta aktakuzë për të gjithë, me përjashtim të ndonjërit që e përjashtoi veten duke pranuar bashkëpunimin me organet e sigurimit…

“Aushvici” shqiptar, në grykën e maleve të thepisura

“Një grusht qiell, mbi një përrua të thepisur, tela me gjëmba gjithandej, bunkerë e karrakoll në çdo pëllëmbë, fërngji e ushtarë ngado…” Jo rastësisht, i dënuari i Qafë Barit, Haxhi Baçinovci, përshkrimin e ferrit të dikurshëm e nis nga larg afër. Ka një domethënie për të ky lloj orientimi. Diktatura, saktëson Baçinovci, na kishte privuar edhe rrezen e diellit. Drita që se zinte shpati i malit, bllokohej nga pishat e larta. Ajo që depërtonte prej tyre, pengohej te bunkerët e shtyllat e truprojeve. Për dritë në tunel e qeli, as që bëhej fjalë. Ferr e kaluar ferrit! Një Auishvic i tmerrshëm.

Në përshkrimin e qytezës burg, i dënuari i Qafës së Barit veçon tre katër rrethime të larta me tele me gjëmba dhe fillin e korentit në distancat midis tyre. Pjesët e mbetura bosh, kujton Baçinovci, ishin mbushur me parrulla propogandistike. Nuk ka si ta mbaj mënd përmbajtjen e tyre, por njërën syresh nuk e harron për asnjë çast. “Në pjesën më të dukshme të kampit, diku në hyrje, shprehet ai, ishte shkruar me gërma të mëdha “Jetë të gjatë shokut Enver”, që para kuptonte urimin tonë për njeriun që na gjymtonte jetën! Po cinizmi, sipas tij, nuk mbaronte këtu. Aty në ferr komanda e komisarët nuk rreshtnin për t’i bindur që të festonin ditëlindjet e diktatorit dhe ato të partisë. Kulmi i suksesit vlerësohej nënshkrimi i ndonjë telegrami prej ndonjërit nga të dënuarit fatkeq.

revolta e qafebarit

Spaç, maj ‘73: Revolta e parë antikomuniste

Plotë 72 orë zgjati pandërprerje revolta e Spaçit. Përballja energjike e të burgosurve politikë të burgutkamp në 21-23 maj të vitit 1973 me forcat e policisë, tronditi nga themelet regjimin e Tiranës. Lajmi i pazakontë i përkiste kampit më të egër, ku ishte izoluar pjesa më e madhe e kundërshtarëve të rrezikshëm. Rebelimi i tyre kishte qenë i papritur. Po kështu dhe thirrjet energjike “Poshtë komunizmi, rroftë Europa” “Duam liri” “Jo diktaturë si të Stalinit” etj. Shpagimi do të vinte i pamëshirshëm. Me tërë arsenalin luftarak të gardianëve dhe policisë sekrete. Përleshja nisi e përgjakshme dhe u mbyll me gjak. Pati të vrarë e të lënduar. Me dhjetra u gjymtuan.

Oraganizatorët u izoluan forcërisht dhe u ridënuan rreptë. Katër syresh Hajri Pasha, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Pal Zefi u pushkatuan me vendim të rrufeshëm. Plotë 15 të tjerë, Kostandin Papaj, Sali Çuni, Shefqet Gjana, Hulusi Pashollari, Fatmir Llagami, Nuri Stepa,Bashkim Fishta, Agron Xhelili, Njazi Bylykbashi,Sherif Allamani, Mirash Gjoka, Refik Beqo, Gëzim Çela, Rexhep Lazri e Bebi Konomi, u ridënuan me masa ekstreme. Në historinë e regjimit të Enver Hoxhës revolta e Spaçit, u koleksionua si protesta e parë kur u ngrit flamuri kombëtar pa yllin, simbol të komunizmit.

Të dënuarit e kampit famkeq, për kupolën politike, ishin thjesht armiq të tërbuar që aspironin “përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor”. Sipas raporteve të autoriteteve të policisë “të rebeluarit e Spaçit kanë krijuar organizatë kundër pushtetit popullor për të kryer krimin e sabotimit ekonomik, krimin e agjitacionit dhe propagandës dhe krimin e terrorit”.

Vijon nesër…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura